Marrëveshja Kosovë-Serbi/ Çfarë do të ndodhë me shqiptarët e Luginës – a do përfshihen në reciprocitet?!

Politika

Marrëveshja Kosovë-Serbi/ Çfarë do të ndodhë me shqiptarët e Luginës – a do përfshihen në reciprocitet?!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 31 gusht 2022 Në ora: 16:11
Foto ilustrim Bota sot

Kosova dhe Serbia ranë dakord që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve, duke zgjidhur mosmarrëveshjen mbi lëvizjen e qytetarëve.  

Kjo marrëveshje erdhi pas një periudhe tensionesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas vendimit të qeverisë së Kosovës që të zbatojë masat e reciprocitetit për përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave. 

Marrëveshja u arrit gjatë takimeve në Bruksel ndërmjet përfaqësuesve ndërkombëtar, kryeministrti Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Po ashtu, enkas për të gjetur zgjidhje mbi këto marrëveshje, javën që shkoi në Kosovë qëndruan emisarët nga SHBA e BE, përkatësisht Gabriel Escobat e Miroslav Lajçak. 

Tashmë qytetarët e Kosovës dhe ata të Serbisë kufijt përkatës mund t'i kalojnë vetëm me letërnjoftime.

Megjithatë sipas raportimeve qytetarët serbë të Kosovës do të vazhdojnë t`i përdorin edhe dokumentet zyrtare të Serbisë në pikëkalime kufitare. 

Kjo marrëveshje u prit mjaft mirë nga shumica, megjithatë nuk u potencua saktë se a do të ketë reciprocitet edhe për shqiptarët e Luginës, sikurse për serbët e veriut. 

Dihet tashmë, se problemet me të cilat përballën shqiptarët e Kosovës lindor janë shumë të mëdha. 

Kësisoj përfshirja e tyre në reciprocitet do të ishte më se e mirëseardhur. 

Arifi: Kërkojmë që parimi i reciprocitetit të zbatohet në të gjitha fushat 

Nagip  Arifi, kryetar i Bujanocit, përshëndeti  marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet e identifikimit. 

Image
Nagip Arifi

Mirëpo, ai kërkoi që reciprociteti të zbatohet në të gjitha fushat, përshirë edhe shqiptarët e Luginës. 

“Ne e përshëndesim zbatimin e marrëveshjes nga 1 shtatori sa i përket dokumenteve identifikuese, ndërsa kërkojmë që parimi i reciprocitetit të zbatohet në të gjitha fushat”, deklaroi Arifi për “Bota sot”. 

Mehazi: Marrëveshja e qeverisë së Kurtit me Serbinë do ishte e palogjikshme, e turpshme dhe diskriminuese, sikur të mos ishte e vlefshme edhe për shqiptarët e Luginës 

Ndërsa, profesori Sulejman Mehazi, në prononcimin e tij për “Bota sot” tha se marrëveshja për dokumente të identifikimit Kosovë-Serbi është e mirëpritur edhe për shqiptarët e Kosovës Lindore. 

Image
Sulejman Mehazi

Mirëpo, sipas tij nëse kjo marrëveshje është valide vetëm për serbët e Kosovës, kurse për shqiptarët e Kosovës Lindore nuk është valide, atëherë ajo do jetë diskriminuese. 

“Marrëveshja për dokumentet personale në mes Kosovës dhe Serbisë pahamendje është e mirëseardhur edhe për shqiptarët e Kosovës Lindore, themi kështu pasi marrëveshja e qeverisë së Kurtit me Serbinë do ishte e palogjikshme, e turpshme dhe diskriminuese sikur të mos ishte e vlefshme edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, kurse e vlefshme për serbët e Kosovës. Nëse marrëveshja e reciprocitetit të dokumenteve personale është valide vetëm për serbët e Kosovës, kurse për shqiptarët e Kosovës Lindore nuk është valide atëherë kjo marrëveshje e dokumenteve personale do jetë diskriminuese për shqiptarët përtej kufirit të Kosovës që jetojnë në Serbi”, deklaroi profesori. 

Ndër të tjera, Mehazi beson se kryeministri Kurti gjatë marrëveshjes së dokumenteve personale nuk i ka lënë anësh edhe shqiptarët e Kosovës Lindore, derisa siç shprehe ai nëse ka ndodhur e kundërta duhet të ketë një sqarim. 

“Mendojmë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë marrëveshjes së dokumenteve personale nuk i ka lënë anësh edhe shqiptarët e Kosovës Lindore. 

Nëse reciprociteti i letërnjoftimeve nga pala kosovare është valide për serbët e Kosovës, aq duhet të jetë valide edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës nga pala serbe, por për të ditur më mirë e më qartë statutin e marrëveshjes së dokumenteve personale në mes Kosovës dhe Serbisë me rastin e shqiptarëve të Luginës do të ishte mirë që vetë kryeministri, Albin Kurti, të deklarohet para mediave, të tregonte raportin e statutit të shqiptarëve të Luginës në krahasim me reciprocitetin e serbeve të veriut”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”. 

 Burjani: Kryeministri duhet të shtyjë përpara çështjen e Luginës 

Kurse, juristi Blerim Burjani për “Bota sot” tha se reciprociteti duhet të vlejë edhe për shqiptarët e Luginës, njësoj si për serbët e Kosovës. 

Image
Blerim Burjani

 

“Normal reciprocitet duhet të ketë nëse ndiqet rruga e deritashme e zgjidhjeve, pra kjo duhet të vlejë njëjtë edhe për shqiptarët e Luginës”, deklaroi ai. 

Sipas tij, kryeministri Kurti duhet ta shtyjë përpara çështjen e shqiptarëve të Luginës.   

Kryeministri duhet të shtyjë përpara çështjen e Luginës për trajtim 

të rasteve identifikuese, gjithnjë kuptohet në trajtim të njëjtë”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat