‘Furtuna’ e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe/ Vjen një parashikim: Një ‘listë e zezë’ për disa politikanë në Kosovë!

Politika

‘Furtuna’ e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe/ Vjen një parashikim: Një ‘listë e zezë’ për disa politikanë në Kosovë!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 27 korrik 2022 Në ora: 11:46
Flamujt e Kosovës dhe Amerikës

Mbretëria e Bashkuara ka ndërmarrë një ofensivë në rajonin e Ballkanit Perëndimor me qëllim të shkëputjes së lidhjeve në mes të politikës dhe krimit e korrupsionit.

Së fundmi, ishte ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha që u fut në listën e zezë të shtetit britanik.

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, kanë thënë se në muajt në vazhdim do të përdorin një gamë të gjerë të arsenalit britanik për të vazhduar luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Goditjet e nisura

Përmes kësaj deklarate ambasada britanike nuk e përjashtoi mundësinë e hartimit të ndonjë “liste të zezë”, edhe për Kosovën.

Nga Ambasada kanë thënë se kjo është masa e fundit në kuadër të një pakoje veprimesh që kanë për synim promovimin e llogaridhënies dhe dhënies fund të dukurisë së mosndëshkimit në rajon.

Mbretëria e Bashkuar po i rrit përpjekjet tona për të prishur lidhjet në mes të politikës dhe krimit në Ballkanin Perëndimor. Kjo është e fundit në kuadër të një sërë veprimesh që synojnë të promovojnë llogaridhënien dhe t’i japin fund mosndëshkimit në rajon. Në muajt e ardhshëm, ne do të përdorim të gjithë gamën e arsenalit tonë për të vazhduar luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit”, kanë thënë nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë.

Veprime të ngjashme muaj më parë ka ndërmarrë edhe Zyra e Thesarit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku ka sanksionuar një prej figurave kyçe të Listës Serbe, Milan Radojiçiqin, bashkë me disa emra të tjerë të cilët veprojnë në veri të Republikës së Kosovës. Ai akuzohet se bashkë me Zvonko Veselinoviçin janë liderët e grupit ndërkombëtar kriminal serb.

Gjithashtu përmes një urdhri ekzekutiv të nënshkruar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë paralajmëruar sanksione ndaj gjithë atyre politikanëve të cilët promovojnë destabilizim dhe punojnë kundër marrëveshjeve që janë arritur deri tani në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë urdhër ekzekutiv Joe Biden shprehet se “është e nevojshme të bllokohen pronat dhe interesat mbi pronat e çdo personi për të cilin Sekretari i Thesarit, në konsultim me Sekretarin e Shtetit, ka arritur në përfundimin se minon proceset ose institucionet demokratike, apo marrëveshjet ose kornizë rajonale për sigurinë, paqen, bashkëpunimin, njohjen reciproke, ose mekanizmat e llogaridhënies, janë të përfshirë në shkelje serioze të të drejtave të njeriut, apo të përfshirë drejtpërdrejt ose indirekt në korrupsion”.

Por, edhe takimi i mbrëmshëm në Stejt Departament me sekretarin Antoni Blinken, i presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, mund të sjellë një goditje të re për krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Pavarësisht që opozitës dhe analistëve televiziv nuk po ju pëlqen që kjo të jetë në agjendë, duket se kjo është një nga prioritetet e administratës Biden, veçmas për shkak se krimi i organizuar ka krijuar një bashkëveprim me agjendat ruse.

Zogaj: Kryekriminelët në të gjitha vendet ballkanike dihen!
 

Image
Opinionisti Skender Zogaj.

E lidhur me këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli opinionisti Skender Zogaj.

Fillimisht, ai u shpreh se për shkak të krimit dhe korrupsionit të organizuar që ka arritur pikën kulmore, disa shtete të Ballkanit i pret "rrëmuja e stuhishme"!

“Shpallja e luftës kundër krimit të organizuar është proklamata shpresëdhënëse jo vetëm për Kosovën por për të gjithë Ballkanin, i cili po vazhdon të mbetet i trazuar dhe me vuajtje nga më të rëndat që po mbajnë në gjendje të thellë pakënaqësie jetën e të gjithë popujve ballkanikë, që edhe pas daljes nga diktatura komuniste, nuk po mund ta gëzojnë lirinë dhe një jetë mesatarisht të dinjitetshme demokratike dhe mesatarisht të volitshme sociale ekonomike! Kjo në Ballkan po ndodh për shkak të krimit dhe korrupsionit të organizuar që ka arritur pikën kulmore, aq sa disa nga vendet i pret "rrëmuja e stuhishme" dhe shkatërrimet e brendshme nga reagimet qytetare që do të mund të ndodhin nga dëshpërimi”, deklaroi ai.

Mirëpo, Zogaj u shpreh i rezervuar ndaj paralajmërimit të ambasadës britanike, pasi sipas tij tash e sa vite me radhë shtetet e rajonit janë kritikuar për krim dhe korrupsion, mirëpo që nuk ka pasur ndonjë reagim apo veprim konkret nga ndërkombëtarët.

“Shqipëria, por afër saj edhe Kosova, Maqedonia, BeH dhe Mali i Zi, janë jo vetëm të kapura, por të dirigjuara nga krimi i organizuar.

Kjo gjendje është e konstatuar kaherë nga bashkësia ndërkombëtare, e cila pareshtur ka tërhequr vërejtjen se, krimi i organizuar nuk do të tolerohet! Mirëpo, e ka toleruar, nuk ka bërë asgjë prej gjëje, sepse, krimi jo vetëm që nuk është ndalur, por është rritur, standardizuar dhe akomoduar si bateria në aparatin e celularit: kushdo që e ka prekur, iu ka shter mbushja! Strukturat e krimit aktualisht e kanë pushtetin real, nga krerët e shteteve e deri te komunarët, kështu që deklarimet "për goditje të fuqishme kundër krimit të organizuar" janë parodi humoristike qe dy e më shumë dekada, dhe sa më shumë që bëhen deklarata aq më shumë forcohet krimi”, theksoi opinionisti.

Sipas tij, Britania e Madhe dhe bashkësia ndërkombëtare nuk e ka seriozisht luftimin e korrupsionit, se po ta kishte, do të fillonte ndjekjen konkrete të këtyre kriminelëve nga “koka e jo nga bishti”.

“Prandaj, paralajmërimi i Ambasadës britanike se Mbretëria e Bashkuar do të ndërmerr një sërë veprimesh për ndëshkimin e krimit dhe korrupsionit të organizuar në Ballkanin Perëndimor, është vazhdim i farsës së deritashme. Mbretëria e Bashkuar jo rrallë situatën po shikon me syze të diellit dhe, jo rrallë ua ka mbajtur pajën kryekriminelëve, duke i pranuar si palë bashkëpunuese. Të këtillët tash janë bosët e krimit dhe korrupsionit të organizuat që po e vrasin fatin e shtetit dhe të popullit të tyre! Mbretëria e Bashkuar dhe bashkësia ndërkombëtare nuk e ka seriozisht, se po ta kishte, do të fillonte ndjekjen konkrete të këtyre kriminelëve nga koka e jo nga bishti, siç janë ndërmarrë ca veprime kohëve të fundit, kur "në vend të gomarit po i mëshohet samarit"! Kjo nuk është mënyra e duhur e zgjidhjes së problemit”, vlerësoi ai.

Më tej, opinionisti kërkoi nga SHBA-të dhe Britania që të autorizojnë inspektorët e antikrimit ndërkombëtar, që t'i gjejnë dhe të bashkëpunojnë në futjen në pranga të kriminelëve.

“Kryekriminelët në të gjitha vendet ballkanike dihen. Prandaj, Mbretëria e Bashkuar, SHBA-të dhe gjithë bashkësia ndërkombëtare që ka investuar shumë në këtë pjesë të botës, nëse seriozisht duan të ndihmojnë, atëherë nuk kanë nevojë që të përdorin gjithë gamën dhe rrjetin e arsenalit të tyre, por të autorizojnë inspektorët e antikrimit ndërkombëtar, që t'i gjejnë dhe të bashkëpunojë në futjen në pranga të kriminelëve dhe nëpërmjet të gjykatave kompetente t'ua konfiskojnë pasurinë dhe t'i dërgojnë prapa grilave”, u shpreh Zogaj.

Ndër të tjera, ai e konsideroi këtë si mundësinë e vetme të pastrimit të shteteve të Ballkanit nga banditët e drogës, prostitucionit, vrasësit me pagesë, kontrabanduesit e qenieve njerëzore, të strehuarit e rrejshëm politikë, etj.

“Kjo është mënyra e veprimit nëse vendet mike dhe mbrojtëse të demokracisë në Ballkan duan që ta ndihmojnë Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, BeH dhe më gjerë. Kështu vendet mike do ta pastronin edhe vendin e tyre nga banditët ballkanikë të drogës, prostitucionit, vrasësit me pagesë, kontrabanduesit e qenieve njerëzore, të strehuarit e rrejshëm politikë që atje kanë ardhur me dokumente të falsifikuara zyrtarisht etj.

Vetëm kështu mund t'i bëhet goditja e duhur krimit të organizuar, dhe vetëm kjo është ndihma që sot ka nevojë Ballkani”, përfundoi Skender Zogaj për “Bota sot”.

Mehmeti: Pres që në muajt e ardhshëm të ketë figura të larta nga politika në Kosovë të shpallur non grata

Image
Faton Mehmeti

Kurse, analisti politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim për “Bota sot” tha se Amerika dhe Britania e Madhe po synojnë t'i nxjerrin nga jeta politike njerëzit që janë të lidhur me krimin.

“Në Ballkan, në përgjithësi janë klanet e lidhura me mafian ato që kontrollojnë politikën. Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja duket se kanë hartuar strategji për t'i dhënë fund një gjëje të tillë. Non-grata nga SHBA dhe Britania synon t'i nxjerr nga jeta politike njerëzit që janë të lidhur me krimin”, deklaroi ai.

Ndër të tjera, analisti paralajmëroi të shpallen “non-grata” disa figura të larta politike nga partitë opozitare.

“Pres që në muajt e ardhshëm të ketë figura të larta nga politika në Kosovë të shpallen non grata. Kryesisht njerëz nga PDK, AAK dhe Nisma pritet të jenë ata që do të goditën, me mundësi të madhe që pjesë e saj të jetë edhe një ish-zyrtar i lartë nga LDK-ja”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat