Cilat rreziqe po i kanosen Kosovës nga islami politik / Ky është paralajmërimi!

Politika

Cilat rreziqe po i kanosen Kosovës nga islami politik / Ky është paralajmërimi!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 27 korrik 2022 Në ora: 19:16
Foto ilustrim

Një incident i rëndë i ndodhur ditë më parë në një fshat të Podujevës, ka rikthyer vëmendjen e opinionit, se sa është i rrezikshëm islami politik.

Grupet fetare politike që erdhën në mënyrë ‘misterioze’ në Kosovën e pasluftës, kanë shkaktuar një lloj tronditje të brendshme, e të cilën Serbia në mënyrë agresive e ka propaganduar dhe njëkohësisht me aleat të saj, të disa shteteve islamike, kanë ndërtuar struktura të caktuara, për ta ndryshuar imazhin e Kosovës, dhe për ta dëmtuar fatin e shqiptarëve dhe të vet shtetit.

Sulmi në xhami i kryer nga vetë ndjekës të besimit fetar, vetëm për shkak të dallimeve, kur një familje e lëndoi me pasoja të rëndë një imam, siç dëshmohet edhe nga hetimet paraprake, ndodhi për motive politike islamike.

Viktima ishte imami i xhamisë në fshatin Lupqë të komunës së Podujevës, Zeqir Berisha, i rrahur rëndë nga disa persona.

Mirëpo sa është i rrezikshëm islami politik?

Tali: Të kemi kujdes që mos t'i lëndojmë ndjenjat e fetarëve

Image
Driton Tali

Në lidhje me këtë temë ish-këshilltari i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcës, Driton Tali, për “Bota sot”, thotë që politizimi i cilësdo fe në një shoqëri shumë fetare e shumë sektare, është me pasoja fatale.

“Politizimi i cilësdo fe në një shoqëri shumë fetare e shumë sektare, e sidomos në një komb shumë fetar e shumë sektar, është me pasoja fatale. Deri tashti neve, mendoj unë, na ka ruajtur tradita - kultura jonë (qoftë edhe Kanuni) që nuk kemi patur tregjedira për shkak të politizimit fetarë, në këtë rast të islamit politik, duke e marrur parasysh faktin se disa të rinjë shqiptarë të indoktrinuar me islamin politik (qoftë edhe me vehabizëm - selefizëm) veç janë involvuar si në Siri apo në aksione tjera të ndryshme të shëmtuara xhihadiste gjithandej”, shprehet ai.

Sipas Talit, përhapja e fesë ende nuk është ekzagjeruar shumë pasi nuk kemi tragjedi të mëdha.

““Shyqyr" që deri tashti kemi patur vetëm disa aksidente të tilla, pra vetëm sulme fizike ndaj imamëve të ashtuquajtur "tradicionalë" apo gazetarëve e opinionistëve të ndryshëm ose ndaj qytetarëve tjerë. Them "shyqyr" sepse nuk janë zhvilluar përtej. Sidoqoftë, fakti se ende nuk kemi pasur tragjedira të mëdha, të shkaktuara nga politizimi i religjioneve, sikur në vendet tjera, nuk do të thotë se jemi imun, por organet shtetërore dhe shoqëria në përgjithësi duhet të jemi syhapur si në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri e Mal të Zi dhe Luginë, por gjithandej edhe në Mërgatë”, shpjegon ai.

Po ashtu Tali thekson që sado që të jetë fetar të gjithë këtu duhet ta kuptojnë që janë mbi të gjitha shqiptarë dhe duhet pasur kujdes në këtë aspekt.

“Duhet të gjithë ta japim kontributin tonë duke bashkëpunuar ngushtë me organet tona të sigurisë, por edhe me reagimet tona publike (sidomos rrjetet sociale), mirëpo gjithmonë duke patur kujdes që mos të kalojmë në "gjueti shtrigash". Të kemi kujdes që mos t'i lëndojmë ndjenjat e fetarëve. Jetojmë në demokraci ata natyrisht (patjetër) se kanë të drejtë ashtu sikur edhe ne tjerët që nuk kemi koshiencë fetare. Gjithë atyre skeptikëve duhet përmendur Ymer Prizrenin, Papa Kristo Negovanin apo Gjergj Fishtën e Mulla Idrizin. E them këtë se pa marrë parasysh se sa fetar mundet dikush me qenë ai/ajo po aq edhe shqiptar/e mund të jetë”, foli Tali për “Bota sot”.

Kelmendi: Kosova është mbushur me objekte fetare

Image
Muhamet Kelmendi

Ndërsa profesori Muhamet Kelmendi në lidhje me këtë temë u shpreh se janë ndërtuar xhami të shumta. Nuk ka mbetur lagje a fshat pa i ndërtuar objektet të tilla fetare.

Gjithashtu ai cek që ideologjitë e tilla fetare janë shumë të rrezikshme.

“Radikalizmi ideologjik fetar ka marrë hov të paparë në hapësirën shqiptare. Të gjitha ideologjitë kanë shkuar në ekstremitet të lartë. Në këtë kuadër prin ideologjia myslimane me idetë xhihadiste, të cilat kanë krijuar grupe të rrezikshme në hapësirën shqiptare. Këto grupe po paguhen nga grupet ideologjike ekstremiste iraniane, egjptiane, arabe dhe turke. Mbi këtë, janë ndërtuar xhami të shumta. Nuk ka mbetur lagje a fshat pa i ndërtuar objektet e tilla fetare. Prapa, nuk ka mbetur as feja katolike. Edhe ata po ndërtojnë objekte kishtare. Ndërsa, feja ortodokse pravosllave, deri në vitin 1989, ka ndërtuar me dhjetëra objekte kishtare, duke synuar sllavizimin e Kosovës. Ideologjitë e tilla fetare janë shumë të rrezikshme. Sidomos, feja ideologjike myslimane, me ideologjinë xhihadiste, ka marr hovë”, u shpreh ai.

Profesori në bisedë e sipër thotë që organet e shtetit kërkohet të veprojnë në mënyrë të menjëhershme.

“Ata po rrahin qytetarë që kundërshtojnë. Po i futin femrat nën mbulesa, po i detyrojnë njerëzit me shkuar për t’u falur nëpër xhami dhe po i mbushin me urrejtje. Tamam një ideologji tepër antinjerëzore dhe shumë e rrezikshme për kulturën shqiptare, për kombin dhe për shtetin. BIK-u i Kosovës mban përgjegjësi për këtë veprimtari të rrezikshme. Feja myslimane është e kapshme dhe tolerante. Ajo nuk është antihumane dhe e kombit. Organet e shtetit kërkohet të veprojnë. Dëmin më të madh e kanë bërë komunat, të gjitha komunat. Me lejet e dhëna kanë mundësuar ndërtimin e xhamive të shumta. Kosova thuajse nuk ka asnjë çerdhe nëpër fshatrat e veta”, thotë profesori.

Në fund, ai thekson që gjendja e rëndë ekonomike sociale, ka bërë që nëpër xhami të kemi grupe islamike ekstremiste dhe këta po i rekrutojnë të rinjtë dhe të rejat.

“Ndërsa, ka edhe dy xhami nëpër fshatra. Çfarë anomalie! Turpi i kësaj shihet edhe te udhëheqja e BIK-ut. Ata janë shqiptar dhe jetojnë në Kosovë. E din gjendjen dhe kërkojnë xhami edhe në vendet ku fare nuk ka nevojë. Në vend që investitorët të kushtëzohen me shkolla, me çerdhe dhe me ambulanca apo për ndonjë objekt që siguron punë, për lejet e ndonjë xhamie, lejohen ndërtimet. Dhe, gjendja e rëndë ekonomike sociale, ka bërë që nëpër xhami të kemi grupe islamike ekstremiste. Këta po i rekrutojnë të rinjtë dhe të rejat. Disa edhe paguhen. Janë bërë shumë të rrezikshëm dhe agresiv. Shteti duhet të veprojë. Ata nuk duhet të lejohen të veprojnë. Kërkohet të kapen dhe të dënohen për veprime kriminale. Ndërsa, organet komunale nuk duhet lejuar ndërtimin e asnjë objekti tjetër fetar pa bazë. Kosova ka mjaftë objekte të tilla. Koha është për shkencë”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat