Luftë ndaj Serbisë, diplomatike, juridike, kulturore ... pa kursim/ Të goditet imazhi i Serbisë

Politika

Luftë ndaj Serbisë, diplomatike, juridike, kulturore ... pa kursim/ Të goditet imazhi i Serbisë

Idriz Morina Nga Idriz Morina Më 12 tetor 2022 Në ora: 17:17
Kur serbët digjnin veturat në veri

Diplomacia e Kosovës, por edhe të gjitha institucionet politike, madje edhe kulturore do të duhej të përqendroheshin në arritjen e një qëllimi, që Serbia, imazhi i saj të perceptohet fuqishëm, si një shtet, satelit rus, dhe që i mbështet fuqishëm politikat agresive të luftës ndaj Ukrainës.

Këto politika ruse, përveç se janë të dhunshme, kanë një paradigmë të përbashkët me politikat, që ka ndjekur dhe ndjek Serbia, kryerjen e terrorit dhe gjenocidit ndaj tjetrit, një populli fqinj.

Këto politika kriminale e traumatike i kanë përjetuar shqiptarët për gati dy shekuj, nga serbët, po ashtu ishin të fundit që i përjetuan në Ballkan, pas Kroacisë dhe Bosnjës.

Gjithnjë të gjitha këto janë realizuar si projekte paraprakisht, akademike, të institucioneve të shkencës dhe artit, të institucioneve politike dhe atyre kishtare.

Serbia me investime ushtarake sulmuese

Serbia gjatë 23 viteve të pas luftës, e ka ndërtuar një zinxhir kazermash ushtarake rreth Kosovës, me strategji sulmuese.

Shqetësimin ushtarak në SHBA e ka shprehur ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, në takim me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, njëherësh mbikëqyrës i politikave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, z.Gabriel Eskobar.

“Fatkeqësisht, të njëjtën gjë nuk mund ta themi për palën serbe, të cilët vazhdojnë të mos vendosin sanksione për Federatën Ruse, ndonëse po shohin çdo ditë ashtu si e gjithë bota agresionin rus dhe krimin ndaj popullit ukrainas, duke dëshmuar kështu edhe njëherë më e pakta paaftësinë e tyre për t’u shkëputur nga politikat ruse, nëse jo dhe faktin që e kaluara e Ballkanit Perëndimor nuk ka shërbyer për ta për të nxjerrur mësim, për të kuptuar se rendi i ri në Ballkan është i pandryshueshëm, andaj vendosja e 48 bazave ushtarake afër kufirit të Republikës së Kosovës”, ka thënë Meha.

Duke pasur parasysh edhe bazën ruse në Nish, Serbia, realisht duket se në bashkëpunim me Rusinë, dhe mbase edhe me Kinën, të krijojë njëlloj ‘mbrojtje’ nëse jo, si baza sulmues ndaj NATO-s, duke parashikuar procese dhe rrjedha ngjarjesh, gjeostrategjike, për të cilat ne nuk kemi pasur as nuk kemi asnjë informacion.

Por, lufta pushtuese e autokratit Putin ndaj Ukrainës, duket se fatmirësisht, po i çon drejt shkatërrimit këto përpjekje serbe dhe strategji ruso-serbe.

Në ndërkohë, nuk kanë hezituar Qeveria dhe Presidenca, që të fajësojnë Serbinë, por edhe Rusinë për përpjekjet e tyre për destabilizim të Ballkanit. Fatkeqësisht një pjesë e opozitës, qoftë nga frika ruse apo serbe, qoftë nga arsyet e tyre të panjohura, nuk kanë hezituar, që t’i kundërshtojnë këto qëndrime diplomatike të institucioneve tona.

Një platformë?!

Edhe reagimi aktual i ministres së Punëve Jashtme, Donika Gërvalla, që BE-ja po bën shumë pak ndaj Serbisë, e cila po bashkëpunon hapur, përfshirë marrëveshjen e bërë në OKB, Rusi-Serbi, për koordinim politikash.

Prandaj, ajo ka kërkuar sanksionim të Serbisë nga BE-ja. “Serbia po tregon sot se nuk ka interes për anëtarësim në BE, kështu që do të ishte përfundim logjik që të ngrihej statusi i kandidatit dhe bashkë me të edhe fondet që shkojnë me statusin kandidat”, i ka deklaruar ajo mediumit austriak “APA”.

Përfshirë këtë dhe qëndrime të tjera të fuqishme, janë interpretuar me ironi, satirizim dhe deri në përbuzje nga shumë media.

Prandaj, institucionet e Kosovës duhet të ndjekin këtë lloj ritmi diplomatik, duke e intensifikuar me përdorimin e sa më shumë potencialeve, të cilat do të ndihmojnë në fuqizimin e luftës diplomatike kundër Serbisë.

Ky projekt do të duhej të ndërtohej me angazhimin e sa më shumë burimeve intelektuale përfshirë historianë, juristë, ekspertë të komunikimit (këta mund të angazhohen edhe nga jashtë), dhe të fushave të tjera, të cilët mund të vijnë në ndihmë, që nëpërmjet ndërtimit të një platforme të shpejtë, dhe të fuqishme, të goditet imazhi i Serbisë.

Sigurisht, që e tërë beteja dhe projekti do të ishte lehtë i arritshëm (me fitore), sikur të kishte bashkëvepruar Shqipëria, dhe të kishte bërë të pamundurën, që ne të shkonim drejt një qëllimi final, arritjen e një projekti mbështetës, të diskreditimit të Serbisë, në raport jo vetëm me Rusinë, por edhe me Kosovën, shqiptarët, dhe me të gjithë fqinjët e saj, viktima të gjenocideve shtetërore serbe.

Ne kemi mijëra fakte, prova, se jemi viktimë sistematike e projekteve të shfarosjes së shqiptarëve, të përpiluara nga Serbia dhe të mbështetura nga Rusia, ashtu siç po iu ndodhë aktualisht ukrainasve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat