“Kam pas shef Kadri Veselin, bashkëpunëtorë Reçicën dhe Gashin”/ Fatmir Sheholli i rrezikshëm për Kosovën!

Politika

“Kam pas shef Kadri Veselin, bashkëpunëtorë Reçicën dhe Gashin”/ Fatmir Sheholli i rrezikshëm për Kosovën!

Nga: N. Sh. Më: 15 korrik 2022 Në ora: 08:41
Fatmir Sheholli dhe Kadri Veseli

Drejtuesi i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli, ka thënë se ka shërbyer në Shërbimin Informativ të Kosovës në periudhën e pasluftës në Kosovë, derisa paralufte ka punuar për Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Sheholli, ka deklaruar se se edhe gjatë kohës kur punonte në Sigurimin Shtetëror serb ka shërbyer si spiun i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kurse, pasluftës ai ka thënë se është kyçur në Shërbimin Informativ të Kosovës (ShIK), një shërbim sekret i udhëhequr nga njerëzit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Pas lufte kam punuar për Shërbimin Informativ të Kosovës dhe shef i im ka qenë Kadri Veseli, me mburrje e them këtë sepse e kam thënë kontributin në këto sfera. Bashkëpunëtorë kryesor i kam pasur Elmi Reçicën dhe Latif Gashin”, ka theksuar Sheholli.

Kjo deklaratë e Shehollit ka ngjallur reagime të ashpra në Kosovë.

Njohësi i çështjeve politike prof. Sulejman Mehazi thotë se sa është e guximshme kjo deklaratë e tij është edhe e rrezkshme.

“Pikësëpari është guxim i madh për Drejtuesin e Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Shehollin, të tregojë hapur se ka shërbyer edhe para luftës, kinse me LDK-në e Rugovës, por edhe pas luftës në Shërbimin informativ të Kosovës, sa është e guximshme për vetë Shehollin, po aq edhe rrezikshme për personalitetin e tij. Sekreti më i madh nuk është se zotëri Sheholli ka shërbyer pas luftës me Kadri Veseli, por e fshehta më e madhe e Fatmir Shehollit është se a me të vërtetë ka punuar për LDK-në siç thotë vetë ai, apo ka punuar për UDB-en e Beogradit”, thotë Mehazi për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se, që të hiqen dilemat e paraluftës do të ishte mirë që të reagojë LDK-ja e Abdixhikut se vërtetë Sheholli i ka shërbyer LDK-së, apo i ka shërbyer BIA-së serbe?

“Që të hiqen dilemat dyshuese Sheholli jo vetëm të tregojë se ka qenë bashkëpunëtor i LDK-së, para luftës, por të tregojë edhe detajet se në LDK kujt i ka shërbyer dhe cili ka qenë shefi i tij i LDK-së gjatë luftës në Kosovë. Pasi Sheholli deklaroi se pas luftës ka punuar në Shërbimin Informativ të Kosovës në krye me Kadri Veselin dhe se ka bashkëpunuar ngusht me Elmi Reçicën dhe Latif Gashin, atëherë duhet të tregojë edhe para e gjatë luftës në Kosovë çfarë pune ka bërë në LDK, dhe se cili ka qenë shefi i tij në këtë parti, e me cilët ka bashkëpunuar, nëse Sheholli nuk tregon detajet shërbyese të tij para e gjatë luftës në Kosovë atëherë lirisht mud të themi se Fatmir Sheholli më shumë ka qenë bashkëpunëtor i UDB-es serbe sesa i Sherbimeve Informative të Kosovës dhe se informatat e shërbimeve të Kosovës ua ka dhënë serbëve”, pohon ai.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës deklaratën e Shehollit duhet ta kap serioze me anë të hetuesisë ndaj tij, “pasi është deklaratë paralajmëruese e rrezikshmërisë së shtetit të Kosovës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat