Nga deputetët “aksidentalë” deri tek rënia nën hijen e madhe të LVV-së/ Analisti tregon pse e ardhmja e partisë Guxo nuk është shumë premtuese

Politika

Nga deputetët “aksidentalë” deri tek rënia nën hijen e madhe të LVV-së/ Analisti tregon pse e ardhmja e partisë Guxo nuk është shumë premtuese

Nga: M.L. Më: 8 shtator 2022 Në ora: 16:30
Vjosa Osmani, Donika Gërvalla, Faton Peci

Subjekti politik “Guxo” tashmë është bërë me kryesi të re. Donika Gërvalla e Faton Peci janë dy kryetarët e ri të partisë së themeluar nga Vjosa Osmani.

Deputetët këtij subjekti politik janë pjesë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje me të cilët garuan në një listë zgjedhore.

Pikërisht në ditën kur Guxo do të themelonte kryesinë e re, u dha lajmi se deputetja Doarsa Kica-Xhelili do t`i bashkohej Lidhjes Demokratike të Kosovën (LDK).

Në një bisedë me gazetën “Bota sot” analisti Gani Qarri ka komentuar të gjitha zhvillimet e ditëve të fundit rreth partisë “GUXO” dhe të ardhmes së saj politike në vendin tonë.

Image
Gani Qarri

Qarri ka thënë për “Bota sot”, pas marrjes së postit të presidentes, krijuesja “Guxo”, Vjosa Osmani, për shkak të problemeve të trashëguara nga ish presidentët e dyshimtë dhe agjenda e ngarkuar politike nuk pati më kohë ti ofronte as përkushtimin e nevojshëm minimal, anëtarësisë as forcimit dhe zgjerimit të partisë.

“Në fakt partia "GUXO" është grupim i ri dhe i pa profiluar sa duhet politik, madje siç dihet, zhvillimet e kohës imponuan që ajo të krijohej me "urgjencë" dhe ngjarjet rrodhën me shpejtësi të atillë, sa që pas marrjes së postit të presidentes, krijuesja e saj Vjosa Osmani, për shkak të problemeve të trashëguara nga ish presidentët e dyshimtë dhe agjenda e ngarkuar politike, nuk pati më kohë ti ofronte as përkushtimin e nevojshëm minimal, anëtarësisë as forcimit dhe zgjerimit të partisë”, ka thënë Qarri për “Bota sot”.

Sipas Qarrit, ai ka përmendur edhe largimin e deputetes Kica Xhelili duke thënë se kjo dëshmon se bërja politikë në Kosovë nuk është e qëndrueshme.

“Shto kësaj faktin se anëtarë të luhatshëm, jo luajalë, të gatshëm të keqpërdorin mundësitë dhe favoret që u ka ofruar partia duke i ngritur edhe në deputet, të joshur nga lakmia, me premtime, janë të gatshëm që në gjysmë të rrugës dhe momentet më të papritura, në vend se ta ndihmojnë, ta dëmtojnë publikisht partinë që i ka ngritë, duke ndërruar anë dhe kaluar në grupime tjera politike.

Krejt kjo dëshmon se bërja politikë në Kosovë nuk është e qëndrueshme, nuk ka të bëjë me bindje as ideale politike, por me ëndrra dhe tendencë për tu ngritur në kurriz të tjerëve”, është shprehur ai.

Qarri ka thënë se nisur nga e kaluara e zonjës Donika Gërvalla me LDK-në, kalimi i deputetes Kica Xhelili në këtë parti tregon se e njëjta nuk ka hyrë në këtë Guxo për ta çuar përpara partinë.

“Madje duke pasur parasysh se LDK, është partia e luftës më primitive me karrige dhe e tërheqjes zvarrë, në mënyrën më banale të anëtareve femra, si bijën e heroit Jusuf Gërvalla, Donika Gërvallën, kalimi i Doarsa Kicës pikërisht në këtë parti, jo vetëm se është edhe moralisht shumë i dëmshëm por dëshmon katërçipërisht, se ajo është person që thyhet lehtë nga lakmia dhe nuk ka hyrë në politikë për ngritjen dhe çuarjen përpara të partisë e cila ka bërë deputete dhe i ka dhënë emër publik, por për të bërë karrierë e mashtruar me premtime, të cilat mund ti marrë era apo mbeten vetëm në letë”, ka nënvizuar Qarri.

Për Gani Qarrin, është shumë e habitshme se si deputete e deputetë lakmitarë, jo vetëm që nuk kanë qëllime të qarta as synime të sinqerta politike për t’i shërbyer me dinjitet popullit dhe interesave të vendit.

“Ata nuk kanë arritur as të mësojnë nga e kaluara e kolegeve që vepruan me të njëjtën monedhë të famshme manovrimi, se asnjë parti nuk ka besim të plotë, në deputete dhe deputet aksidental që shëtitën nga një parti në tjetrën, dhe më tepër, aty janë, sa për dekor, për ta dëmtuar partinë rivale dhe shtuar numrin e anëtarësisë, ndaj nisur nga përvoja e deritanishme, asnjëri prej tyre nuk kanë treguar pothuajse asnjëherë sukses, cilindo emër që ta marrësh, që kanë kaluar nga një, në një grupim tjetër, në partitë ekzistuese politike në Kosovë”, është shprehur analisti.

Kështu, Qarri ka theksuar se qytetarët e Kosovës, ka kohë që kanë filluar të ndjehen të lodhur e të stërngarkuar nga numri i e madh i partive politike dhe ofertat e vogla e të pa përmbushura asnjëherë prej tyre.

Andaj sipas tij, gjatë gjithë viteve të shtetndërtimit të vendit, partitë e vogla, janë zvogëluar edhe më tepër, madje disa kanë rënë edhe nën pragun zgjedhor e ndonjë tjetër, është buzë rënies.

“Ndaj nisur nga ajo se partia "GUXO", përveçse është parti e vogël dhe e re në veprim, që nga fillimi edhe ashtu ka rënë plotësisht nën hijen e madhe të LVV-së, si dhe lakminë, luhatjen dhe paqëndrueshmërinë e deputetëve aksidental, si Doarsa Kica, me gjithë zgjedhjen e dy kryetarëve të rinj, nuk shohë ngritjen dhe ndonjë perspektivë të “ndritshme” për të ardhmen e këtij subjekti politik”, ka përfunduar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat