A është Ballkani ende një fuqi baruti, që Serbia mund ta shpërthejë në gjakderdhje?

Politika

A është Ballkani ende një fuqi baruti, që Serbia mund ta shpërthejë në gjakderdhje?

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 13 tetor 2022 Në ora: 08:03
Ushtarët e Kosovës

Nga deklarimet e figurave udhëheqëse nëpër botë po bëjnë thirrje për futje të Kosovës në BE, ose përndryshe mund të ketë tensione në Ballkan, e veçanërisht në Kosovë, në pjesën veriore të banuar me serbë.

Madje Bosnjës iu dha statusi i vendit kandidat, ndërsa vendi ynë ende është në pritje të heqjes së vizave për në BE.

Kosova për një kohë të gjatë, deri në pavarësimin e vendit, përveç nga UNMIK-u është administruar nga BE-ja, veçanërisht shtylla e ekonomisë.

Ndërsa, pas pavarësisë, drejtësia është administruar nga EULEX-i, mision i drejtësisë, policë, prokuror e gjykatës europian.

Madje, edhe koloneli në pension i ushtrisë amerikane Lawrence B. Wilkerson, ka thënë se, serbët praktikisht e zotërojnë pjesën veriore të Kosovës dhe se trazirat në këtë pjesë mund të shpërthejnë në gjakderdhje të madhe në çdo kohë.

“Serbët praktikisht zotërojnë pjesën veriore të Kosovës dhe trazirat atje mund të shpërthejnë në gjakderdhje të madhe në çdo kohë. Rusia është një mbështetës i madh i atyre serbëve”, ka thënë Wilkerson.

Konfliktet në Ballkan të krijuara nga Serbia janë të thella dhe mund të shpërthejnë në çdo kohë

Juristi Muhamet Kelmendi thotë se kudo që ka çështje të pazgjidhura andaj ekziston edhe rreziku për luftë.

Image
Juristi Muhamet Kelmendi

Tutje, deklaron se prapa këtyre interesave serbo-sllave qëndron Rusia.

“Në Kosovë dhe më gjerë, në Bosnje e Hercegovinë, në Mal të Zi dhe në Maqedoninë Veriore, e në Serbi - Kroaci, kudo ka çështje të pazgjidhura nacionale, përveç problemeve që janë ekonomike e sociale. Më pak në rrezik nuk është as çështja në Egje, midis Turqisë dhe Greqisë. As raportet midis Kroacisë dhe Serbisë nuk janë të mira. Ka konflikte të mëdha. Në kuadër të këtyre konflikteve të mëdha interesat e Fuqive të Mëdha janë rritur. Rusia qëndron e patundur prapa interesave serbo-sllave. Ndërsa, UE dhe SHBA janë për zgjidhjen e çështjeve mbi bazën aktuale të kufijve shtetëror. Shtetet janë armatosur shumë. Nga, armatimi prin, Turqia, Greqia dhe Serbia. Prapa po përpiqen të mos mbesin as shtetet tjera në Ballkan. Shikuar së këtejmi janë konfliktet ushtarake të programuara”, shprehet juristi.

Sipas tij, luftërat mund të shpërthejnë jo vetëm mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe mes Greqisë dhe Turqisë e Kroacisë dhe Serbisë, pasi ka konflikte dhe kërcënime.

Por, sipas Kelmendit, konflikti luftarak më i përgjakshmi mund të bëhet në Maqedoninë Veriore.

“Ato mund të shpërthejnë në Bosnje e Hercegovinë, në mes Kosovës dhe Serbisë, në mes Greqisë dhe Turqisë. Edhe midis Kroacisë dhe Serbisë ka konflikte dhe kërcënime.

Konflikti ushtarak ekziston midis Turqisë e Greqisë. Mirëpo, konflikt luftarak më i përgjakshmi mund të bëhet në Maqedoninë Veriore. Ky shtet është artificial dhe çdo konflikt dërgon te ndarja dhe konfliktet ushtarake serbo-bullgare-shqiptare e turko-greke.

Shpërthimi mund të implikojë edhe forcat e mëdha botërore. Këtu është fjala për Francën, Anglinë, Turqinë, Rusinë, SHBA-të etj.

Mbi këtë bazë deklaratat që vijnë nga NATO-ja, për Ballkanin janë alarmante. Udhëheqës të ndryshëm nga SHBA-të, nga UE, si dhe shumë analistë dhe ushtarakë në pension bëjnë prognozime luftarake. Analizat e tyre janë alarmante për këtë pjesë të Evropës. Këto fërkime dërgojnë te fakti se rreziku për luftë në Ballkan është i lartë dhe kurdo mund të shpërthejë në përmasa të gjera. Fakte ka mjaft”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”.

Shala: Kosova në situatë të rëndë politike

Image
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një përgjigje për “Bota sot” thotë se shqetësimet janë legjitime dhe se organet e sigurisë duhet të jenë vigjilente në veprimet, të cilat mund t’i ndërmarrin për të ruajtur atë pjesë.

“Argumentet për një konflikt në veri të vendit, probabiliteti është i lartë nëse:

- Qeveria merr veprim politik që është legjitim për rend dhe ligj në atë pjesë,

- MPB (Policia) vazhdon me luftimin e krimit te organizuar në atë pjesë,

- Institucionet tona të sigurisë nëse marrin veprime për shtrirjen e autoritetit në atë pjesë duke ruajtur kushtetutshmërinë e vendit.

Pra, shqetësimet janë legjitime si dhe sugjerimet që organet e sigurisë dhe ato politike të jenë vigjilente në veprime, të cilat mund të lëndojnë veprimet dhe punën e bërë brenda këtyre 20 viteve të fundit në atë pjesë”, thotë ai.

Sipas tij, Kosova këto momente është në situatë të rëndë politike, sa i përket asociacionit, manastirit të Deçanit dhe segmenti tjetër që është propozimi franko/gjerman.

“Niveli politik duhet të vazhdojë që të krijojë lidhje të reja duke ruajtur dhe kultivuar urat e ndërtuara më herët nëpërmjet programeve të ndryshme ekonomike, sociale ku përmes tyre do mund të hynte në punë, që ajo pjesë të monitorohej më lehtë.

Kosova është para një situate të rëndë politike, sa i përket marrjes së veprimeve për asociacion të komunave serbe, si dhe zbatim të vendimit juridik për manastirin e Deçanit, nëse këto dy pika si dhe segmenti tjetër që është propozimi franko/gjerman, mund të themi që tani, Qeveria aktuale duhet ta ndërrojë diskursin duke kërkuar unitet brenda subjekteve politike, duke krijuar qeveri nacionale apo qeveri teknike duke kaluar situatën e mundshme të tensionimit si dhe arritjes së marrëveshjes finale.

Nuk e kemi luksin që tani në këtë fazë të tërhiqet Qeveria apo të kërkojë votë-mosbesimi sepse një shtet pa Qeveri legjitime në këtë fazë e atakon sigurinë nacionale të vendit dhe nëse kjo ndodhë, atëherë prokuroria duhet të ngre kallëzime penale për cenim të sigurisë dhe integritetit të vendit dhe ikjes nga përgjegjësia juridike /politike”, nënvizon eksperti i sigurisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat