Skema e pengmarrjes/ Zbulohet pse Berisha u shpall non-grata nga Britania: Ky personalitet botëror “ka gisht”!

Politika

Skema e pengmarrjes/ Zbulohet pse Berisha u shpall non-grata nga Britania: Ky personalitet botëror “ka gisht”!

Nga: A.ZH Më: 23 korrik 2022 Në ora: 13:11
Sali Berisha

Ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, është shpallur “non grata” edhe nga Britania e Madhe.

Në një konferencë për media, të mbajtur dje, Berisha ka thënë se Home Secretary ka marrë vendimin për moslejimin e hyrjes së tij në Mbretëri të Bashkuar me arsyetimin se ai ka lidhje me të krimit të organizuar dhe kriminelë dhe për korrupsion dhe pasurimin e tij.

Sipas profesorit universitar dhe analistit të çështjeve politike Enver Bytyçi, ish-kryeministri ka mundur të heshtte, por bëri publik lajmin me një qëndrim parimor e burrëror.

Image
Enver Bytyçi

“Sali Berisha njoftoi shqiptarët se Forin Offici britanik e ka shpallur atë të padëshirueshëm. Ai mund të heshtte, sepse britanikët një ditë më parë garantuan se nuk do të bëjnë publik emrat e sanksionuar. Por Berisha nuk heshti. U tha shqiptarëve, PO, unë kam marrë njoftimin se jam i padëshirueshëm në Britaninë e Madhe. Bërja publik e këtij fakti nga vetë i dëmtuari është një qëndrim parimor, burrëror, i prerë dhe transparent. Por nuk po ndalem në këtë aspekt.”, ka thënë Bytyçi në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Sipas profesorit, me shpalljen e Berishës “non-grata” edhe nga Britania, po dëshmohet se Perëndimi nuk e dëshiron rikthimin e Berishës në pushtet, përkundër përkrahjes popullore më 7 korrik.

“Mbretëria e Bashkuar ka marrë një vendim në solidaritet me aleatin e saj strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fakt vendimi britanik u mor pak me vonesë, pas 7 korrikut. Pritej që shtetet demokratike të tërhiqeshin nga sanksionet ndaj ish-kryeministrit Berisha pas kësaj date, kur u pa qartë se shqiptarët e mbështesin atë fuqimisht për ta rrëzuar nga pushteti Edi Ramën dhe regjimin e tij. Por ndodhi e kundërta. Pas kësaj date dhe kur sondazhet zbuluan faktin që Sali Berishën e mbështesin 600 mijë shqiptarë, erdhi ky lloj sanksionimi. Kjo do të thotë se bota perëndimore nuk dëshiron rikthimin e Berishës në pushtet!”, është shprehur Bytyçi.

Ai më tej ka analizuar shkakun pse u sanksionua Berisha, edhe pse, sipas indeksi i korrupsionit është më i madh në qeverisjes e Ramës se sa që ishte gjatë kohës së Berishës.

“Të gjithë ne pyesim pse ndodh kjo? Duam të dimë se si është e mundur të sanksionohet një ish kryeministër i larguar prej gati dhjetë vitesh nga pushteti. Dhe nëse përdorim metodën shkencore të krahasimit në vlerësimin e ngjarjeve, fenomeneve dhe personazheve, të duket absurd se pse shpallet non-grata Sali Berisha dhe jo Edi Rama. I bërë ky krahasim në pikëpamje metodike shkencore zbulon faktin se kryeministri aktual i Shqipërisë ka mbështetur me dhjetëra socialistë kriminelë, vrasës, trafikantë dhe grabitqarë që ata të bëhen deputetë, ministra dhe të drejtojnë shtetin shqiptar, gjë që Sali Berisha nuk e ka bërë. Nëse shohim raportet ndërkombëtare të korrupsionit dhe nivelin e tij në Shqipëri në mënyrë të krahasuar, atëherë del se indeksi i këtij korrupsioni është shumë më i përkeqësuar në periudhën e qeverisjes së Ramës sesa të Berishës”, ka vlerësuar Enver Bytyçi.

Analisti ka krahasuar edhe skandalet në të dy periudhat, duke thënë se ajo e Ramës ka kaluar çdo limit. Sipas profesorit, për raporte të mira me miqtë, nuk duhet të jesh patriot.

“Nëse krahasojmë skandalet që kanë ndodhur në të dy periudhat, atëherë shohim se këto të sotmet kanë kapërcyer çdo limit në dimensionin hapësinor dhe kohor. Nëse shohim raportet e Këshillit të Lartë të Kontrollit të Shtetit, atëherë rezulton se paratë publike janë shpërdoruar njëqind fish me shumë me Edi Ramën sesa me Sali Berishën. Nëse numërojnë tenderët sekretë, me të cilët bëhet korrupsioni, atëherë del se raporti është 1:100 në përkeqësim nga Edi Rama! Megjithatë sanksionohet Sali Berisha”, ka thënë më tej Bytyçi.

Teksa ka analizuar shkaqet e shpalljes së Berishës të “padëshiruar”, profesori ka potencuar se për raporte të mira me miqtë, nuk duhet të jesh patriot.

“Njerëzit me logjikë bëjnë një analizë racionale: Çfarë më thotë mua analiza? Së pari, ta kesh mirë me aleatët, qofshin këta dhe perëndimorë, nuk duhet të jesh patriot. Është e ndaluar që vendet e vogla, sidomos ne shqiptarët të prodhojmë patriotë! Kjo shihet prej tyre si barut i thatë në zjarrin e konfliktit ballkanik. SHBA-të, Britania e Madhe e ndoshta edhe ndonjë tjetër, e kanë më të lehtë të detyrojnë shqiptarët të shesin atdheun, sesa serbët të pranojnë realitetet ballkanike të krijuara pas 10 qershorit 1999. Është sikur kur godet një gozhdë në beton e nuk e çon çekiçi. Ia ndërron vendin dhe gjen një zonë të bitë, ku gozhda ngulet më lehtë! Kjo po ndodh. Sali Berisha është betoni, me të cilin nuk hyn gozhda”, është shprehur ai.

Sipas tij, ndërkombëtarët mbështesin politikanë të formatit të Ramës e jo si Berisha, Kurti apo Osmani, që “janë beton dhe nuk ecën gozhda mbi trurin e tyre”.

“Së dyti, në antitezë me atë çfarë thashë më lart, ndërkombëtarët mbështesin politikanë të formatit të Ramës, të cilët në këmbim të mbajtjes së pushtetit bashkëpunojnë deri te opsionet e cenimit të sovranitetit e integritetit të territorit shtetëror e kombëtar. Mjafton që kjo të jetë interes i ndërkombëtarëve. Është e vërtetë se edhe Albin Kurti dhe Vjosa Osmani nuk kanë marrëdhënie aq të ngushta me administratën amerikane e me atë britanike. Sepse janë beton dhe gozhda nuk ecën në trurin e tyre. Salli Berisha është simbolika e kësaj kategorie të politikanëve patriotë shqiptarë. Nëse bie Berisha, atëherë do të bien një nga një të gjitha kullat e tjera të qëndresës”.

Bytyçi ka shkruar më tej, duke akuzuar manjatin George Soros, se “ka gisht” në këtë vendim.

“Së treti, unë i besoj faktit se në vendimmarrje ka ndikim Sorosi dhe organizata të tjera liberale e globaliste. Këto nuk e duan sovranitetin shtetëror, sepse kjo i pengon në realizimin e interesave për ta sunduar botën në mënyrën se si duan më të fuqishmit! Sado pak bëhen pengesë. Po ju jap një shembull: Amerikanët i kërkuan Berishës të pranojë ujgurët e Guantemalës dhe ai mori disa, më duket se katër prej tyre. Por aty ishin dhjetëra ujgurë. Berisha nuk i pranoi të gjithë, sepse në këtë rast Shqipëria do bëhej tabelë qitje e terrorizmit. Pranoi katër për solidaritet me SHBA-të, në shenjë miqësie. Po ashtu pranoi 200 muhaxhidinë iranianë të opozitës iraniane. Por nuk i pranoi të gjithë. Gjithsej ishin 3000. Më pas Edi Rama i mori edhe ata 2800 të tjerët. Berisha mori 200 në shenjë respekti për Amerikën, për t’i thënë se “Po ne jemi aleatë”! Por nuk rriskonte interesat e vendit të tij. Rama nuk e ka problem as sovranitetin e Shqipërisë, as jetën e shqiptarëve! Pse duhet ta ketë këtë problem dikush tjetër, kushdo qoftë ai, edhe aleatët e Shqipërisë?!”.

Ndërsa, së fundi, Bytyçi ka përmendur skemën e pengmarrjes, që sipas tij, po luhet në Shqipëri.

“Së katërti, në kushtet kur të mëdhenjtë kanë interesa praktike në Shqipëri, ata tolerojnë regjime autoritare dhe kleptokratike, pra qeveri që vjedhin dhe grabisin buxhetin, taksat dhe pasuritë e vendit që drejtojnë. Këtë e tolerojnë madje shpesh herë me dëshirë. Që t’ua regjistrojnë shkeljet ligjore dhe t’i mbajnë peng gjithë jetën. Kjo formulë bën që sa më shumë i korruptuar të jetë një regjim, aq më shumë është i marrë peng nga të fuqishmit. Sa më peng të jenë ata, aq më shumë rrinë në pushtet! Korrupsioni prodhon pengmarrje, pengmarrja prodhon jetëgjatësi në pushtet! Kjo skemë po luhet në Shqipëri. Të shohim si do të shkojë!”, ka theksuar Bytyçi për “Bota sot”.

Berisha është shpallur “non-grata” kohë më parë edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat