Vrasja e heroit Enver Zymberi, krimi që kurrë nuk u zbulua!

Politika

Vrasja e heroit Enver Zymberi, krimi që kurrë nuk u zbulua!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 30 korrik 2022 Në ora: 08:05
Funerali i policit Enver Zymberi

Janë bërë 11 vjet kur njësia speciale e Policisë së Kosovës ROSU kishte ndërmarrë aksionin për t’i futur nën kontroll pikat kufitare në veri të Kosovës, Jarinjë dhe Bërnjak.

Në mëngjesin e 25 korrikut të vitit 2011, ROSU, ishte nisur drejt pikave kufitare në veri të Kosovës në përpjekje për t’i marrë nën kontroll ato.

Por, ROSU hasi në pengesat e serbëve në veri, ku gjatë këtij aksioni nga strukturat ilegale serbe ishte vrarë polici Enver Zymberi.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i ka dhënë titullin “Hero i Kosovës”, Enver Zymberit, me motivacionin “për trimërinë dhe përkushtimin e treguar deri në flijim për vendosjen e sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.

Por, ky krim, vrasja e Zyberit sot e asaj dite kurrë nuk është zbardhur.

Tërnava: Situata në veri është e brishtë

Image
Hajrullah Tërnava

 

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava në një përgjigje për “Bota sot” thotë se në veri ende nuk është zgjidhur situata konfliktuoze që ndodhet atje.

“Politikat e Kosovës duhen të zhvillohen ashtu që në të gjitha pjesët e saj të shtrijë ligjet e saj dhe ta ushtrojë sovranitetin e saj në të gjitha pjesët e Kosovës. Meqë nga paslufta e deri më tani ende nuk janë zgjidhur situata konfliktuoze mes veti e sidomos të njohjeve reciproke, lirisht mund të thuhet se në vazhdimësi ekzistojnë konflikte të herëpashershme mes asaj popullatës dhe policisë së Kosovës, dhe Serbia gjithnjë do të shpif edhe në të ardhmen konflikte të tilla që ta bind faktorin ndërkombëtar se ajo pjesë duhet t’i takoj Serbisë, se edhe ashtu është e banuar me popullatë shumicë serbe, në ato pjesë të veriut, ku kufizohemi me Serbinë”, thotë ai.

Sipas tij, situata atje është e brishtë, duke kujtuar edhe vrasjen e policit Enver Zymberi gjatë një aksioni në Zubin Potok.

“Meqë kanë kaluar tani mbi 22 vite nga çlirimi i Kosovës, dhe prapë ende mund të themi se situata në veri është e brishtë, dhe duhet në mënyrë permanente institucionet e Kosovës të jenë të pranishme në ato pjesë të veriut, ashtu si në tjerat pjesë të Kosovës, megjithatë nëse krahasohet koha e tanishme me atë të kaluarën, e kur e kemi të freskët kujtesën që me 26.07.2011 në një aksion policor në ato pjesë të veriut të komunës së Zubin Potokut, duke u zhvilluar aksioni policor, që kishte për detyrë ta shtrijnë autoritetin ligjor të jetësimeve të ligjeve të Kosovës në ato pjesë të veriut, nga prita grupe nacionaliste kriminale serbe i shkrepën armët në drejtim të policisë së Kosovës, ku i vrarë mbeti polici Enver Zymberi.

kur kanë kaluar 11 vite nga vrasja e policit të Kosovës Enver Zymberit, i cili tani e gëzon epitetin e Heroit të Kosovës, nga institucionet më të larta, ai do të përkujtohet përherë në mënyrë madhështore për çdo vit, dhe tani e tutje të gjithë të rënët gjatë detyrës zyrtare, do ta gëzojnë epitetin e dëshmorëve si njerëz zyrtar në kryerje të detyrave të policisë, e që nga paslufta e deri më tani janë 21 policë të vrarë, gjatë kryerjes së detyrave zyrtare të tyre, prandaj kjo datë do të jetë tradicionale për policinë e Kosovës”, shprehet ai.

Ai më tej, flet për gjendjen aktuale në veri, e cila nuk është e duhura, por që thotë se me disa aksione të Policisë së Kosovës, të ndërmarra atje, njëfarë mënyre po shtrihet ligji i Kosovës edhe në atë pjesë.

Tutje, shton se institucionet e Kosovës, duhet ta përafrojnë popullin atje, dhe të bashkëpunojnë me të, që ata të ndihen si në shtetin e tyre.

“Gjendja në veriun e Kosovës mbas 11 viteve të vrasjes të policit zyrtar, ende s’është në tërësi e kontrolluar ashtu në mënyrë permanente, por megjithatë me u krahasu me ato kohëra të para vitit 2011 dhe tani, gjendja mund të konstatohet më e avancuar, sepse gjatë ushtrimit të kompetencave të kësaj qeverie në tërë territorin e Kosovës e posaçërisht në ato pjesë të veriut të Kosovës, ku tani qeveritarët ditë e për ditë janë më të pranishëm në ato pjesë, edhe policia e Kosovës i ka ndërmarr disa aksione efektive të luftimit të krimit sikur që janë laboratorët e drogës, kriptovalutat, tregtia e palejuar me naftë, e tjera veprime tregtare të pa doganuara, e që në këtë pikëpamje tani vërehet një avancim i jetësimeve të ligjeve të Kosovës, dhe nëse kështu në mënyrë permanente kjo qeveri do ta ushtrojë sovranitetin e saj edhe në ato pjesë të territorit të saj, gjendja do të ndryshohet në të mirë të Kosovës, dhe bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare, të cilat na e garantojnë pavarësinë e territorit të Kosovës, sikur që është KFOR-i si pjesë e NATO-s, prandaj policia e Kosovës gjithnjë duhet të jetë e pranishme në ato pjesë, e sidomos policia vendore komunale e atyre territoreve të asaj popullate dhe strukturat politike të Kosovës duhen ta përafrojnë atë popullatë të veriut në shumë pikëpamje me popullin e Kosovës, duke iu hapur vende të punës apo investime të ndryshme, që ajo popullatë ta kuptoj se Kosova është shteti i tyre, këtij përafrimi kontribut të posaçëm duhet të japin politikanët-qeveritarët e shtetit tonë, me pranitë e tyre në ato territore dhe komunikimet me ato pjesë të popullatës që duhen t’i zhvillojnë, si dhe të marrin pjesë në tubime të ndryshme me atë popullatë dhe t’iu ndihmojnë me problemet dhe pengesat e tyre jetike që iu paraqiten”, përfundoni ai.

Shala: Situata në veri ishte arenë e konflikteve të armatosura

Image
Drizan Shala

Edhe Drizan Shala, ekspert i sigurisë, thotë se pjesa veriore e Kosovës ka qenë arenë e konflikteve të armatosura e që janë mbështetur nga Beogradi.

“Situata e veriut, e cila shumë herë ishte arenë e konflikteve të armatosura në mes të strukturave të sigurisë së vendit dhe grupeve kriminale të mbështetur nga Beogradi ku si rezultat patëm policë të vrarë, të lënduar, por në asnjë formë nuk patë zmbrapsje të strukturave të sigurisë në shtrirjen e autoritetit të tyre në atë pjesë pavarësisht pengesave që ju janë bërë.

Nga viti 2008 deri në fillim të aksionit dhe ri-kthim të sovranitetit në atë pjesë të aksionit 2011 plot 3 vite atë pjesë e kanë monitoruar forcat ndërkombëtare të udhëhequra nga segmenti ushtarak politik francez të cilët në shumicën e rasteve kanë bashkëjetuar me strukturat kriminale në atë pjesë duke mos i penguar në asnjë formë aktivitetet e tyre”, thotë ai.

Sipas tij, ishte pikërisht aksioni i vitit 2011, ai i cili riktheu vëmendjen në atë pjesë që fokusi të jetë në rikthim dhe riintegrim në kuadër të juridiksionit të Kosovës.

Por, ai shton se Policia e Kosovës në veri ka treguar profesionalizmin e tyre duke eliminuar çdo mundësi të keqpërdorimit të aksioneve të tyre nga Beogradi dhe strukturat kriminale të tyre në veri të vendit.

“Pra, aksioni i 2011 apo më mirë ta quajmë "aksioni i sovranitetit" prodhoi një mori veprimesh në terren por edhe në atë politik duke ju mundësuar Kosovës që të fokusohet në rikthim dhe riintegrim të kësaj pjese në kuadër të juridiksionit të Kosovës, më vështirësi por që rezultat po tregojnë që një punë konsekuente e forcave të sigurisë dhe qeverive të Kosovës janë duke dhënë rezultat jo të dëshiruar, por të arsyeshëm.

Situata e sigurisë në atë pjesë gjithmonë është mbështetur nga skemat politike të Beogradit duke penguar dhe tentuar që çdo shtrirje dhe luftim të krimit në atë pjesë të paraqitet si luftë kundër qytetarëve serb, por që në fakt policia e Kosovës ka treguar profesionalizmin e tyre në këtë pjesë duke eliminuar çdo mundësi të keqpërdorimit të aksioneve të tyre nga Beogradi dhe strukturat kriminale të tyre në veri të vendit.

Qeveria e Kosovës duhet që të investoj më shumë në aspektin buxhetor në sektorin e sigurisë duke garantuar qëndrueshmëri operacionale në mbështetje të strukturave të sigurisë së vendit”, nënvizoi Shala për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat