Traktati ushtarak Kosovë-Shqipëri – ka disa armiq

Politika

Traktati ushtarak Kosovë-Shqipëri – ka disa armiq

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 20 gusht 2022 Në ora: 20:21
Ushtar i Kosovës

Kohët e fundit është bërë temë e diskutimit deklarata e presidentes Osmani, për nevojën e një traktati me Shqipërinë.

Këtë deklaratë presidentja e ka dhënë gjatë vizitës së presidentit të Shqipërisë, në Kosovë, Bajram Begaj.

Presidentja Osmani tha se e diskutoi me presidentin Begaj se një traktat i tillë është i rëndësishëm për dy vendet.

“Është me rëndësi që me Shqipërinë, siç e diskutuam, të kemi një traktat për mbrojtje të ndërsjellë, me të cilin në mënyrë reciproke do të reagojmë në rast të cenimit të dy shteteve tona”, ka thënë Osmani në një konferencë të përbashkët për media me Begajn.

Presidentja tha se kjo praktik “është në harmoni me praktikat ndërkombëtare dhe aplikohet nga shumë shtete”.

“Është koha që të bëjmë hapa të duhur në këtë drejtim”, ka thënë ajo.

Kosova, siç tha presidentja Osmani, llogarit në Shqipërinë dhe ajo i tha Begajt se ka besim që nën udhëheqjen e tij do të intensifikohen marrëdhëniet ndërshtetërore.

“Fakti që Shqipëria tashmë është anëtare e NATO-s krijon siguri më të madhe në gjithë rajonin tonë. Në këtë kohë kur po sfidohet arkitektura e sigurisë, siguria është shndërruar në prioritet”, ka thënë Osmani ndër të tjera.

Tahiraj: Shqipëria anëtare e NATO-s dhe Kosova NATO-n brenda, e cila e garanton sovranitetin

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur Saim Tahiraj, veprimtari i hershëm i LDK-së në diasporë, bashkëpunëtorë i ngushtë gjatë luftës në Kosovë i Sali Çekajt.

Image
Saim Tahiraj

Ai u shpreh se çdo marrëveshje dhe nënshkrim i ndonjë traktati pa pajtimin dhe koordinimin e NATO-s do të ishte një gabim i madh dhe dëmtim serioz i interesave tona strategjike.

“Marrëdhëniet ushtarake Shqipëri-Kosovë janë të kushtëzuara dhe nuk mund të bëhen jashtë organizmave ndërkombëtar pjesë e të cilëve janë. Shqipëria anëtare e NATO-s dhe Kosova, NATO-n brenda, e cila garanton sovranitetin e saj, është faktori vendimtarë për çfarëdo traktati. Çdo marrëveshje dhe nënshkrim i ndonjë traktati pa pajtimin dhe koordinimin e NATO-s do të ishte një gabim i madh dhe dëmtim serioz i interesave tona strategjike”, u shpreh ai.

Më tej, veprimtari thekson që në të ardhmen liderët institucional duhet të jenë të matur, deklaratat e tyre t’i analizojnë dhe peshojnë mirë para se t’i transmetojnë për opinion.

“Deklarata të tilla pa konsultime paraprake me partnerët strategjik janë papjekuri politike, të cilat humbin seriozitetin dhe lëkundin seriozisht besimin e aleatëve tanë strategjik. Në të ardhmen liderët institucional duhet të jenë të matur, deklaratat e tyre t’i analizojnë dhe peshojnë mirë para se t’i transmetojnë për opinion sepse dëmi i tyre është i madhë dhe i pariparueshëm”, nënvizoi Tahiraj për “Bota sot”

Mehmeti: Fatkeqësisht, Kosova dhe Shqipëria nuk e kanë një traktat të tillë, është dashur moti kohë të ekzistonte

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa analisti, Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, thotë që është e vështirë të pritet ndonjë gjë konkrete pasi mund të hidhërohet Vuçiqi me Ramën.

“Duke ditur qëndrimet e kundërta të palëve është e vështirë të pritet ndonjë gjë konkrete. Them të kundërta për Edi Ramën dhe Albin Kurtin, një traktat i tillë mund të bëhet vetëm nga qeveritë. Në këtë kuptim, ndonëse shumë i nevojshëm, një traktat i tillë me Edi Ramën në qeveri duket pak i vështirë; pasi do të hidhërohej Vuçiqi me Ramën. Ky i fundit është në gjendje të futet me këdo në konflikt, por jo me Vuçiqin, të cilin e vlerëson më tepër se mik”, thotë ai.

Analisti në fund potencon që me Edi Ramën në pushtet më duket e vështirë arritja e një traktati të tillë.

“Fatkeqësisht, Kosova dhe Shqipëria nuk e kanë një traktat të tillë, është dashur moti kohë të ekzistonte. Një traktat i tillë do bënte dy herë të mendohej Vuçiqi dhe cilido zyrtar serb sa herë që kërcënon Kosovën, me Edi Ramën në pushtet më duket e vështirë arritja e një traktati të tillë, i nevojshëm”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat