“Paguajnë nga 100 euro, qytetarët rrëfejnë se si pajisen me patentë-shofer, drejtësia hesht”

Politika

“Paguajnë nga 100 euro, qytetarët rrëfejnë se si pajisen me patentë-shofer, drejtësia hesht”

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 23 gusht 2022 Në ora: 15:03
Foto ilustrim

Tashmë është bërë thuajse normale pajisja me patentë shofer në Kosovë, pavarësisht aftësive, nëse paguan mirë qoftë ekzaminerin, instruktorin apo të dy së bashku. Nëpër rrjetet sociale gjen qindra rrëfime të qytetarëve se si paguajnë dhe cilat ‘lehtësime’ kanë falë të holla kur hynë në testin praktik apo vozitjen.

Për raste të ngjashme ka pasur deri më tani arrestime të ekzaminerëve, megjithatë ky trend i keqpërdorimeve të tilla vazhdon ende. Kështu, në grupet në rrjetet sociale ky qytetarët mund të marrin informacione të ndryshme rreth pyetjeve të testit teorik, rregullave të reja, termineve e të tjera, haptas qytetarët pyesin se sa duhet të paguajnë për të kaluar më lehtë. Ndërsa, nuk mungojnë as përgjigjet dhe rrëfimet e të tjerëve se si kanë kaluar jashtëligjshëm.

Një nga pyetjet e qytetarëve në rrjetet sociale është si kjo: “Përshëndetje sa duhet me ja jep ekzaminerit për me pagu vozitjen dmth me marr me € vozitjen?”

Ndërsa nuk mungojnë përgjigjet ‘ndihmëse’ nga qytetarët që kanë përvojë të ngjashme.

“Pooo t’ndihmojnë edhe në rrugë tregojnë me gishta të dorës ekzaminerët”; 100 më kanë thanë ama s’po muj me kuptu që kur t’ja jepsh qato pare edhe pse s’dinë mirë me vozit a ka lidhje?!”; “Në Prizren me 70€ kryhet”, këto janë vetëm disa nga përgjigjet e qytetarëve.

Lidhur me këto ҫështje, gazeta “Bota sot” ka kontaktuar Drejtorinë për Krime ekonomike nëse është duke u marrë me raste të tilla e po ashtu edhe Prokurorinë e Shtetit, mirëpo nuk e kanë komentuar këtë çështje.

Po ashtu edhe nga Ministria e Infrastrukturës nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjen e drejtuar nga gazeta.

Musa Limani: Korrupsioni është në nivele të larta të pushtetit lokal e qendror

Image
Musa Limani

Megjithatë këtë temë e kanë trajtuar njohësit e ҫështjeve ekonomike. Kështu, profesori universitar Musa Limani në një prononcim për ‘Bota sot’, i pyetur se si duhet trajtuar nga institucionet ky krim ekonomik? Sa i dëmton qytetarët si nga buxheti ashtu edhe nga aftësia për të qenë shofer profesionist, ai thotë se korrupsioni nuk luftohet me të korruptuar.

“Është shumë e vërtetë për rastin që shkruat, është dukur korrupsioni. Çka është më e keqja, korrupsioni është në nivele të larta të pushtetit lokal e qendror. Përgjigja ime është: Korrupsioni nuk luftohet me të korruptuar”, thekson profesor Limani.

Ndërkaq, njohësi i ҫështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj, thotë se, kjo dukuri negative është evidente.

“Për fat jo të mirë është evidente kjo dukuri negative, ku vazhdimisht dëgjon nga qytetarët që ju kërkohen para (mito), por duhet të jem i sinqertë që edhe qytetarët vet hyjnë në këto lojëra duke ju ofruar mito për t’u pajisur me patentë shofer pa njohuri paraprake, pra pa nda asnjë ditë kohë për të mësuar në lidhje me edukimin e drejtimin e automjetit, pra edhe sipas ligjeve në fuqi si dhënësi dhe si marrësi i mitos ndiqen penalisht”, thekson Kadriaj.

Kadriaj: Organet relevante duhet të hetojnë nëpërmjet përgjimeve

Image
Ndërkaq, njohësi i ҫështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj

Ai thotë tutje se organet përgjegjëse duhet të jenë më vigjilente në këtë drejtim.

“Vlerësoi që organet relevante duhet të jenë vigjilente duke hetuar përmes përgjimeve me qëllim të ndalimit të kësaj dukurie”, thotë ai.

Kadrijaj thotë po ashtu se, aty lulëzon korrupsioni dhe kjo dukuri nuk ndalet pa marrë masa organet kompetente.

“Se sa është evidente vlerësoj, që lulëzon korrupsioni aty, por pa marrë hapa organet kompetente kjo dukuri nuk ndalet dhe duke dhënë dënime kapitale”, tha Kadriaj për ‘Bota sot’.

Gjatë vitit të kaluar ka pasur arrestime të zyrtarëve, të cilët janë marrë me këtë dukuri, duke arrestuar kështu tre të dyshuar për keqpërdorime dhe marrje të patentë shoferit përmes ryshfetit.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve të saja ligjore, në funksion të garantimit të një mjedisi të qetë e të sigurt për të gjithë si dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të personave të përfshirë në aktivitete kriminale. Me vendim të prokurorit nga PTH-Prishtinë personat e dyshuar janë ndaluar për 48 orë”, thuhej në komunikatën e policisë.

Ndërkaq e njëjta dukuri ndonëse vazhdon ende, nuk ka hetime e as arrestime të reja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat