Eksperti i sigurisë flet për kërcënimin e Vulinit - zbulon prapavijën e deklaratës!

Politika

Eksperti i sigurisë flet për kërcënimin e Vulinit - zbulon prapavijën e deklaratës!

Nga: M.H. Më: 15 korrik 2022 Në ora: 22:26
Ushtari i Kosovës

Kosova po vazhdon të jetë pjesë e kërcënimeve të vazhdueshme që Serbia po bënë karshi saj.

Kësaj radhe është ministri i brendshëm serb, dhe ekstremisti prorus Aleksandar Vullin ka deklaruar se e “vetmja mënyrë që Ballkani të mbetet stabil është që serbët të jetojnë në një shtet”.

“E vetmja mënyrë që Ballkani të mbetet stabil është që serbët të jetojnë në një shtet. Të gjitha konfliktet në Ballkan fillojnë “me diskriminimin” e serbëve. Aty ku respektohen të drejtat e serbëve, nuk kanë asnjë problem me ‘botën serbe’”, ka thënë ai.

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava shprehet se Serbia nuk po arrin ta pranoj që Kosova tashmë është shtet i pavarur dhe se kjo është arsyeja pse Serbia me politikat e saj po mundohet ta ç’orientoj Kosovën.

Image
Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava

“Që nga kapitullimi i Serbisë me vendimin e nënshkruar të Kumanovës të vitit 1999, që u deshtë t’i tërheqë forcat e saja nga territori i Kosovës, me disfatën e bombardimeve dhe të luftës që e pësuan nga NATO-ja dhe UÇK-ja. Serbia që nga atëherë e deri më tani nuk është pajtuar me pavarësinë e Kosovës, edhe që këtë pavarësi si të drejtë e ka shpallur GJND-ja, dhe nga çlirimi i Kosovës e deri më tani faktori ndërkombëtarë është tentuar mes diplomacive ndërkombëtare të arrihet një pajtim dhe njohje reciproke mes Serbisë dhe Kosovës.

Por, deri më tani nuk është arritur një njohje reciproke mes këtyre dy shteteve, prandaj Serbia me politikat e saja agresive shpesh shpik konflikte mes individëve serb në territoret e Kosovës, për qëllimet e tyre të situatës konfliktuoze, edhe që ndërkombëtarët e kanë caktuar grupin diplomat ndërmjetësues mes Serbisë dhe Kosovës. Disa vite po zhvillohen biseda të pasuksesshme deri më tani, deri më tani këto bisedime nuk kanë sjellë suksese, faktori ndërkombëtar në krye me Amerikën dhe shtetet e BE, po insistojnë që të arrihen njohjet reciproke”, u shpreh ai.

Më tej, eksperti i sigurisë thotë që Serbia po qëndron pranë Rusisë në këtë kohë lufte pasi po synon ta ketë në anën e saj që ta ndihmojë në lidhje me Kosovën.

“Serbia tani me politikat e saja nacionaliste e duke e pasur parasysh situatën e krijuar të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, ajo po i qëndron pranë politikave ruse, nga e cila po e pret që ta përkrahë Serbinë për çështjen e Kosovës, sepse edhe Rusia gjatë sulmit të NATO-s, nuk e ka kundërshtuar Rezolutën 1244 të OKB-së, por nuk ka marrë pjesë në bombardimin e Serbisë, sikur shtetet anëtare të NATO-s, prandaj Serbia pret nga Rusia që ta përkrahë dhe të kontribuon që Kosova të mbetet si pjesë e Serbisë”, thotë eksperti i sigurisë.

Në bisedë e sipër, ai thotë që Perëndimi po e përcjellë dhe ndihmon Ukrainën në luftën e saj kundër pushtimit rus, dhe po ashtu edhe situata mes Serbisë dhe Kosovës është nën vështrimin e Perëndimit.

“Në situatën e krijuar të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, vëmendja e ndërkombëtarëve të shteteve demokratike është përqendruar te këto shtete, dhe janë në përkrahje të Ukrainës, e cila është duke e mbrojtur territorin e saj nga invazioni rus. E që kjo luftë mund të zgjerohet edhe në vende të tjera qoftë të Ballkanit apo edhe në luftë botërore. Tani kjo situatë luftarake po përcillet dhe po kontrollohet nga të fortit e botës, edhe situata mes Serbisë dhe Kosovës është nën vështrimin e Perëndimit, i cili kohëve të fundit po insiston më shumë që të arrihet një njohje reciproke në kufijtë e tanishëm të dy shteteve”, thekson ai.

Sipas ekspertit Serbia nuk do të ketë zgjidhje tjetër përveçse ta njoh Kosovën.

“Por, të gjitha gjasat janë se Serbisë nuk i mbetet tjetër zgjedhje përpos ta njeh pavarësinë e Kosovës, dhe me këtë t’i kontribuojë paqes në Ballkan dhe udhëtimit bashkë me shtetet e Ballkanit në BE, për të cilin qëllim edhe bota demokratike po angazhohet për një qëllim të tillë të njohjeve reciproke”, nënvizoi Tërnava për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat