Gjykata Speciale e tha: S’ka të bëjë me raportin e Dick Marty, kjo është arsyeja e arrestimit të Thaҫit dhe të tjerëve; ҫfarë po përpiqet të bëjë Edi Rama?

Politika

Gjykata Speciale e tha: S’ka të bëjë me raportin e Dick Marty, kjo është arsyeja e arrestimit të Thaҫit dhe të tjerëve; ҫfarë po përpiqet të bëjë Edi Rama?

Nga: H.O. Më: 25 korrik 2022 Në ora: 06:48
Ilustrim/Bota sot

Publicisti dhe njohësi i ҫështjeve politike, Idriz Zeqiraj në një intervistë dhënë për ‘Bota sot’ ka folur edhe për tentativat për të penguar punën e Gjykatës Speciale. Ai tregon se kujt i konvenon kjo nëse, mbesin pa u ndriçuar vrasjet politike.

Zeqiraj thotë se disa muaj më parë, në të gjitha sondazhet e bëra, rezultonte se tej 85 % e shqiptarëve kërkonin dënimin e krimit dhe ndëshkimin e kriminelëve. SHIK-u, si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale, ka mobilizuar shumë qindra agjentë të tij, që nga Kosova, Shqipëria, e deri në Amerikën e largët, për ta ndryshuar këtë opinion, gati, gjithëshqiptar. Dhe, vërtet, paraja po shpërndahet bollshëm, për ta penguar funksionin normal të Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë.

Image
Idriz Zeqiraj

“Në mënyrën më të poshtër e kriminale, jo vetëm se anashkalohen e mohohen vrasjet politike, por, edhe po sulmohen dhe denigrohen edhe familjet e viktimave, se, kinse, "po shpifin kundër komandantëve, për të siguruar azil evropian dhe përfitime tjera"! Së fundi, është zgjuar "lugati" Edvin Rama, i cili, në vend që të merret me hetimin dhe zbulimin e disa dhjetëra vrasjeve të ushtarakëve dhe të veprimtarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë, brenda territorit shqiptar, gjithnjë, në koordinim me "komandantët" e Kosovës, që nga viti 1997 e deri në verën e vitit 1999, ai është angazhuar në pengimin, deri në zhbërje të Gjykatës Speciale! Rama, hipokrizisht e dëshpërimisht, paralajmëroi përgatitjen e një rezolute kundër senatorit zviceran, Dick Marty. Mërsin Katuçin dhe katuçët tjerë, personalisht, i njoh qysh gjysmë-shekulli më pare”, thekson ai.

Zeqiraj thotë më tutje se ‘"komandantët" pa ushtarë të LPK-së, kishin një ushtrimore ushtarake në Fullqet të Klosit, në Mat. Atyre u duhej një shtëpi e izoluar, si ajo e Katuçëve, kryesisht, për burg të improvizuar, në atë zonë, për sakatosjen e kundërshtarëve politikë. Ishte gabimi fillestar i Katuçëve, sigurisht me urdhër të "komandantëve", kur një komision hetimi, u prit me refuzim kontrolli, lëshuan edhe qentë dhe sulmuan e përzunë, me mjete rrethanore, komisionin në fjalë. Kështu ngjallën një dyshim, krejt të panevojshëm’.

“Të gjithë maskarenjtë e kriminelët, e përsëris, që nga Kosova, Shqipëria, e deri në SHBA, janë bashkuar, për ta penguar hetimin dhe zbulimin e vrasjeve politike, të cilat, tashmë, janë faktike. Së fundi, vetëm Fatmir Limaj, e ka pranuar se "vrasjet politike kanë ndodhur, realisht. Dhe, këto vrasje janë kundra-kombëtare e anti-shtet". Përveç PAN-it, me SHIK-un e tij, që janë të akuzuarit e drejtpërdrejtë, tashmë janë bashkuar edhe horrakë nga LDK-ja dhe LVV, duke u bërë pjesë e krimit, në përpjekjen për t`i rehabilituar dhe amnistuar kriminelët. Raporti i Dick Matry-së, për transplantim dhe trafikim organesh, nuk është fare objekt akuze, aktualisht, në Gjykatën Speciale në Hagë, kundër të akuzuarve atje, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Realisht, Carla del Ponte, më parë, dhe Dick Marty, më vonë, kanë botuar librat e tyre, për krimet vrastare të kundërshtarëve politikë shqiptarë, pikërisht, nga disa komandantë. Dhe, ato, tashmë, janë faktuar nga vetë shqiptarët, të cilat vazhdojnë të denoncohen, përtej dy dekadave me radhë, në mediat e shkruara, vizive, digjitale, në të gjithë botën shqiptare. Prokurori amerikan, Clint Williamson thotë se, "jo Rezoluta e Dick Marty-së, POR KA DIÇKA TJETËR", thekson Zeqiraj.

Sipas tij, "këto janë vrasjet politike të kundërshtarëve politikë". Disa komandantë badintër, me bandat e tyre, kanë vrarë ushtarakët luftëbërës të FARK-ut të Ibrahim Rugovës; veprimtarët e LDK-së dhe kuadrot e hershëm të LPK-së, thjesht, për të gëzuar pushtetin e pamerituar dhe, rrjedhimisht, për para, pasuri! Hoshtapleri, mashtruesi, Edvin Rama, po bënë një mjegullnajë, duke futur në "lojë", një rezolutë, që, tashmë, vet Gjykata Speciale e ka hequr nga tavolina.

“Sepse, ka fakte të tjera të bollshme, për krime makabre, me dëshmitarë, kryesisht, shqiptarë. Mosndriçimi i vrasjeve politike, u konvenon, së pari, kryerësve të këtyre krimeve, me bandat dhe subjektet e tyre politike, përfitues nga krimet e bëra. Në sytë e botës, shqiptarët do të konsiderohen si mbrojtës të krimeve dhe të kriminelëve, sepse shumësia e vrasjeve politike, ka vazhduar edhe pas luftës dhe varret masive të këtij kontigjenti, shtrihen anekënd Kosovës. Të ekzekutuarit politikë, nuk janë as 100 dhe as 200, por janë disa qindra. Disa syresh që kërkohen jashtë Kosovës, ata janë, me varr ilegal, në tokën dhe ujërat e Kosovës! Gjykata Speciale shihet si e vetmja shpresë e mundësi, për të dëshmuar se shqiptarët nuk janë cuba malesh e kriminelë masiv. Hetimi dhe ndriçimi i vrasjeve politike, është provë e shans i shqiptarëve, për të dëshmuar se "krimi ka emër" dhe nuk mund të përgjithësohet as me UÇK-në dhe as me popullin e Kosovës”, vlerëson publicisti Zeqiraj.

Tutje ai thotë se kanë kaluar tre çerek-shekulli nga Lufta e Dytë Botërore, kur partizanët e filosllavit Enver Hoxha, i vrisnin atdhetarët shqiptarë prapa shpine, për ta marrë pushtetin me dhunë. Pas luftës, organizonin gjyqe farsë, ekzekutonin, burgosnin, internonin, përjetshëm, kundërshtarët politikë, për ta mbajtur, dhunshëm, pushtetin e pamerituar. Pra, ishte një fashizëm tipik, që sundoi e shkretoi për afro gjysmë shekulli radhazi. Partizanët shqiptarë luftën çlirimtare, e konvertuan në luftë civile.

“Prandaj, edhe pse ishin, të paktë, teorikisht, në anën e Aleancës fituese, nuk gëzuan reparacionet luftës! Pikërisht, këtë model instruktimi e praktikuan Sigurimsat e Enverit, tek "komandantët" e Kosovës. Skema e gatshme funksionoi gjatë dhe pas luftës, me eliminimet fizike të qindra kundërshtarëve politikë dhe do të vazhdonte me fashizmin e Enverit, nëse nuk do të ishin ndërkombëtarët brenda Kosovës. Tashmë, Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, pranohet nga vendorët dhe ndërkombëtarët, si e vetmja mundësi, për t`i prangosur kriminelët vrastarë e korruptivë. Kjo meritë u është njohur edhe Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Këlyshëria e tyre, me krime nëpër këmbë, vazhdojnë të bredhin të lirë. Aktivizimi i tyre i skajshëm, për pengimin, deri në zhbërjen të Gjykatës Speciale, nuk është halli për shefat e tyre të prangosur, por, mbrojtja e vetvetes, sepse "e kanë mizën pas veshit"! Procedurat burokratike, të kësaj Gjykate, janë zhgënjyese. Lukunia e avokatëve zhvatës e kriminelë të pangopur ekonomikë, për ta zgjatur mandatin e tyre kriminal, kërkojnë të pamundurën: identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur, duke i ekspozuar ndaj rrezikut hakmarrës me jetë të tyre. Pelegrinazhi, si në "Haxh", i vizitorëve, në burgun e Schëeningenit, është një marrëzi shtesë dhe mungesë serioziteti, që rivret viktimat e krimit politik, lëndon familjarët e tyre dhe shqiptarët njerëzor, të kudondodhur”, thotë Zeqiraj për ‘Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat