Kryeministri Edi Rama “argat” i Thaçit e i Vuçiqit/ Ky është kurthi!

Politika

Kryeministri Edi Rama “argat” i Thaçit e i Vuçiqit/ Ky është kurthi!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 22 korrik 2022 Në ora: 20:35
Hashin Thaçi, Aleksander Vuçiq, Edi Rama, foto ilustrim

Cili është qëllimi i Edi Ramës me rezolutën kundër Raportit të Dick Marty-t, a është në vetvete goditja e atij Raporti, që, siç tha edhe presidentja Osmani, është hedhur ‘në plehra’ nga ish-prokurori Uilliamson?

Ku don ta hedhë tash atë raport Edi Rama? Në Këshillin e Europës, ndoshta edhe mund të miratohet si kundër raport i Dick Marty-t, i cili pat dhënë një deklaratë kohë më parë se është i kërcënuar nga Shërbimi Inteligjent i Serbisë.

Por, pavarësisht se cili do të jetë rezultati i kësaj rezolute, thuajse të gjithë besojnë se ai është i motivuar nga qëllimi për lirimin nga burgu, përkatësisht për gjetjen e një rruge, që do t’ia siguronte pafajësinë Hashim Thaçit.

Në vizitën e fundit të tij në Kosovë, Rama e vizitoi familjen e Hashim Thaçit, duke u munduar ta përcjellë mesazhin e pafajësisë së tij. Po ashtu vetëm pak ditë para kësaj vizite, ai e kishte vizituar Thaçin në burgun në Hagë. Në të gjitha rastet duke aluduar në pafajësinë e tij.

Në këtë hulli, edhe analistët me të cilët kemi biseduar e shohin fatin dhe qëllimin e miratimit të Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë kundër Rezolutës së Këshillit të Evropës për Raportin e Dick Marty-t.

Rezoluta është miratuar të enjten në mbrëmje me 125 vota për.

Preqi: Edi Rama me Vuçiqin bën politikë e me Thaçin bën lojë!

Image
Opinionisti Dedë Preqi

Opinionisti Dedë Preqi në një prononcim për “Bota sot” komentoi rezolutën e propozuar nga Edi Rama kundër raportit të Dick Marty-t.

Fillimisht, ai e vlerësoi Ramën si një ‘argat’ të Thaçit dhe Vuçiqit, ku vetëm tani i ka rënë në mend Hashimi dhe po e merr rolin e avokatit të mençur me propozimin e rezolutës kundër Marty-t.

“Kuvendi i Shqipërisë, diskutoi këto ditë për një projekt rezolutë lidhur me pretendimet e raportit të Dick Matyt, që i ngritë kundër UÇK-së, për trafikim të organeve njerëzore në Shqipëri dhe Kosovë, gjatë luftës së fundit të vitit 1998-99.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, është ky një «argat» i Thaçit, apo i Vuçiqit, sikur tani i ka rënë në mendje dhe me dridhje ethësh po i përgjon hapat e Hashimit dhe të tjerëve në Hagë, i cili e ka marrë rolin e avokatit të mençur, duke miratuar me PS-në në Kuvendin e Shqipërisë, një rezolutë kundër Raportit të Dick Martyt, e cila mendohet të jetë pikënisje e përpjekjeve për zhbërjen e gjykatës speciale”, deklaroi opinionisti.

Preqi përmendi faktin se specialja është miratuar nga deputetët në Kuvendin e Kosovës, pikërisht në krye me Thaçin, të cilët duket se ranë në ‘kurth’, pasi tani po kërkojnë të zhbëhet një gjykatë e tillë.

“Megjithatë bëhet fjalë për një gjykatë speciale, e krijuar nga vetë Kuvendi i Kosovës, në krye me Hashim Thaçin, dhe pa miratimin e LVV-së, dhe disa deputetëve të tjerë. Por, pikërisht në këtë kontekst tani fshihet ajo ironia ndaj atyre që e kundërshtuan rreptë një gjykatë të tillë, e cila po kërkohet sot të zhbëhet, por si duket është dikush që këta akterë i futi në këtë kurth për një qëllim të caktuar, por më e keqja e gjithë kësaj është se kjo gjykatë haptas po dallohet si një etnike dhe politike”, theksoi ai.

Në vazhdim, opinionisti foli edhe për tensionet që u krijuan në Kuvendin e Shqipërisë pas propozimit të kësaj rezolute, ku opozita ishte kundër lojërave të Ramës.

Ai këtë e konsideron si një lojë të Ramës, që më shumë po tenton ta rrisë famën e tij politikë se sa ta ndihmojë Kosovën dhe ish-krerët e UÇK-së në Hagë.

“Kuvendi i Shqipërisë, pas një diskutimi të gjatë rreth projekt rezolutës, si ide e Edi Ramës dhe si një trajtim i Kuvendit, mori ‘valë të nxehta’ dhe të pa kontrolluara të deputetëve, me ç’rast deputetët e opozitës dhe vetë Sali Berisha, ishin brenda këtyre kornizave dhe kundër akuzave të raportit të Dick Martyt, ndaj UÇK-së, por ishin edhe kundër lojërave të Edi Ramës, dhe projekteve të mazhorancës, të cilët nuk e dënuan deri më tani gjenocidin e Milosheviqit, ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Edi Rama, më shumë bën zhurmë me politikat e tij «dyfytyrëshe», se bënë ndonjë efekt që i konvenon Kosovës, dhe shqiptarëve, dhe rezolutën e propozuar kundër raportit të Dick Martyt, në lidhje me akuzat ndaj Thaçit dhe UÇK-së, janë vetëm seriale politike, përmes të cilave mund t’ia rriste famën vetës, si një aktor i talentuar politik, të cilit do ti thurte lëvdata edhe Borreli i Evropës, duke i bërë favore Serbisë dhe mikut të tij Vuçiqit”, vlerësoi Preqi.

Mirëpo, ai beson se këtë ‘plan’ Rama nuk e nisi mbarë, pasi në fillim do të duhej të votohej rezoluta për gjenocidin serb në Kosovës, më pas rezoluta kundër raportit të Dick Marty-t.

“Pse Edi Rama, nuk e filloi serialin për së mbari, por ia filloi nga e mbrapshta. Së pari për t’ia dhënë krahun Kosovës, dhe popullatës shqiptare, që në fillim të iniciativës do të duhej që të dënohet krimi dhe gjenocidi i Serbisë së Millosheviqit dhe Vuçiqit, ndaj shqiptarëve të Kosovës, dhe pastaj të merret me propozimin e rezolutave, të cilat janë vetëm «fore» të tija, dhe asgjë më shumë, dhe krerët e UÇK-së, të cilët gjinden në Hagë, nuk janë nën akuzat e Dick Martyt, por për vrasje dhe keqtrajtime të bashkëkombësve të vet”, theksoi opinionisti Preqi.

Ndër të tjera, ai thotë se nuk e di se çfarë dëshiron të arrijë Rama me këto lojëra, që tregojnë më shumë se tradhti kombëtare, ku ai po e vë në lojë një popull të tërë të shqiptarëve.

“Prandaj, me rolin që e luan sot Edi Rama, ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, do të ishte e pamoralshme dhe e panjerëzishme, dhe pa dyshim se lojërat e tilla janë të rrezikshme, duke lozur me fatin e një populli, i cili po persekutohet dhe gjykohet pamëshirshëm nga të gjitha anët, dhe më keq kur kryeministri shqiptar Edi Rama, po i përdor shpeshherë plagët e këtij populli, nëse drekën e ha me ish kryetarin e Kosovës Hashim Thaçi, ndërsa darkën e ha me kryetarin e Serbisë Aleksandër Vuçiq.

Çfarë dëshiron të arrijë Edi Rama me këto episode lojërash, që tregojnë më shumë se tradhti kombëtare, ku autori i kësaj vepre të mirë apo të keqe, po e vë në lojë një popull të tërë të shqiptarëve, për shkak të krijimit të një individualiteti të ashtuquajtur «gjysmak» që për fat të keq, do na quajnë «mjerë ne», me lider të tillë, që nuk çojnë më larg se në plasaritje dhe përçarje kombëtare”, u shpreh Dedë Preqi për “Bota sot”.

Mulliqi: Edi Ramës shumë vonë i ka dal ‘gjumi’

Image
Skënder Mulliqi

Kurse, analisti politik, Skënder Mulliqi në një bashkëbisedim me “Bota sot” thotë se që moti dihej se raporti i Dick Marty-t ishte i rremë, por se u befasua se pse pikërisht Rama filloi të merret tani me të dhe jo më herët.

“Raporti i zviceranit Dick Marty, nga i cili raport u ngrit edhe aktakuza ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së i hartuar para 12 vitesh, dihet se ishte raport i rremë për gjoja transplantim të organeve të jo serbëve në Shtëpinë e Verdhë në Burrel të Shqipërisë. Por shtrohet pyetja ku qëndron problemi tash? Një raport të tillë i hartuar moti, e tash po dëgjojmë se paska qenë i hartuar mbi trillime, që pajtohemi të gjithë, por pse ky reagim nuk u bë kur ishte koha. Natyrisht se Edi Ramës shumë vonë i ka dal ‘gjumi’, nëse ka qellim të mirë, por edhe kjo është shumë e diskutueshme në rrethanat aktuale politike”, deklaroi ai.

Mulliqi u shpreh se është shumë e vështirë ose e pamundur të zhbëhet specialja pasi ka marrë karakter ndërkombëtar dhe se Rama me iniciativat e tij të fundit nuk e ndihmon Thaçin.

Madje, sipas tij kryeministri i Shqipërisë me këtë rezolutë po tenton ta zhvendos vëmendjen nga skandalet korruptive që kanë shpërthyer në qeverisjen e tij.

“Gjykata Speciale është formuar dhe është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës pikërisht me urdhër, të shprehem ashtu të Hashim Thaçit, i cili tash së bashku me të tjerët po gjykohet për krime lufte në Hagë. Dihet se marrëveshjet si kjo për gjykatën speciale pas ratifikimit marrin automatikisht karakter ndërkombëtar, dhe vështirë ose e pamundur është të anulohen si të tilla. Fjalët dhe retorika tashmë gjoja e karakterit kombëtar të Edi Ramës në Kuvendin e Shqipërisë për të sjellë rezolutë kundër këtij raporti, më duket se nuk i ndihmon asgjë Thaçit. Rama e ka mandatin e tretë të qeverisjes të mbushur plotë me probleme, të cilat nuk kanë pasur zgjedhje për dy mandate, dhe tash kjo ngritje e zërit për raportin e Martit sikur shumë po i nevojitet për zhvendosje të vëmendjes nga hajnit dhe nga bartësit e korrupsionit-inceneretorët që kanë marrë përmasa alarmante”, theksoi analisti.

Më tej, ai u shpreh se Rama po tenton ta kthejë autoritetin dhe besimin te shqiptarët e Kosovës pas dy planeve të dëmshme, siç janë shkëmbimi i territoreve dhe Ballkani i hapur.

“Protesta e PD-së sikur e ka alarmuar edhe më shumë Ramën, se fundin e pushtetit nuk e ka larg. Një indikator shtesë që ai po e përdorë për ta kthyer autoritetin e zvetënuar, është pse shumë gjatë është duke koketuar me serbin Vuçiq për temën e shkëmbimeve territoriale, e që për fat nuk piu ujë, dhe për temën e Ballkanit të hapur, që të dyja këto të dëmshme për shqiptarët, Përpjekjet e Edi Ramës gjoja për ta hequr njollën e raportit tendencioz të Marty-t përmes një rezolute në Kuvend, vështirë se e kthen besimin e luhatur te shumica e shqiptarëve të Kosovës”, potencoi Mulliqi.

Krejt në fund, analisti tha se duke parë afërsinë e Ramës me Vuçiqin dhe bashkëpunimin e tyre, vështirë se mund të merret seriozisht iniciativa e tij kundër raportit të Dick Marty-t.

“Të krijosh dypolëshin Rama-Vuçiq dhe të kërkosh diçka diamatralisht të kundërtën e saj, siç është tema e raportit të Marty-t, është jo serioze nga Edi Rama. Nëse Rama mendon vërtetë të kthehet për së mbari se mjaft gjatë po qëndron në rrugën politike proserbe e ruse, duhet të heqë dorë nga ideja për “Ballkan të hapur”, gati e njëjtë kjo ide me botën serbe dhe me botën ruse. Megjithatë kjo iniciativë e socialistëve nuk është shpresëdhënëse për të ndryshuar diçka. Zor se do të këtë ndonjë efekt juridik pasi ne tashmë kemi një gjykatë speciale ndërkombëtare, e cila po trajton rastet e krimeve të supozuara të luftës në Kosovë. Shqipëria, që është anëtare në Këshillin e Evropës që nga vitet e ‘90-ta, ku ishte deri më tash, që nuk i filloi menjëherë procedurat kundër raportit shpifës të Dick Marty-t”, përmbylli Skender Mulliqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat