Ndizet alarmi i kuq! Kosova e rrezikuar nga radikalizmi! “Ekstremizmi fetar u përhap në mandatin e Hashim Thaçit”

Politika

Ndizet alarmi i kuq! Kosova e rrezikuar nga radikalizmi! “Ekstremizmi fetar u përhap në mandatin e Hashim Thaçit”

Nga: N.SH Më: 28 korrik 2022 Në ora: 10:10
Foto ilustrim

Fakti se radikalizmi fetar islamik, është shumë aktiv e i pranishëm dhe vetëm pret rastin për tu ekspozuar në publik me tërë agresivitetin e vet vehabist, e dëshmoi edhe rasti më i ri i shfaqur vetëm para pak ditësh në njërin nga qytetet më të qeta dhe pothuajse nga të vetmet, që nuk dërgoi muxhahedin në luftërat e huaja fetare të organizatave terroriste, si "Al Nusra" dhe ISIS në Irak dhe Siri.

Kështu shprehet analisti politik Gani Qarri në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Image
Gani Qarri

 

Ai thotë se, rrahja brutale e imamit 60 vjeçar Zeqir Berisha nga Lupçi i poshtëm i cili po vazhdon të mjekohet në QKUK për plagët e marra nga dhuna brutale e vëllezërve të indoktrinuar vehabist, ka ndezur serish alarmin e radikalizmit fetar islamik në Kosovë.

E ky alarm sipas tij vjen 8 vite pas arrestimeve masive të hoxhallarëve ekstremistë, një pjesë e të cilëve edhe sot vuajnë dënimet për nxitjen dhe pjesëmarrjen e të rinjve shqiptarë në luftëra të huaja fetare, duke kthyer kështu serish çështjen e radikalizmit fetar me tërë agresivitetin e vet në vëmendjen e opinionit të brendshëm dhe përfaqësive të huaja në vendin tonë.

“Nga ajo që dihet deri më tani publikisht, përhapja e dukurisë së radikalizmit islamik në Kosovë, është bërë dhe vazhdon të bëhet nga agjentët e Serbisë, me pagesa dhe porosi të drejtpërdrejta nga shërbimet sekrete serbe, përmes grupeve dhe organizatave të ashtuquajtura humanitare, që në fakt janë organizata fetare islamike të udhëhequra nga hoxhallarë dhe agjentë të dyshimtë islamik në shërbim të Serbisë, Turqisë, Iranit dhe shteteve të ndryshme radikale arabe”, thotë ai.

Sipas tij, njerëz të njohur si vehabist në trojet tona shqiptare të cilët marrin ndihma financiare nga organizata të dyshimta islamike, shkaku i të cilëve edhe një studim i vitit 2017, nga Programi për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara dhe Ministria e Brendshme e Kosovës, konkludoi se 72 për qind e qytetarëve të Kosovës, pohojnë se ka probleme me radikalizmin në Kosovë.

Ai shton se, ata që nxitin radikalizmin janë vahabistët dhe islamistët radikal të cilët kanë organizuar edhe dërgimin e të rinjëve shqiptarë për t’iu bashkuar organizatave terroriste si ISIS, Al Nusra etj, në Irak dhe Siri.

“Fakti se Kosova edhe sot vazhdon të jetë e rrezikuar nga radikalizmi islamik, e vërtetoi edhe rasti i rrahjes së hoxhës 60 vjeçar nga Lupçi i Poshtëm i Podujevës, ndaj shteti i Kosovës duhet te veproj shpejt dhe me shumë vendosmëri edhe me këtë rast, për mënjanimin e dukurive të radikalizmit islamik, i cili siç është dëshmuar edhe më herët, mund të jetë mjaft i rrezikshëm edhe për kombin dhe shtetin e Kosovës”, thekson ai.

Ai shton se, ajo që brengosë qytetarët e vendit, është se jo vetëm hoxhallarët por as kryeministri Kurti, presidentja Osmani, kryeparlamentari Konjufca etj, deri më sot, nuk kanë dënuar këtë sulm brutal nga tre vëllezërit llapjan me bindje ekstremiste fetare të vehabizmit, duke e nxitur serish për diskutim edhe një herë rrezikun e radikalizmit fetar islamik në Kosovë dhe ngritur kritika të arsyeshme ndaj organeve të rendit dhe sigurisë për neglizhencën në parandalimin e radikalizmit islamik dhe ekstremizmit fetar në Kosovë.

“Siç dihet radikalizmi dhe ekstremizmi fetar islamik në Kosovë, u përhap dhe zgjerua në të gjitha anët e Kosovës, në mandatin e Qeverisë Thaçi, duke organizuar edhe stërvitjen e qindra të rinjëve, nga imami Zekeria Qazimi & Co, për muaj të tërë në Debellde dhe dërgimin e mbi 300 prej tyre për furnizimin e ISIS-it me luftëtar të rinj, 70 prej të cilëve janë vrarë atje, duke bërë që në sytë e botës, Kosova të duket sa më kriminale”, thotë Qarri.

Analisti pohon se, depërtimi i radikalizmit islamik në Kosovë shpjegohej me faktin se shumë imamë u dërguan të kryenin studimet në vendet arabe, të cilët bënë edhe importimin e ideologjive të huaja radikale dhe sjelljen e rrymave të ndryshme ekstremiste fetare në Kosovë.

“Shkak ishte edhe financimi nga organizata të dyshimta radikale islamike, ndaj siç dihet qysh në vitin 2014 disa prej këtyre imamëve, me kërkesën e Departamentit të Shtetit Amerikan, janë arrestuar nga shteti i Kosovës, për nxitjen e radikalizmit islamik dhe dërgimin e të rinjve shqiptar, në luftërat e huaja në Siri dhe Irak. Por fakti se autoritetet e sigurisë dhe të inteligjencës edhe sot po lejojnë punën e shumë imamëve të dyshimtë radikal nëpër xhami, nënkupton se ata në vazhdimësi mund të nxisin radikalizmin fetar islamik dhe sjellin aktivitete dhune në Kosovë, persona dhe grupe që vazhdojnë të mbështeten nga burime të dyshimta financiare, e të cilat dyshohet se kontrollohen nga strukturat sekrete të BIA-së serbe dhe "GRU"- ruse”, thotë ai.

Qarri tutje shton se, radikalizmi fetar në Kosovë, jo vetëm që është prezent dhe i zgjuar e aktiv, por tashmë ai është shndërruar edhe në temë ekstreme mediatike për shkak të radikalizmit fetar vehabist, ndaj duhet bërë çmos që të rinjtë kosovarë dhe imamët e radikalizuar të cilët ndjekin rrugë të gabuara, të largohen me çdo mënyrë nga islami radikal dhe një kuasi-besim krejtësisht i panjohur për komunitetin tonë fetar, të zhytur në dhunë dhe kthyer në ideologji politike, i cili nuk ka qenë, asnjëherë prezent në Kosovë.

Ndaj duke pasur parasysh faktin se qysh nga viti 2010, në Kosovë ka ra në sy tendenca e forcuar e radikalizmi përmes vehabizmit islamik, ekspertët dhe mekanizmat e sigurisë në Kosovë janë shprehur se radikalizmi, ekstremizmi i dhunshëm dhe grupet e organizuara kriminale janë rreziku më i madh për shoqërinë e Kosovës dhe radikalizmi e fundamentalizmi islamik janë një ndër problemet më të mëdha nga të cilat, ka vite që është e kërcënuar në vijimësi Kosova”, potencon Qarri.

Pasoja këto sipas tij, të cilat mund ta çojnë vendin tonë në izolim edhe më të thellë nga bota demokratike, shkaku i ligjëruesve radikal dhe atyre të cilët predikojnë dhunën dhe terrorizmin.

“Ndaj për luftimin efikas të kësaj dukurie të rrezikshme, autoritet e Kosovës janë detyruar ta votojnë ligjin me të cilin sanksionohet pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja, si dhe ta miratojnë Strategjinë Kombëtare për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit islamik në Kosovë”, thotë ai.

Qarri pohon se, edhe në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, të vitit 2014 mbi luftën kundër terrorizmit në botë, Kosova është vlerësuar si një vend me kërcënim në rritje nga ekstremizmi islamik dhe grupet e organizuara kriminale të cilat edhe sipas ekspertëve vendor të sigurisë paraqesin rrezik potencial për shoqërinë e Kosovës, që kanë insistuar të ruajnë lidhjet më organizata terroriste.

“Prandaj duke qenë se edhe Agjencia Inteligjete e Sigurisë dhe Grupit për analiza të Rrezikut (SIAS), në statistikat për Ballkanin, ka radhitur Kosovën si njërin ndër vendet më të rrezikuara nga terrorizmi islamik, qysh në vitin 2014, policia ishte detyruar të arrestonte një numër të konsideruar personash, pjesëmarrës në grupet ekstremiste, në mesin e të cilëve edhe 12 imamë radikal, një pjesë e të cilëve edhe sot vuajnë dënimet me burg, për parandalimin e veprimeve ilegale dhe terroriste”, shton ai.

Ai tregon edhe si po përhapet kjo dukuri.

“Nga ajo që dihet publikisht deri më tani, përhapja e dukurisë së radikalizmit islamik në Kosovë, është bërë dhe bëhet nga agjentët e Serbisë, me pagesa dhe porosi të drejtpërdrejta nga shërbimet sekrete serbe, përmes grupeve dhe organizatave të ashtuquajtura humanitare, të udhëhequra nga hoxhallarë dhe agjentë të dyshimtë islamik në shërbim të Serbisë, Turqisë, Iranit, vahabistët dhe islamistët radikal të cilët kanë organizuar edhe dërgimin e të rinjëve shqiptar për t’iu bashkuar organizatave terroriste si ISIS, Al Nusra etj, në Irak dhe Siri”, thotë ai.

Qarri tregon se çfarë duhet të bëjë shteti i Kosovës në këtë rast.

“Fakti se Kosova vazhdon të jetë e rrezikuar nga radikalizmi islamik ne përgjithësi, siç e vërtetoi edhe rasti i rrahjes së hoxhës 60 vjeçar nga Lupçi i Poshtëm i Podujevës, shteti i Kosovës duhet të veproj shpejt dhe me shumë vendosmëri edhe me këtë rast, për mënjanimin e dukurive të radikalizmit islamik, i cili mund të jetë mjaft i rrezikshëm edhe për kombin dhe shtetin e Kosovës”, përfundon analisti politik Gani Qarri.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat