“Planet serbo-ruse”/ Paralajmërimi për shpërthim të luftës botërore – ky mund të jetë skenari i radhës!

Politika

“Planet serbo-ruse”/ Paralajmërimi për shpërthim të luftës botërore – ky mund të jetë skenari i radhës!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 15 korrik 2022 Në ora: 11:48
Vladimir Putin dhe Aleksandër Vuçiq

A po kërcënon Serbia me destabilizimin e Ballkanit? Qëllimet serbe për një konflikt në Ballkan duket se nuk do të pushojnë kurrë. Ata janë të gatshëm, që në një rast të përshtatshëm, nëse Rusia mund ta kthejë në favor të saj luftën pushtuese në Ukrainë, që fillojnë një luftë apo konflikt, qoftë në Bosnje e Hercegovinë, apo në Kosovë. Në Bosnje qëllimi është që t’ia bashkojnë Republikën Serbe, shtetit aktual serb, dhe në Kosovë, ta shkëpusin pjesën më të madhe të veriut apo krejt atë pjesë, siç synojnë deri në lumin Ibër në Mitrovicë.

Në kontekst të këtyre qëllimeve erdhi edhe kërcënimi i ministrit të Brendshëm të Serbisë, Aleksandër Vulin, që nuk do të ketë paqe në Ballkan, derisa serbët nuk jetojnë në një shtet të vetëm.

E vetmja mënyrë që Ballkani të mbetet stabil është që serbët të jetojnë në një shtet. Të gjitha konfliktet në Ballkan fillojnë “me diskriminimin” e serbëve. Aty ku respektohen të drejtat e serbëve, nuk kanë asnjë problem me ‘botën serbe’”, ka thënë Vulin.

A nuk është kjo një thirrje e hapur për luftë, dhe kërcënim i përhershëm për paqen në Ballkan?

A po bëhet kërcënimi nga Vulini si pjesë e strategjisë ruse për destabilizimin e Ballkanit? Pse nuk po goditet kjo strategji e politik bërjes serbe nga Perëndimi?

Për këto dilema dhe të tjera flasin edhe analistët.

Tërnava: Serbia pret nga Rusia që ta përkrahë dhe të kontribuojë që Kosova të mbetet si pjesë e Serbisë

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava shprehet se Serbia nuk po arrin ta pranoj që Kosova tashmë është shtet i pavarur dhe se kjo është arsyeja pse Serbia me politikat e saj po mundohet ta ç’orientoj Kosovën.

Image
Hajrullah Tërnava

Që nga kapitullimi i Serbisë me vendimin e nënshkruar të Kumanovës të vitit 1999, që u deshtë t’i tërheqë forcat e saja nga territori i Kosovës, me disfatën e bombardimeve dhe të luftës që e pësuan nga NATO-ja dhe UÇK-ja. Serbia që nga atëherë e deri më tani nuk është pajtuar me pavarësinë e Kosovës, edhe që këtë pavarësi si të drejtë e ka shpallur GJND-ja, dhe nga çlirimi i Kosovës e deri më tani faktori ndërkombëtarë është tentuar mes diplomacive ndërkombëtare të arrihet një pajtim dhe njohje reciproke mes Serbisë dhe Kosovës.

Por, deri më tani nuk është arritur një njohje reciproke mes këtyre dy shteteve, prandaj Serbia me politikat e saja agresive shpesh shpik konflikte mes individëve serb në territoret e Kosovës, për qëllimet e tyre të situatës konfliktuoze, edhe që ndërkombëtarët e kanë caktuar grupin diplomat ndërmjetësues mes Serbisë dhe Kosovës. Disa vite po zhvillohen biseda të pasuksesshme deri më tani, deri më tani këto bisedime nuk kanë sjellë suksese, faktori ndërkombëtar në krye me Amerikën dhe shtetet e BE, po insistojnë që të arrihen njohjet reciproke”, u shpreh ai.

Më tej, eksperti i sigurisë thotë që Serbia po qëndron pranë Rusisë në këtë kohë lufte pasi po synon ta ketë në anën e saj që ta ndihmojë në lidhje me Kosovën.

Serbia tani me politikat e saja nacionaliste e duke e pasur parasysh situatën e krijuar të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, ajo po i qëndron pranë politikave ruse, nga e cila po e pret që ta përkrahë Serbinë për çështjen e Kosovës, sepse edhe Rusia gjatë sulmit të NATO-s, nuk e ka kundërshtuar Rezolutën 1244 të OKB-së, por nuk ka marrë pjesë në bombardimin e Serbisë, sikur shtetet anëtare të NATO-s, prandaj Serbia pret nga Rusia që ta përkrahë dhe të kontribuon që Kosova të mbetet si pjesë e Serbisë”, thotë eksperti i sigurisë.

Në bisedë e sipër, ai thotë që Perëndimi po e përcjellë dhe ndihmon Ukrainën në luftën e saj kundër pushtimit rus, dhe po ashtu edhe situata mes Serbisë dhe Kosovës është nën vështrimin e Perëndimit.

Në situatën e krijuar të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, vëmendja e ndërkombëtarëve të shteteve demokratike është përqendruar te këto shtete, dhe janë në përkrahje të Ukrainës, e cila është duke e mbrojtur territorin e saj nga invazioni rus. E që kjo luftë mund të zgjerohet edhe në vende të tjera qoftë të Ballkanit apo edhe në luftë botërore. Tani kjo situatë luftarake po përcillet dhe po kontrollohet nga të fortit e botës, edhe situata mes Serbisë dhe Kosovës është nën vështrimin e Perëndimit, i cili kohëve të fundit po insiston më shumë që të arrihet një njohje reciproke në kufijtë e tanishëm të dy shteteve”, thekson ai.

Sipas ekspertit Serbia nuk do të ketë zgjidhje tjetër përveçse ta njoh Kosovën.

“Por, të gjitha gjasat janë se Serbisë nuk i mbetet tjetër zgjedhje përpos ta njeh pavarësinë e Kosovës, dhe me këtë t’i kontribuojë paqes në Ballkan dhe udhëtimit bashkë me shtetet e Ballkanit në BE, për të cilin qëllim edhe bota demokratike po angazhohet për një qëllim të tillë të njohjeve reciproke”, nënvizoi Tërnava për “Bota sot”.

Mehmeti: Serbia përdor kërcënimin si pjesë e strategjisë për ta ledhatuar duke përfituar mbi kurriz të të tjerëve, kryesisht shqiptarëve

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që projekti serbo-rus është për të destabilizuar Evropën dhe ta shtrijnë ndikimin e tyre, Rusia në botë ndërsa Serbia në Ballkan.

“Ministri i Vuçiqit, Vulini në fakt është fytyra e vërtetë e Vuçiqit dhe Serbisë. Dihet se projekti serbo-rus është për destabilizim të Evropës dhe botës për të shtrirë ndikimin e tyre, Rusia në botë dhe Evropë dhe Serbia në Ballkan. Pjesë e asaj është edhe “Ballkani i Hapur”, potencon analisti.

Në fund, ai kritikon BE-në, e cila po ledhaton Serbinë e që e njëjta po përfiton nga kjo.

Në këtë mënyrë, Serbia përdor kërcënimin si pjesë e strategjisë për ta ledhatuar duke përfituar mbi kurriz të të tjerëve, kryesisht shqiptarëve. Perëndimi vazhdon ta ledhatojë Serbinë derisa ta futë në BE dhe NATO, e vetëdijshme për këtë Serbia po e shfrytëzon për të përfituar aq sa mundet”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat