Ndërhyrja në hetimet e Speciales / Vjen “goditja” ndaj Ramës – hidhen dyshime të mëdha ndaj Klosit!

Politika

Ndërhyrja në hetimet e Speciales / Vjen “goditja” ndaj Ramës – hidhen dyshime të mëdha ndaj Klosit!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 26 korrik 2022 Në ora: 11:01
Fatos Klosi, Edi Rama dhe të akuzuarit e Hagës

Zbardhja e vrasjeve politike është një nga çështjet që tash e sa vite ka dështuar të bëhet.

Mosfunksionimi i duhur i institucioneve të drejtësisë ka ndikuar që disa nga vrasjet t’i kalojnë edhe dy 2 dekada, dhe autorët e këtyre vrasjeve ende nuk dihen dhe nuk janë ndëshkuar as dorasit as porositësit.

Viteve të fundit, familjet e të vrarëve politikë shpresën për zbardhjen e vrasësve të familjarëve të tyre po e gjejnë te Gjykata Speciale.

Mirëpo, këto ditë me propozim të Ramës në Kuvendin e Shqipërisë u votua rezoluta kundër raportit të Dick Marty-t.

Kjo nismë e Ramës po cilësohet si tentativë për shpëtimin e mikut të tij, Hashim Thaçi.

Vlen të përmendet, se në vrasjet e pasluftës ka pas akuza kundrejt Fatos Klosit, ish-udhëheqësit të SHISH-it.

Madje, ish-kryeministri Sali Berisha disa herë e ka hapur rastin e vrasjeve politike dhe duke akuzuar hapur edhe drejtues të SHIK-ut (SHISH-it) në Shqipëri, për përfshirje në vrasje apo edhe në organizim të tyre.

Berisha e ka akuzuar disa herë Fatos Klosin, i cili ka udhëhequr me Shërbimin Inteligjent të Shqipërisë.

Kështu, marrë parasysh këto deklarata mund të dyshohet se në një të ardhme të afërt edhe mund të ftohet Klosi nga Specialja.

Musliu: Edi Rama, si zakonisht, ka manipuluar dhe instrumentalizuar Kuvendin e Shqipërisë për qëllime dhe përfitime politike

Image
Skënder Musliu

E lidhur me këtë çështje në një prononcim për “Bota sot” foli juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.

Fillimisht, ai tha se Edi Rama e di mirë që Specialja nuk është miratuar shkaku i pretendimeve për trafikim të organeve, pasi që këtë e ka hedhur poshtë edhe prokurori amerikan Clint Williamson.

“Ditë më parë, me iniciativën e Edi Ramës, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi Rezolutën destinuar kundër Raportit të Dick Martit për Kosovën, që e kishte miratuar Asambleja e Këshillit të Europës, i cili u bë shkas për formimin e Gjykatës Speciale të Kosovës me seli në Hagë.

Preteksti për miratimin e kësaj Rezolute, sipas Edi Ramës, ishte se UÇK-ja nuk ishte marrë me trafikimin e organeve të qenieve njerëzore, siç pretendonte Dick Marti. Mirëpo, Edi Rama e di shumë mirë se gjykata speciale nuk është formuar për trafikimin e organeve, sepse kjo ide është hedhur poshtë nga ish Kryeprokurori amerikan Clint Williamson dhe se nuk përmendet në asnjë aktakuzë të personave që gjinden në paraburgim në Hagë. Kjo na jep të kuptojmë se Edi Rama, si zakonisht, ka manipuluar dhe instrumentalizuar Kuvendin e Shqipërisë për qëllime dhe përfitime politike, në dobi të shokut të tij, Hashim Thaçit”, deklaroi juristi.

Sipas tij, rezoluta kundër Dick Martyt është pamflet politik i Ramës, pasi këto janë përpjekje për ta shpëtuar Thaçin dhe jo për ta mbrojtur UÇK-në.

“Kjo Rezolutë është një «pamflet» politik pa kurrfarë argumente dhe bazë juridike, sepse Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale janë formuar për t’i gjykuar vrasjet e kundërshtarëve politik, ushtarakëve të FARK-ut, burgosjet arbitrare, keqtrajtimet mizore, eliminimin e dëshmitarëve ….etj. nga «Shtabi i Rognerit», e jo për trafikim të organeve.

Miratimi i kësaj Rezolute si dhe vizita e Edi Ramës në Hagë, janë përpjekje, jo për ta mbrojtur UÇK-në, por për ta shpëtuar Hashim Thaçi nga dënimi me burg. Mirëpo, këto veprime janë të kota, sepse i vetmi fakt që mund t’i shpëtojë të akuzuarit nga dënimi, është pafajësia dhe vetëm pafajësia, asgjë tjetër”, theksoi Musliu.

“Edi Ramës nuk i intereson pafajësia, por shpëtimi i Hashim Thaçit dhe vazhdimin e projektit për ndarjen e Kosovës”

Në vazhdim, juristi konsideroi se mënyra më e mirë e Ramës për ta ndihmuar drejtësinë është t’i zbardhë vrasjet politike që ndodhën në shtetin e tij.

Ai tha se këto vrasje u bën nga ‘Shtabi i Rognerit’, ku pa logjistikën dhe bashkëpunimin e ngushtë të Fatos Klosit nuk do të ndodhnin ato.

“Si po duket, Edi Ramës nuk i intereson pafajësia, por shpëtimi i Hashim Thaçit dhe vazhdimin e projektit për ndarjen e Kosovës dhe “Ballkanin e hapur”.

Mënyra më e mirë për ta ndihmuar drejtësinë Edi Rama, është t’i zbardhë vrasjet politike që ndodhën në territorin e Shqipërisë, kur partia e tij ishte në pushtet, bëhet fjalë për Ahmet Krasniqin, Ali Ukën, Ilir Konushevcin, dhe jo vetëm. Këto ekzekutime nuk kanë mundur të ndodhin nga askush tjetër, përpos nga “Shtabi i Rognerit” dhe Shërbimit informativ të Shqipërisë. Sepse pa logjistikën dhe bashkëpunimin e ngushtë të Fatos Klosit, i cili në atë kohë ishte në krye të SHISH-it dhe Shtabit të Rognerit, nuk do të ndodhnin këto vrasje”, nënvizoi ai.

Krahas kësaj, Musliu tha se “Shtabi i Rognerit” në vend se të punonte për Kosovën ata merreshin me kontrabandimin e armëve për përfitime personale, vidhnin ‘Fondin vendlindja thërret’ dhe 3%.

“Fatkeqësisht, “Shtabi i Rognerit”, në vend që të punonte në organizimin e rezistencës popullore dhe luftës në Kosovë, ata merreshin me kontrabandimin e armëve për përfitime personale, e vidhnin «Fondin vendlindja thërret» dhe “3%” me çka u pasuruan, bënin listat famëkeqe për vrasjen e kundërshtarëve politik me qëllim ardhjen e tyre në pushtet. Dhe pikërisht kështu ndodhi, pas luftës po këta erdhën në pushtet, lulëzuan korrupsionin dhe krimin e organizuar, bashkëpunuan me strukturat kriminale serbe në Veri të Mitrovicës dhe në fund përfunduan si bosët e mafisë politike”, potencoi ai.

“Kërkesat e opozitës për një lloj kontrolli apo llogaridhënie të Gjykatës Speciale janë të rrezikshme”

Më tej, juristi konsideroi se Fatos Klosi duhet të ftohet në Gjykatën Speciale në cilësinë e të dyshuarit, sepse pa lejen dhe ndihmën e tij nuk do të ekzekutohej Ahmet Krasniqi, dhe jo vetëm.

“Kam bindjen se, pas përfundimit të procedurës paraprake, respektivisht me fillimin e proceseve të rregullta gjyqësore kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve, Fatos Klosi duhet të ftohet në Gjykatën Speciale në cilësinë e të dyshuarit, sepse pa lejen dhe ndihmën e tij nuk do të ekzekutohej Ahmet Krasniqi, dhe jo vetëm, kurse ish kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano do të duhej të ftohet si dëshmitarë. Prandaj bashkëpunimi i shtetit shqiptar me gjykatën speciale është i domosdoshëm për ndriçimin e disa vrasjeve politike”, shpjegoi Musliu.

Sipas tij këto sjellje, rezoluta, vizita etj., janë pamaturi politike.

“Miratimi i kësaj Rezolute nga Kuvendi i Shqipërisë, vizita e Edi Ramës dhe zyrtarëve të lartë të institucioneve të Kosovës në Hagë, manifestojnë pamaturinë politike, sepse janë në kundërshtim me parimin e ndarjes së pushteteve, dhe ajo çka është më me rëndësi, është se këto veprime, sipas gjykimit tim, gjykata speciale mund t’i konsiderojë si ndërhyrje në drejtësi, që është kundërproduktive për proceset gjyqësore ende pa filluar”, deklaroi ai.

Ndër të tjera, ai tha se tentativa për kontroll të Speciales është e papranueshme dhe e rrezikshme, prandaj këtyre tentativave nuk duhet t’iu nënshtrohen institucionet e Kosovës.

“Po ashtu edhe kërkesat e opozitës për një lloj kontrolli apo llogaridhënie të Gjykatës Speciale nga ndonjë “organ mbikëqyrës”, është tejet e papranueshme dhe e rrezikshme, prandaj këtyre tentativave nuk duhet t’iu nënshtrohen institucionet e Kosovës, sepse pikërisht për shkak të ndërhyrjeve dhe vënien e drejtësisë nën kontrollin nga politikanët e papërgjegjshëm, është formuar gjykata speciale jashtë Kosovës. Me këtë rast duhet theksuar se prokuroria dhe gjykatat janë organe të pavarura dhe të subordinuara në vete dhe çdo ndërhyrje paraqet shkelje të rëndë të Kushtetutës, në veçanti me gjykatën speciale.

Po përmendi se, gjykata speciale me seli në Hagë, është gjykatë me rregulla dhe procedura të veçanta, për të cilat është dashur të ndryshohet edhe Kushtetuta e Kosovës e votuar nga Kuvendi i Kosovës, prandaj reagimet kundër kësaj gjykate janë të papranueshme”, përfundoi Skënder Musliu për “Bota sot”.

Burjani: Shqipëria asnjëherë nuk është angazhuar për hetimin e rasteve të vitit 1998-99

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, juristi Blerim Burjani në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” tha se këto raste duhet të hetohen nga autoritetet shtetërore në Tiranë, pasi Shqipëria nuk obligohet nga specialja për një gjë të tillë.

“Kjo është çështje e Shqipërisë dhe autoriteteve shtetëror, nuk e besoj se kjo gjykatë është kosovare, Shqipëria nuk është pjesë e marrëveshjes kur u themelua Gjykata Speciale, kjo nuk e obligon Shqipërinë”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Burjani tha se niveli i bashkëpunimi të Shqipërisë me Gjykatën Speciale ka qenë vetëm sa i përket ‘shtëpisë së verdhë’.

“Bashkëpunimi ka qenë vetëm inspektimi i shtëpisë së verdhë si e kanë quajt në raportin e Dick Marty-t. Pra, bashkëpunimi ka qenë i orientuar në hetim sepse krerët e UÇK-së janë akuzuar për shtëpinë e verdhë ose janë hetuar vrasjet që kanë ndodhë në Shqipëri”, u shpreh juristi.

Në fund, ai përmendi faktin që Shqipëria ka hezituar të hetojë rastet e vrasjeve gjatë viteve 1998 dhe 1999.

“Do të duhej që ato vrasje të hetohen në Shqipëri, sepse bien mbi juridiksionin e saj. Deri më tash Shqipëria me sa di unë nuk është angazhuar për hetimin e rasteve të vitit 1998-99, as më herët në Shqipëri”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat