Pse Franca po e kushtëzon Kosovën me liberalizim të vizave/ Trysni e pashembullt në dialog?!

Politika

Pse Franca po e kushtëzon Kosovën me liberalizim të vizave/ Trysni e pashembullt në dialog?!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 14 tetor 2022 Në ora: 11:50
Emmanuel Macron dhe Albin Kurti

Kosova është vendi i vetëm në Ballkan, i cili nuk e ka liberalizimin e vizave. Tash e sa vite vendi jonë ka përmbushur kriteret e kërkuara nga Bashkimi Evropian.

E, të enjten në Këshillin e Bashkimit Evropian, në mbledhjen e mbajtur, u raportua se Franca është duke e kushtëzuar procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS, për të cilin Bashkimi Evropian nga viti 2016 nuk ka nxjerrë akte ligjore.

Derisa ky propozim besohet se është bërë nga zyrtarët francezë, dhe është mbështetur prej të paktën katër shteteve të tjera si Suedia, Belgjika, Holanda dhe Spanja, procesi mund të konsiderohet i bllokuar. Kjo për faktin se nëse çështja do të hidhej në votim, për liberalizim të vizave, votat për duhet të përbëjnë më shumë se 60% të popullsisë së BE-së. Kështu që shtetet me shumë banor, si Franca e Spanja së bashku e prishin ekuilibrin pozitiv.

Prandaj, ky kundërshtim po vlerësohet se po bëhet si trysni ndaj Kosovës në dialogun me Serbinë, që t’i bëjë lëshime kërkesave serbe.

Njohësit besojnë se kjo ka të bëjë kryekëput me dialogun me palën serbe.

Kelmendi: Kosova është shtet

Image
Muhamet Kelmendi

Profesori Muhamet Kelmendi për “Bota sot” ka thënë se shkaku i vërtetë nuk është ky kushti i Francës, por te dialogu me palën serbe.

“Në kuadër të mos heqjes së vizave, nga ana e Francës dhe të 5-shës evropiane, që nuk e ka njohur shtetin e Kosovës, janë paraqitur kohë pas kohës kushte të ndryshme, kryesisht për të mos hequr vizat për Kosovën. Edhe kushti i tashëm i Francës për funksionalizimin e sistemit të ETIAS, është i tillë. Ndonëse, duhet thënë se liberalizimi i vizave për Kosovën varet kryesisht nga dialogu me shtetin serb. Këtu qëndron shkaku pse Kosovës nuk iu liberalizuan vizat”, deklaron Kelmendi.

Tutje, shton se Kosova tashmë i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, por që te dialogu është shkaku.

Kelmendi bën thirrje që, Kosova të mos ikë nga qëndrimet e veta.

“Ka 4 vite e më shumë që çdo kusht e ka plotësuar Republika dhe megjithatë nuk iu hoqën vizat shtetit të Kosovës. Kjo tregon se shkaku për mos liberalizim të vizave është diku tjetër. E këtu shkak për mbi shkak është dialogu me shtetin serb dhe dëgjueshmëria e Kosovës kundruall BE-së dhe shteteve mike serbe. Këtë nuk duhet bërë. Kosova e ka rrugën e vet dhe këtej nuk duhet të iki nga qëndrimet e veta shtetërore. Asgjë nuk duhet ta largojë nga shteti”, nënvizon ai.

Burjani: Kjo masë në gjashtë mujorin e parë mund të hiqet

Kurse juristi Blerim Burjani thotë se ky sistem i vendosur nga Franca bën problem në kufi, derisa shton se është vetëm një masë, e cila ndodhë të mbetet në fuqi për shkak të keqpërdorimit të liberalizimit përndryshe kjo masë në gjashtë mujorin e parë mund të hiqet.

Image
Blerim Burjani

“Ky sistem nuk mundet gjatë të mbetet në fuqi. Është i komplikuar dhe bën probleme në kufij, pra është vetëm masë që mund të ndodhë të mbetet në fuqi për shkak të keqpërdorimit të liberalizimit të vizave, përndryshe kjo masë në gjashtë mujorin e parë mund të hiqet, kjo masë nuk ka kryer punë në rastin e Maqedonisë, kur shumë të rinj nga ky vend janë përballë me këtë masë”, shprehet ai.

Sipas tij, qytetarët e Kosovës nuk duhet të ikin masovikisht nga vendi, sepse vizat mund të kthehen sërish.

“Pra, qytetarët tanë nuk duhet të fillojnë masovikisht të ikin nga Kosova. Në këtë rast vizat mund të kthehen sërish. Pra, duhet të jemi të kujdesshëm, Kosova dhe BE-ja duhet të lidhin marrëveshje për riatdhesim, deri më tash Kosova ka disa marrëveshje individuale të lidhura me disa shtete të BE-së”, përfundoi Burjani.

Si funksionon ETIAS?

ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit.

Ky sistem - krejtësisht elektronik - mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk kanë nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Schengen, shkruan Rel.

Aty kërkohet emri, vendi i lindjes, gjinia, kombësia dhe secili që plotëson formularin duhet të ketë pasaportë, email dhe një kartelë krediti për të kryer pagesën simbolike për këtë dokument.

Autorizimi për udhëtim lëshohet shpejt dhe në mënyrë automatike, përveç nëse ka dyshime për të kundërtën.

Dokumenti valid ETIAS më pas rishikohet nga roja kufitare e shtetit, që merr vendimin final për hyrjen potenciale të udhëtarit në një vend të Zonës Schengen.

Por, çështja është se ky sistem nuk ka të bëjë thjesht me kontrollin e qytetarëve të Kosovës, që do t’u hiqeshin vizat, por me procedurën ligjore, që Bashkimi Europian nuk e ka përfunduar, kështu që kushti francez e bën të pashmangshme shtyrjen e liberalizimit të vizave nëse nuk ndryshon apo nuk tejkalohet ky kusht, me votim.

Sipas Radio Evropa e Lirës, procedura ligjore për të miratuar sistemin ETIAS ka filluar në vitin 2016, por sistemi do të jetë plotësisht operacional brenda vitit 2023, por nuk ka datë të saktë se kur mund të ndodhë.

Është mbase rasti i vetëm, që ka ndodhur që liberalizimi i vizave të rekomandohet nga Komisioni Evropian katër vite më parë, më 2018, dhe që ato të mos hiqen.

Dy ditë më parë, Komisioni Evropian, më 12 tetor, e konfirmoi në Raportin vjetor të Progresit se e mbështetë rekomandimin e dhënë për heqjen e vizave për Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat