Maqedonia hapi negociatat me BE-në / A do ta kthejnë nderin e humbur shqiptarët – ky mund të jetë skenari i radhës!

Politika

Maqedonia hapi negociatat me BE-në / A do ta kthejnë nderin e humbur shqiptarët – ky mund të jetë skenari i radhës!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 23 korrik 2022 Në ora: 08:02
Foto nga hapja e negociatave Maqedoni-BE

Zhvillimi i Konferencës Ndërqeveritare të martën në Bruksel shënon edhe fillimin e procesit të bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për anëtarësimin e tyre në BE.

Drejt Brukselit, ka udhëtuar një delegacion i qeverisë shqiptare, i kryesuar nga kryeministri Edi Rama, së bashku me kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ku u pritën nga Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Europian.

Sipas zyrës së shtypit të kryeministrisë në Tiranë, në konferencën e përbashkët në Bruksel, Presidentja e KE, Ursula von der Leyen u tha tre kryeministrave: Petr Fiala, të Çekisë, vendit që ka presidencën e BE, Dimitar Kavacevskit të MV dhe Edi Ramës të Shqipërisë se ata kishin” treguar durim strategjik me bollëk."

"Ky është një moment historik, ky është suksesi juaj si qeveri, i qytetarëve dhe popullit tuaj që keni punuar kaq shumë për të arritur këtu dhe keni treguar jashtëzakonisht shumë përkushtim për vlerat tona,” citohet të ketë thënë në Bruksel Presidentja e KE, Ursula von der Leyen.

Në lidhje me këtë janë deklaruar edhe Rama e Kovaçevski, të cilët u shprehen se për asnjë moment nuk kanë hequr dorë nga BE pasi sipas tyre nuk ka rrugë tjetër veç Bashkimit Evropian.

Por shtrohet pyetja nëse do të mund të përfitojnë shqiptarët në Maqedoni nga hapja e negociatave të saj të anëtarësimit në BE?

Muhamedi: Shqiptarët në pjesën më të madhe, u dirigjuan në mënyrë diskursive në mënyrë jo të menduar nga të tjerët, nga maqedonasit

Image
Nijazi Muhameti

 

Në lidhje me këtë temë Nijazi Muhameti nga Maqedonia për “Bota sot”, ka thënë që hapja e negociatave i jep një dinamikë më pozitive dhe konkrete rrugëtimit të Maqedonisë.

Gjithashtu thekson që duhet pasur kujdes nga rreziku që mund ta turbullojnë vizionin historik të shqiptarëve si komb.

“Hapja e negociatave, edhe si koniunkturë e brendshme politike e parlamentare, por edhe si koniunkturë (rrethanë) që i jep një dinamikë më pozitive dhe konkrete rrugëtimit të Maqedonisë drejt zhvillimit më konkret të procesit të integrimeve europiane, përbën një moment pozitiv edhe për maqedonasit dhe më substancial edhe për shqiptarët, ndaj ana shqiptare e painformuar, nuk duhet ta problematizojë nën shtysën e përpjekjeve të jashtme që bëhen për ta vënë opinionin shqiptar, këtu e gjithandej. Nën dirigjimin diskurziv (spinave, e jo vetëm) të autorëve të atyre përpjekjeve me sherr, të cilat, përveç ndaj shqiptarëve në Maqedoni të Veriut, kanë në fokusin e tyre të vënë në konfuzion të madh dhe dezintegrues faktorin brenda shqiptar, por ta pështjellojnë edhe ecjen integruese drejt Europës të Shqipërisë e Kosovës. Por, edhe më thellë të turbullojnë vizionin historik të shqiptarëve si komb dhe krejt qëllimi i atyre qendrave që në memorien historike tonën kanë qenë ndërzhbërësit territorial të kombit shqiptar dhe që përfituan as përfituan në dëm tonin nëpër valët fataliteteve historike. Që na ndoqën, nga brenda dhe nga jashtë, tash janë përqendruar që të na turbullojnë edhe shikimin edhe udhën e tërësuar kombëtare për t'u rikthyer në Europë, dhe në radhë të parë të na ngushtojnë sa më tepër edhe vendin tonë që duhet ta kemi në Europë, dhe prej këtij ngushtimi të vendit, të pasojë edhe cungimi i protagonizmit tonë gjeopolitik, kultural, ekonomik si komb”, shprehet Muhamedi.

Ai bën thirrje që shqiptarët të rirreshtohen, që të kapin fijet e kombëtarësisë dhe që njerëz të dijshëm e kompetentë, t’i marrin në duar fatet e kombit.

“Me këtë dua të them se ne, jo vetëm me këtë rast të ne shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, reflektimet rreth integrimit duhet t'u zhdrivillojmë nga një optikë e horizont më integral në rrafsh kombëtar. Në këtë drejtim kemi, mjerisht, shumë të meta, shumë endje boshe, të pafrytshme, një ecje me fije të holla konvergjence të shikimeve kombëtare me dije e kompetencë, që duhet të na mbajë të mbledhur drejt objektivit madhor kombëtar”, shpjegon ai.

Ndërsa, sa i përket raporteve bullgaro-maqedone thotë që shqiptarët në pjesën më të madhe u dirigjuan në mënyrë diskursive në mënyrë jo të menduar nga të tjerët.

“Sa i përket raporteve bullgaro-maqedone, të cilat nuk janë definuar vetë nga pakët në marrëveshjen e tyre bilaterale, dhe që tash duhet të zbatohen me përpikëri dhe pa zhagitje, shqiptarët në pjesën më të madhe, u dirigjuan në mënyrë diskursive në mënyrë jo të menduar nga të tjerët, nga maqedonasit, nëpërmes tyre u bënë edhe hamalla të diskurseve të tyre kundër interesave legjitime bullgare jo vetëm në rrafshin bilateral, por edhe në atë gjeopolitik e gjeostrategjik ,duke hyrë në një kurth që mund të dëmtonte edhe interesat shqiptaro-bullgare për hir të huaj”, thotë tutje ai.

Më tej, Muhamedi tha se duhet të përfshihen në çdo fushë shqiptarët pasi hapja e negociatave do të thotë të përfitojnë edhe shqiptarët.

“Ky status i bullgarëve që parasheh Platforma duhet të konstitucionalizohet përmes futjes në preambulë të komunitetit bullgar, dhe në pjesën normative të kushtetutës, në dispozitën për "bashkësitë etnike" dhe të drejtat që dalin prej asaj përfshirjeje .Në këtë pjesë normative të gjithë janë përfshirë përgjithësisht, si lakra, pa parametra të veçanësuar për definimin e tyre sipas realiteteve empirike në të cilat përshtrihen realisht.

Në pjesën normative mungojnë edhe shqiptarët me emrin e vet dhe me emrin e gjuhës së vet. Pra, shqiptarët mungojnë, janë ta paqenë në pjesën substanciale të kushtetutës, e kjo është pjesa normative. Kjo duhet kuptuar se për riartikultim juridiko-kushtetues të statusit të shqiptarëve, për të cilin mund të merret ky opurtinitet (rrethanë) që u hap me këtë rast nga Platforma frënge, e miratuar nga UE, është me një dimension më të gjerë në disa parametra, që nuk zgjidhet vetëm me kthimin e emrit të gjuhës shqipe në atë pjesë, por duhet ndërhyjë në pjesën thelbësore të definimit të qartë dhe të njëjtësishëm të dy gjuhëve zyrtare: maqedonishtes dhe shqipes, dhe gjuhëve të tjera si gjuhë minoritare”, thekson ai.

Në bisedë e sipër, ai tregon që në Maqedoni ka 3 universitete, 4 katedra të gjuhës shqipe dhe se atyre tash u takon që t’i kundërvihen nderit të rrëzuar në Kushtetutë, të gjuhës shqipe.

“Çka duhet bërë, kjo tashmë është bërë një pyetje që ne shqiptarët e kemi banalizuar në këtë kohë. Ne këtu në Maqedoni kemi 3 universitete, 4 katedra të gjuhës shqipe, sa departamente të sociologjisë, të juridikut, dhe atyre tash u takon ndera dhe angazhimi që të ndryshojnë nderën e rrëzuar në Kushtetutë të gjuhës shqipe, të integritetit të identitetit kolektiv gjuhësoro-kultural të shqiptarëve dhe të dinjitetit të tyre politik”, nënvizoi Muhamedi për “Bota sot”.

Kelmendi: Statusi shteteformues i shqiptarëve në Maqedoni e siguron barazinë kombëtare

Image
Muhamet Kelmendi

 

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, duke folur profesori Muhamet Kelmendi.

Ai u shpreh se populli shqiptar në Maqedoninë e Veriut nuk është shtetformues dhe nuk janë popull i barabartë me bullgaro-maqedono-sllavët.

“Shqiptarët në Maqedoni nuk janë të barabartë as me maqedonët sllavë dhe tash as me bullgarët. Shqiptarët hynë në grupin e qytetarëve që janë mbi 20%. Populli shqiptar në Maqedoninë e Veriut nuk është shtetformues dhe nuk janë popull i barabartë me bullgaro-maqedono-sllavët. Nuk di se ku është logjika e subjekteve politike shqiptare, përkatësisht e tre përfaqësuesve të lartë të popullit, të z.A. Ahmeti, të z.M. Thaçi dhe të z. Z. Sela. Kur pranuan që bullgaro-sllavet të futen në Kushtetutë e shqiptarët mbeten jashtë, pa përcaktim juridiko-kushtetues”, u shpreh ai.

Më tej, profesori thotë që është dashur që para këtij statusi të kushtëzohet Shkupi me status shtetformues të shqiptarëve, siç bënë bullgaro-sllavët.

“Politikanët shqiptarë kështu nuk kuptohen. Çka mund të realizohet tash kur Maqedonia e Veriut e fitoi statusin e vendit kandidat? Momenti ishte që shqiptarët të bëhen shtetformues. Është dashur që para këtij statusi të kushtëzohet Shkupi me status shtetformues të shqiptarëve, siç bënë bullgaro-sllavët. Kjo iku. Natyrisht, se pa këtë status, mbetet përsëri një punë e madhe e parealizuar, ajo e statusit shtetformues të shqiptarëve në Maqedoni të Veriut. E kjo mund të realizohet, kuptohet nëse shqiptarët punojnë dhe e bëjnë temë të punës dhe të bashkëpunimit me partitë maqedonosllave dhe bullgare”, tha profesori.

Pa shqiptarët nuk mund të integrohet Maqedonia e Veriut, nënvizoi ai.

“Pa shqiptarët nuk mund të integrohet Maqedonia e Veriut. Pikërisht këtë nuk e kanë kuptuar tre përfaqësuesit e partive politike shqiptare. Nuk ecet me elemente thjesht të interesit individual. Koha nuk e pret kthjelljen e tyre. Rëndësia e statusit shtetformues shprehet në shumëfishim. Që nga gjuha, si dhe deri te përfaqësimi në institucionet e shtetit, në ekonomi, në kulturë, në ushtri, në polici, në prokurori e gjykata, kudo bëhet barazimi. Pa status nuk ka barazi”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat