Sulmet kriminale ndaj policisë po i udhëheq Radojçiqi, po i orkestron Serbia!

Politika

Sulmet kriminale ndaj policisë po i udhëheq Radojçiqi, po i orkestron Serbia!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 19 korrik 2022 Në ora: 13:27
Pamje nga sulmi në veri

Sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit janë shpeshtuar. Rasti i fundit ndodhi ditën e diel kur u sulmua Policia e Kosovës nga një kamioni dhe u lënduan pesë zyrtarë policorë.

Policia e Kosovës kishte njoftuar se pesë zyrtarë të saj ishin lënduar gjatë një aksioni kundër kontranbandës me mallra në veri të Kosovës. Përveç të lënduarve, organet e rendit thanë se janë dëmtuar edhe vetura policore.

“Policia e Kosovës, respektivisht Departamenti për Kufi, të shtunën në orët e mbrëmjes, në fshatin Jashanicë, Komuna e Leposaviqit, kanë vërejtur një kamion, i cili dyshohej për kontrabandim mallrash, gjatë tentimit për ta ndaluar të njëjtin, zyrtarët policorë janë penguar nga dy automjete civile”.

“Policia e Kosovës në fillim ka ndaluar një veturë me ngjyre të zezë, targa të panjohura dhe shoferi i saj dyshohet që ishte duke komunikuar në telefon me vozitësin e kamionit. Kamioni i dyshuar me një shpejtësi të madhe ka ardhur në drejtim të veturave dhe zyrtarëve policorë, me qëllim goditjen e tyre dhe me këtë rast, kamioni ka goditur një veturë zyrtare policore. Përkundër të gjitha sinjalizimeve për t’u ndalur duke përfshirë edhe bateritë ndriçuese, i njëjti nuk ka zbatuar urdhrin ligjor të zyrtarëve policorë dhe ka vazhduar me vozitjen”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Gjykata Themelore në Mitrovicë të hënën ia ka caktuar 30 ditë paraburgim sulmuesit ndaj policisë A.D., i cili dyshohet për tre vepra penale, ‘vrasje në tentativë’, ‘kalim i paautorizuar i kufirit’ dhe ‘kontrabandim i mallrave’.

Sipas prokurorisë, i dyshuari A.D. të shtunën në fshatin Llazhinë të komunës së Leposaviqit, ka rrezikuar jetën e katër zyrtarëve policorë, duke shpërfillur urdhrat e policisë për ndalim.

Ndërkohë ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, shprehu dyshimin se pas sulmeve të tilla qëndron Millan Radoiçiq, i cili është në arrati, pasi është i kërkuar nga drejtësia për rastin "Brezovica". Ai është është nënkryetar i Listës Serbe, parti e cila drejtohet nga Beogradi.

Sipas ministrit Sveçla, Serbia po i përdor këto grupe kriminale për ta minuar rendin demokratik në Kosovë.

Shala: Krimi i organizuar në veri është i mbështetur nga shteti i Serbisë

Image
Drizan Shala

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala thotë se krimi i organizuar atje është i mbështetur nga Serbia, e cila me çdo kusht po tenton të krijojë kaos ligjor.

“Sulmet që janë bërë kundër pjesëtarëve të PK-së, po e tregon edhe njëherë faktin që krimi i organizuar është i mbështetur nga shteti i Serbisë dhe që me çdo kusht dhe formë tenton që në atë pjesë të mbizotërojë kaosi ligjor.

Por, për faktin që kemi të angazhuar pjesëtar të PK-së në atë pjesë, të cilët janë proaktiv në luftimin e çdo vepre të mundshme kriminale kjo po ua pamundëson që këto grupe të veprojnë”, thotë ai.

Sipas tij, shteti duhet të shtojë buxhetin sa më shumë në këtë linjë, që Policia e Kosovës, të ketë qasje për të kontribuar qoftë në modernizimin e flotës për veprime speciale operative qoftë edhe përmes avancimit në terren në fushën e mbledhjes së informacioneve për nevojat e policisë në atë pjesë.

“Institucionet në nivelin politik duhet që sa më parë që është e mundur të shtojnë në linjën buxhetore të tyre një shumë edhe më të madhe, e cila do të kishte me u nda si fond për veprime operacionale që Policia do kishte mundur të ketë qasje të pakufizuar në atë fond me të cilin do të kishte kontribuar qoftë në modernizimin e ‘flotës’ për veprime speciale operative qoftë edhe përmes avancimit në terren në fushën e mbledhjes së informacioneve për nevojat e policisë në atë pjesë”, shprehet Shala.

Sipas Shalës, Millan Radojçiq i cili së fundi u paraqit në Kosovë, në veri është ai cili qëndron prapa këtyre sulmeve.

“Veprimet e tilla kriminale në këto ditë në vazhdim pritet të ketë intensitet për arsye që mbrapa tyre qëndron personi më i kërkuar në veri për një mori veprash penale dhe ardhja e tij në Kosovë po jep tani më frytet e saj në aspektin negativ duke kundërshtuar çdo veprim policor në atë pjesë”, deklaron Drizan Shala.

Halimi: Grupet kriminale janë të mishëruara me politikën serbe

Image
Armend Halimi

Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë (ISS), shprehet se derisa po goditen grupet kriminale në atë pjesë edhe sulmet e tilla janë të pritshme.

Ai shton, se situata atje mund të jetë edhe më e komplikuar sepse grupet kriminale janë të mishëruara me politikën.

Çdo herë kur goditen grupet kriminale, janë të pritshme edhe ballafaqimet me to, sidomos kur bëhet fjalë për veriun e Kosovës, zonë në të cilën janë mësuar të mos pengohen.

Andaj, aksionet e Policisë së Kosovës ndaj dukurive kriminale kudo qoftë e ndaj kujt do, duhet konsideruar normale, edhe pse ajo pjesë, pra, për dekada është lënë jashtë normalitetit edhe pritet të ndodhin reaksione nga grupet kriminale. Atje sigurisht situata është akoma më e komplikuar pasi ato grupe janë të mishëruara me politikën”, thotë ai.

Sipas tij, Policia e Kosovës nuk duhet të tërhiqet nga misioni i saj sa i përket luftimit të krimit në atë pjesë, duke shtuar se edhe bashkësia ndërkombëtare i mbështetë aksionet e tilla.

“Por, që Policia e Kosovës dhe institucionet në përgjithësi nuk duhet për asnjë moment të tërhiqen nga misioni i tyre për luftim të kriminalitetit dhe krijimit të ambientit të sigurt.

Përpara është arsyetuar gjendja e pasigurisë atje, pasi çdo tentim për kthimin në normalitet të asaj pjese, i është vesh karakteri etnik, ndërsa edhe vet qytetarët serbë të asaj pjese e kanë të qartë se bëhet fjalë për luftim të grupeve kriminale dhe jo aksione ndaj tyre. Po t’ia shtojmë kësaj edhe faktin se edhe bashkësia ndërkombëtare përkrah aksione të tilla, ato nuk duhet ndalur për asnjë 'arsyetim'”, përfundoi Halimi për “Bota sot”.

Kujtojmë, se vetëm gjatë muajit prill 2022 ndodhën 6 sulme ndaj Policisë së Kosovës në veri.

Sulmi 1 (13 prill) - Bllokohet rruga me 46 iriqë metalikë.

Sulmi 2 (13 prill) - Sulmohet me gurë njësia e policisë kufitare.

Sulmi 3 (14 prill) - Dëgjohen të shtëna rreth 300 metra afër patrullës së policisë.

Sulmi 4 (15 prill) - Patrullat e policisë kufitare janë sulmuar me granatë dore dhe armë zjarri.

Sulmi 5 (16 prill) - Kanë ndodhur dy shpërthime afër veturës së policisë.

Sulmi 6 (26 prill) - Sulmohet me armë zjarri një njësi patrulluese kufitare.

Fatmirësisht, në këto sulme nuk ka pasur të lënduar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat