Sulmi ndaj policisë në veri / Prokurorja serbe e la në liri sulmuesin – Kjo e shpjegon pse nuk arrestohet Radojçiq

Politika

Sulmi ndaj policisë në veri / Prokurorja serbe e la në liri sulmuesin – Kjo e shpjegon pse nuk arrestohet Radojçiq

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 18 korrik 2022 Në ora: 11:44
Foto nga vendi i ngjarjes

Dy ditë më parë u sulmua sërish Policia e Kosovës, kësaj radhe në Leposaviq, gjatë një aksioni kundër kontrabandës.

Mirëpo, pas sulmit, njëri prej kontrabandistëve sulmues të policisë u lirua nga prokuroria themelore. Këtë e ka deklaruar edhe vetë ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla.

Në rastin e natës së shkuar, pas sulmit të kryer prej kontrabandistëve mbi patrullën e policisë, policët tanë e kryen më së miri operacionin. Të dy kontrabanduesit u ndaluan. Por, u desh edhe ndërhyrja e njësisë speciale për kthimin e tyre. 5 nga policët u lënduan dhe dy prej autoveturave të policisë u dëmtuan. Zyrtarët policor i kanë kërkuar Prokurorisë Speciale të marrë në hetim ngjarjen. Edhe pas këmbënguljes së tyre, Prokuroria nuk u përgjigj pozitivisht. Ndërkohë, prokurorja e prokurorisë themelore e liroi menjëherë njërin prej kontrabandistëve sulmues të policisë”, ka thënë ministri.

Kështu në mbrëmjen e 16 korrikut, në fshatin Jashanicë, komuna e Leposaviqit, përderisa zyrtarët policorë të kufirit kanë vërejtur një kamion i cili dyshohej për kontrabandim mallrash, gjatë tentimit për ta ndaluar të njëjtin, zyrtarët policorë janë penguar. Pesë zyrtarë policor kanë marrë trajtim mjekësor kurse vetura zyrtare është dëmtuar. Pas të gjitha veprimeve ligjore zyrtarët policorë, në fshatin Llazhinë kanë arritur ta ndalin kamionin dhe me këtë rast kanë arrestuar vozitësin e kamionit, personin e dyshuar A.D (1990).

Pas vendimit të prokurores për lirimin e serbit sulmues, a duhet që Këshilli Prokurorial ta pezullojë nga puna prokuroren, e cila e liroi kriminelin serb, që mori pjesë në sulmin ndaj policisë?

Po ashtu kjo e bën të domosdoshëm një veting në gjyqësor, edhe tek prokurorët e gjykatësit serb në sistemin e drejtësisë.

A e shpjegon kjo sjellje e prokurorëve serb në veri, shkakun se pse nuk arrestohet Radojçiq dhe grupi i kriminelëve serb që kërkohen nga drejtësia?

Radojçiq e Veselinoviç, edhe nga politikanët serb pak më të moderuar, shihen si gangsterë, njerëz që përkrahën hapur nga presidenti i Serbisë Vuçiq, për interesa kriminale.

Kështu profesori dhe njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani thotë se, prokuroria duhet të ketë fakte të mjaftueshme për të ngre aktakuzë.

Tërnava: Këshilli Prokurorial duhet t’i hulumtojë veprimet e prokurores, e cila e kishte liruar kriminelin serb

Lidhur me këtë ҫështje ka folur edhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava. Ai thotë se, Këshilli Prokurorial duhet t’i hulumtoj veprimet e prokurores, e cila e kishte liruar kriminelin serb, që mori pjesë në sulmin ndaj policisë.

Image
Hajrullah Tërnava

Nëse konstatohet nga ana e prokurorisë se në ato veprime ka pasur shkelje ligjore, ndaj refuzimit të kërkesës së policisë për marrjen e masave ligjore, atëherë gjithsesi se duhet të merren masa përgjegjëse edhe ndaj Prokurorisë Speciale, të cilët e refuzuan kërkesën e policisë për marrjen e masave. Edhe kjo situatë e krijuar tani në këtë mënyrë, e dëshmon faktin se një ligj si Vettingu është i domosdoshëm, dhe të gjithë ata prokurorë që e mbrojnë krimin e organizuar duhen të përjashtohen dhe dënohen, qofshin ata prokurorë që janë serbë apo shqiptarë dhe të tjerë, sepse institucioni shtetëror sikur i prokurorisë që është i drejtpërsëdrejti në luftimin e krimit në përgjithësi, e sidomos krimin e organizuar, e kur dihet se paguhen edhe më të ardhura të larta financiare, kjo duhet të është edhe arsyeja pse duhen të ndërmerren masat e përjashtimit nga këto institucione të gjithë atyre prokurorëve që nuk e luftojnë krimin e organizuar.

Sipas tij, gjithsesi se duhen të përjashtohen nga këto institucione të prokurorisë, dhe me këto veprime të ndërmarra nga institucioni i prokurorisë, të nxjerrin mësim edhe të tjerët prokurorë për veprimet e tyre.

Me këto veprime të arrihen qëllimet efektive edhe në preventivë, që do t’iu shërbejnë edhe të tjerë prokurorëve, se kush nuk i ndërmerr masat ligjore të luftimit të krimit në përgjithësi, ata prokurorë nuk kanë vend në këto institucione shtetërore”, thotë Tërnava për ‘Bota sot’.

Burjani: Askush nuk duhet të lirohet nga aktakuza pa fakte

Image
Blerim Burjani

Kjo është ҫështje e prokurorisë dhe fakteve që ka apo fakteve që mungojnë, kjo varet nga shumë rrethana, po ashtu nga paraqitja e shumë provave materiale dhe formale, prokuroria duhet të ketë fakte të mjaftueshme për të ngre aktakuzë, kur ka fakte të shumta dhe të përcjella me dëshmi, atëherë nuk ka arsye për mos ngritje të aktakuzës”, vlerëson ai.

Burjani thotë tutje se, askush nuk duhet të lirohet nga aktakuza pa fakte.

Askush nuk mund të lirohet nga aktakuza po pas fakte apo prova që tregojnë se ka materiale që dëshmoj që ndokush mund të jetë përgjegjës , e njëjta vlen edhe për pyetjen që keni ngrit”, thotë Burjani për ‘Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat