“Synon shkatërrimin e Speciales”/ Zbardhet plani i Edi Ramës për shpëtimin e Hashim Thaçit

Politika

“Synon shkatërrimin e Speciales”/ Zbardhet plani i Edi Ramës për shpëtimin e Hashim Thaçit

Nga: P.R Më: 18 korrik 2022 Në ora: 18:54
Edi Rama, Hashim Thaçi, foto ilustrim

Para disa muajsh, gjatë një vizite që realizoi në Kosovë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama paralajmëroi nisjen e një aksioni që t’i dal në ndihmë shokut të tij, ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, të cilin, Gjykata Speciale ndër tjerash e akuzon edhe për vrasjen e anëtarëve të LDK-së.

“Ne jemi duke përgatitur një rezolutë për Kuvendin e Shqipërisë. Do të shkojë personalisht në Strazburg për t’iu drejtuar Këshillit të Evropës për një fakt që po bëhet shqetësues. Është pabazueshmëria totale e raportit të Dick Martit dhe influenca ruse në këtë përrallë të një shtëpie të verdh dhe trafikut të organeve”, kishte thënë Rama, duke mos përmendur farë vrasjet politike që kanë ndodhur gjatë dhe pas luftës.

E sot, Partia Socialiste ka deponuar një projektrezolutë në Kuvendin e Shqipërisë kundër raportit të Dick Marty.

Sipas tekstit të projekt -rezolutës, Kuvendi i Shqipërisë do t’i kërkojë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të realizojë një raport vijues ku do të rivlerësoheshin pretendimet e Martyt.

“Kuvendi i Republikës së Shqipërisë i bën thirrje Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të realizojë një raport vijues (follow up report) dhe si rrjedhojë dhe një rishikim të Rezolutës 1782 (2011), duke rivlerësuar pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse dhe përsa i përket angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë”, thuhet në një nga pikat e draftrezolutës.

Por pas këtij veprimi të partisë së Edi Ramës, ka ardhur reagimi i analistit dhe publicistit Rexhep Shahu, sipas të cilit, Rama po vepron në llogari në Hashim Thaçit.

 

“Edi Rama ka shaluar erën. Ai duke u përfshi në shumë gjëra që nuk i di, ka gabuar dhe tani ka frikë. Ai duke organizuar rezolutë për llogari të Thaçit, e fajëson nga njëra anë Thaçin, pasi nëse nuk do ta fajësonte do të besonte te drejtësia. Rama përzihet në punët e brendshme të Kosovës. Gjykata Speciale që ka marrë Thaçin është gjykatë e Kosovës e ngritur nga parlamenti i Kosovës me indice të Hashim Thaçit”, thotë Shahu.

Sipas tij, Rama po synon shkatërrimin e Speciales.

“Këtë gjykatë Rama don ta shkatërrojë, t’i bëjë presion për llogari të Thaçit. Ndërkohë Rama ka droje të përplaset me Vuçiqin, nuk përplaset me të, dhe për hir të tij ai përplaset me gjithë të tjerët. Rama sillet si mbret i botës, sheh konjuktur sy botërore dhe kalkulon hallet e Serbisë dhe ndaj Shqipërisë sillet si kryeministër i jashtëm ose me korrespondencë”, nënvizon publicisti Shahu për “Bota sot”.

Ai thotë se para se Shqipëria të propozojë rezolutë kundër Martyt, duhet të padiste Serbinë për krimet serbe.

“Rama para se të bëhet avokat pa nevojë i Thaçit, i pafajshmit nuk ka nevojë për avokat, duhej ta padiste Serbinë për vrasjet qe ushtarët e saj kanë bërë në Shqipërinë verilindore Kukës, has Tropojë ku nga minat serbe ne vitet 1998,-2002 kanë vdekë, 53 njerëz e kanë mbetë invalidë 274 të tjerë. Rama të bëjë padi për këto njerëz që mbeten në minat serbe që i vënë ushtarët serbe në territorin e Shqipërisë”, deklaron Shahu.

“Rama të bëjë padi për dëmet ekonomike në bagëti e banesa që shkaktoi Serbia në qarkun e Kukësit. Rama të organizojë rezoluta e padi kundër Serbisë për shqiptarët e zhdukur të Kosovës. Ose të paktën të flasë për këto gjëra më mikun e tij Vuçiq që deklaronte se për një serb ai do të vriste 100 myslimanë. Aksionet politike të Ramës janë hipokrizi e gjallë”, përfundon për “Bota sot”, publicisti Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat