“Një gjë e tillë nuk mund të realizohet pa luftë!”/ Kelmendi zbulon planet e Serbisë për Kosovën – kërkon ndihmë nga SHBA-të

Politika

“Një gjë e tillë nuk mund të realizohet pa luftë!”/ Kelmendi zbulon planet e Serbisë për Kosovën – kërkon ndihmë nga SHBA-të

Nga: A.M Më: 22 korrik 2022 Në ora: 23:02
Foto ilustrim - "Bota sot"

Ditë më parë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, bëri të ditur se ka dështuar takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel.

Kryenegociatori i Kosovës në dialog me Serbinë, tha se përkundër paralajmërimeve për takim të nivelit të lart gjatë muajin korrik, Serbia po tenton të sabotojë procesin e dialogut, rrjedhimisht edhe fillimin e diskutimeve për marrëveshjen finale.

E në lidhje me refuzimin e Beogradit për bisedime, ka folur profesori dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi.

Ai për “Bota sot” tha se nuk pritej diçka më mirë nga ‘krimineli’ Vuçiq, ku kjo tregon edhe karakterin kriminal të shtetit serb.

“Refuzimi i takimit nga krimineli Vuçiq (nga krimineli nuk pritet ndonjë gjë e mirë) me palën kosovare, duke u mbështetur në qëndrimin e Kosovës: "Zbardhja e fatit të personave të zhdukur me dhunë", tregon karakterin kriminalo-gjenocidial të Beogradit”, deklaroi profesori.

Sipas Kelmendit, nuk pritet gjë tjetër nga Serbia, përveç një tentative tjetër për ripushtim të Kosovës.

Këtë synim, ai tha se e kanë vendosur edhe në Kushtetën e tyre, e që një gjë e tillë nuk mund të realizohet pa luftë.

“Nuk ka rast në shkencën e kriminalistikës, brenda dhe jashtë, që tregon se personat e zhdukur janë zhdukur me vullnet, përveç me dhunë terroriste dhe gjenocidiale.

Refuzimi i një kërkese të tille është e dëmshme për vetë shtetin serb, sepse kështu tregohet se ky shtet nuk ka hequr dorë nga dhuna dhe terrori gjenocidial.

Dhe, natyrisht se nuk pritet gjë tjetër, kur dihet se Serbia synon ripushtimin e Kosovës me dhunë, si më herët, para LPB dhe pas LDB, duke masakruar me mijëra veta. Këtë e ka të sanksionuar në Kushtetutë, e ky synim pa luftë nuk mund të realizohet kurrë”, theksoi ai.

Profesori mbështeti qëndrimin e palës së Kosovës për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë.

“Qëndrimi i Prishtinës në çështje të tillë është i drejtë. Nuk duhet të ikë nga ky qëndrim, sikundër edhe nga njohja reciproke dhe reparacionet e luftës.

Serbia nuk është përgjigjur për gjenocidet e bëra.

Të zhdukësh mbi 15 mijë njerëz, rreth 1500 fëmijë, 20 mije veta t’i përdhunosh dhe t’i dëbosh me dhunë mbi 1 milion shqiptarë, si dhe mos të përgjigjesh, kjo nuk shkon dhe nuk duhet ta pranoj këtë gjë Republika e Kosovës”, u shpreh Kelmendi.

Ndër të tjera, ai tha se Beogradi duhet të përgjigjet për krimet e luftës derisa kërkoi nga SHBA, BE dhe Anglia që të marrin masa ndaj shtetit serb.

“Kosova nuk ka çka të humb më shumë, Beogradi duhet të përgjigjet.

I takon BE-së, Anglisë e SHBA-ve të bëjnë presion mbi Beogradin, në mënyrë që ky shtet kriminal të largohet nga rruga e dhunës dhe terrorit kriminal.

Paqja me këtë shtet dhe me klikën nefashiste serbe, të udhëhequr nga Vuçiqi, kurrë nuk mund të realizohet. Klikat e tilla e njohin vetëm forcën”, përmbylli Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat