Hapja e negociatave me BE-në / Shqipëria të distancohet përfundimisht nga projektet serbo-ruse, si “Ballkani i hapur”

Politika

Hapja e negociatave me BE-në / Shqipëria të distancohet përfundimisht nga projektet serbo-ruse, si “Ballkani i hapur”

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 20 korrik 2022 Në ora: 12:58
Foto nga konferenca e hapjes së negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE-në

Pas një mundi dhe sakrifice të madhe, sot në Shqipëri kjo ditë po konsiderohet historike.

Arsyeja është se Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të martën iu hapën zyrtarisht negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Derisa gjatë konferencës për hapjen e negociatave kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se vitet e fundit kanë qenë një sagë e vërtetë, me punë, vlerësime, pritje, premtime të pambajtura dhe rinisje të mundimshme.

“Evropa me vlerat, parimet dhe standardet e saj, është ajo që e bën të mundur një Ballkan tjetër, një Ballkan paqeje, prosperiteti dhe sigurie. Një Ballkan i hapur i katër lirive të BE-së po ashtu. Duke filluar nga sot, bisedimet e anëtarësimit nuk e bëjnë ëndrrën tonë realitet, por e bëjnë realitetin një vend më të mirë për të ndjekur ëndrrën. Ne e dimë se ajo që kemi arritur deri tani është vetëm fundi i fillimit”, ka thënë Rama.

Derisa për këtë rast historik ka pasur edhe përgëzime nga liderët shqiptarë e botëror, duke përfshirë edhe presidentin amerikan Joe Biden.

Por, Shqipëria a do t’i ndihmojë Kosovën dhe shqiptarët gjetiu, pas avancimit të statusit të saj për pranim në BE?

Qarri: Ramës i mungon vullneti për ta ndihmuar Kosovën dhe shqiptarët jashtë Shqipërisë

Image
Gani Qarri

 

Analisti Gani Qarri hapjen e negociatave e sheh si arritje të madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët, por shton se Shqipëria deri këtu erdhi me mund e sakrifica të njëpasnjëshme.

Por, ajo që thekson Qarri është lavdërimi i Borrellit për Ramën, vetëm për përpjekjet e tij për fqinjësi të mirë me Serbinë.

“Hapja zyrtare e negociatave të Shqipërisë me BE-në, është një arritje e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët, ndaj tani kërkohet që edhe progresi në rrugën e negociatave me BE-në, të kthehet në storie suksesi dhe jo të rezultojë si një mision i pamundur.

Në fakt Shqipëria për të arritur deri këtu, është dashur ta kalojë një rrugë tejet të gjatë me mundi e sakrifica të njëpasnjëshme me përpjekje të vazhdueshme, që nga firmosja e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në më 2006, kërkesës së Shqipërisë për vend anëtar të paraqitur zyrtarisht qysh në vitin 2009, aktit të heqjes së vizave për Shqipërinë në vitin 2010 dhe dhënies së statusit të vendit kandidat, Republikës së Shqipërisë nga Komisioni Europian, qysh në vitin 2012, për bllokimin e të cilës, nga shqiptarët, vazhdon të akuzohet hiç më pak se vet Edi Rama me këshilltarët e Fierit.

Është interesant se edhe sot, ditën e hapjes së negociatave me Shqipërinë, Josep Borell, e lavdëroi Ramën vetëm për përpjekjet e tij për fqinjësi të mirë me Serbinë, por jo edhe për reforma dhe progres në drejtësi, në shtetin amë, ku vazhdon të sundojë sistemi një partiak i tij, gjë që duhet urgjentisht të ndryshojë.

Kështu që, fillimisht në Shqipëri duhet të marr fund menjëherë, mënyra moniste e qeverisjes dhe pushtetit njëpartiak duke i dhënë fund edhe qëndrimit autokratik ndaj shtypit dhe kontrollit të gjyqësorit, të ndërpritet lidhja e shtetit me krimin dhe korrupsionin galopant në vend si dhe ti epet fund dhunimit të hapur të votës së shqiptarëve”, deklaron Qarri.

Tutje, Qarri shton se me këtë akt, Shqipëria duhet të kthehet kah vetvetja duke u distancuar përfundimisht nga idetë serbo-ruse e të ashtuquajturit "Ballkan i hapur", sepse ndryshe Serbia do të insistojë edhe më tej, që përmes Edi Ramës, ta bllokojë edhe Shqipërinë, në mes të rrugës.

“Për ta realizuar me sukses, rrugëtimin drejt BE-së, nuk kërkohen më fjalë të mëdha, pa përmbajtje dhe as propagandë pro Serbisë, Aleksandër Vuçiqit dhe ‘Ballkanit të hapur’, por përkundrazi, hapja e negociatave me BE-në, duhet ta kthej Shqipërinë nga vetvetja dhe distancojë përfundimisht nga idetë serbo-ruse e të ashtuquajturit "Ballkan i Hapur" duke iu përkushtuar me të gjithë qenien, ideve integruese dhe ndërmarrjen e reformave të thella e të gjithanshme për përshpejtimin e rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së.

Përndryshe Serbia, do të insistojë edhe më tej, që përmes Edvin Kristaq Ramës, ta bllokojë edhe Shqipërinë, në mes të rrugës, për të mos mbetur e vetmuar dhe pa mbështetës në idetë e saj meskine, të përpiluara "butësisht" nga agjenturat e fshehta serbo-ruse, për kamuflimin e qëllimeve të errëta të saj, sidomos sa i takon Republikës së Kosovës”, shton analisti.

Sa i përket idesë nëse Shqipëria do ta ndihmojë Kosovën, Qarri nënvizon se mbetet të shihet sepse deri tani Rama është dëshmuar se të gjithë përkushtimin e tij, ia ka falur Serbisë, e madje tash e sa vite, është parë hapur se, Ramës i mungon vullneti për ta ndihmuar Kosovën dhe shqiptarët jashtë Shqipërisë.

“Në fakt Shqipëria dhe shqiptarët do të përfitonin shumë politikisht dhe ekonomikisht nga ky proces, por se a është Edvin Kristaq Rama njeriu, me të cilin vërtetë do të përfitojnë shqiptarët, mbetet të shihet për të mos thënë se mbetet pikëpyetje, sidomos për Kosovën, pasi që Rama është dëshmuar se të gjithë përkushtimin e tij, ia ka falur Serbisë, kështu që Shqipëria edhe në situatën e re, me Ramën në krye i cili gjithë energjinë e ka orientuar për ta mbështetur Serbinë, e ka vështirë të bëjë diçka më shumë për Kosovën, përderisa tash e sa vite, është parë hapur se, Ramës i mungon vullneti për ta ndihmuar Kosovën dhe shqiptarët jashtë Shqipërisë”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

Kelmendi: Statusi i kandidatit për Shqipëri e hapë rrugën për ecje përpara të çështjes shqiptare

Image
Muhamet Kelmendi

 

Juristi Muhamet Kelmendi hapjen e negociatave për Shqipërinë e sheh si akt pozitiv për ndërtimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Ai thotë se BE-ja do të angazhohet në sfera të ndryshme.

“Hapja e negociatave në mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian është një akt pozitiv në kuadër të ndërtimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe të hapjes së vendeve të reja të punës, sikundër edhe në fushat tjera me interes.

Besohet se BE-ja do të angazhohet në Shqipëri në disa fusha.

1 Në fushën e punësimit duke investuar në fushën e turizmit, të bujqësisë dhe të industrisë së lehtë.

2. Në fushën e ndërtimit të shtetit të së drejtësisë, sidomos në gjyqësi, në prokurori dhe në organet e luftimit të krimit, si në polici etj.

3. Në fushën e arsimit kompatibil me arsimin në Bashkimin Evropian.

4. Në fushën e kulturës dhe të monumenteve historike që i ka Shqipëria dhe

5. Në fushën e barazisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve, pa dallim feje, gjinie, moshe dhe kombi etj.

Për t’i realizuar pikësynimet që Shqipëria të përgatitet për anëtarësim në Unionin Evropian kërkohet që të bashkëpunohet me organet e shtetit”, thotë ai.

Sipas tij, Shqipëria e ka rastin e mirë për ta ndihmuar Kosovën dhe çamët, po kjo varet sa do të ndihmohet.

“Në këtë anë ka mundësi Tirana zyrtare të ndikojë pozitivisht në çështjen shqiptare, si të Kosovës, ashtu edhe të çamëve, të shqiptarëve në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi.

Sado të ndihmohet? Kjo varet nga puna që bëjnë organet e shtetit në Bruksel dhe në qendrat e ndryshme evropiane. Sa do të angazhohet, pritet të shihet! Por, me këtë status ka mundësi tash më të mëdha për të kontribuuar në çështje të ndryshme. UE do të bashkëpunojë në punë në organet e shtetit shqiptar. Këtu është e përbashkëta në Shqipëri. Besohet se kjo do të shfrytëzohet", përfundon Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat