Bllokoi vizat? Profesori ndërkombëtar tregon si duhet të kapërcehet “pengesa e Parisit”, ja kush mund të ndikojë te Macroni

Politika

Bllokoi vizat? Profesori ndërkombëtar tregon si duhet të kapërcehet “pengesa e Parisit”, ja kush mund të ndikojë te Macroni

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 15 tetor 2022 Në ora: 09:47
Emmanuel Macron dhe Albin Kurti

Analisti dhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare Enver Bytyçi, e ka quajtur “ditë të shënuar” për Kosovën 13 tetorin, edhe pse Kosova nuk mori vendim përfundimtar pozitiv për vizat.

Duke komentuar raportimet kontradiktore për mbledhjen e përfaqësuesve të Këshillit Evropian, që diskutuan lidhur me vizat për Kosovën, ai ka thënë se Franca dhe dy-tri vende të tjera kanë rivendosur kushte të tjera. Ato raportohet të kenë kushtëzuar liberalizimin me funksionalizimin e sistemit ETIAS.

“13 tetori ishte ditë e shënuar për Kosovën. Përfaqësuesit e Këshillit Europian diskutuan për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe në parim vendosën që ato të liberalizohen. Por, gjatë ditës së 13 tetorit erdhën lajme kontradiktore. Fillimisht u tha se Franca dhe dy-tri vende të tjera kanë rivendosur kushte të reja, me të cilat bllokohet liberalizimi i vizave së paku deri në janar 2023. Më pas u tha se nuk është bojkot, bllokim, por thjesht një propozim”, është shprehur Bytyçi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Image
Enver Bytyçi

Ai vlerëson se Franca nuk ishte asnjëherë miqësore me Kosovën, duke përmendur disa raste negative e ndër to edhe ndarjen e Mitrovicës. Sipas tij, bashkë me liderë të UÇK-së, francezët nuk shpejtuan për të vendosur autoritetin e ushtrisë në veri të Kosovës.

“E vërteta është se Franca asnjëherë nuk ka qenë miqësore me Kosovën. Përjashto vendimin e Shirak për të mbështetur bombardimet e NATO-s kundër Serbisë për çlirimin e Kosovës dhe aktin e njohjes së pavarësisë nga ana e presidentit Sarkosy, në shumë raste tjera Franca ka luajtur rol negativ në përparimin e Kosovës. Ishin francezët që vendosën ndarjen de facto të Kosovës te Ura e Ibrit në qershor 1999. Kjo edhe për faj të liderëve të UÇK-së, të cilët nuk shpejtuan për të vendosur autoritetin e kësaj ushtrie në veri. Ishin gjeneralët francezë që i jepnin informacion Milosheviçit për koordinatat e bombardimeve të NATO-s, duke tradhtuar aleancën ku bënin pjesë. Madje këta gjeneralë e thonin hapur, se nuk e bënin këtë akt për para e shpërblime, por se kishin një simpati të madhe për Serbinë fashiste të Milosheviçit”, ka potencuar eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ai akuzon presidentin Emmanuel Macron se ka bllokuar procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, së bashku me vendet tjera, që nuk e njohin Kosovën.

“Ishte presidenti Macron që bllokoi deri më sot përpjekjet e Kosovës për liberalizimin e vizave dhe avancimin e integrimit të saj në BE. Dhe nuk e kishte ai këtë të vështirë. Sepse ka jo pak vende që e përkrahin Francën në këtë aventurë bllokimesh. Janë në radhë të parë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën.

Tani janë përsëri francezët që kërkojnë qiqra në hell dhe shtojnë kusht pas kushti në formën e propozimeve dhe jo të bllokimit. Kjo e bën serioze situatën”, ka thënë më tej Bytyçi.

Ai ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të mbajnë shënime për të gjitha pengesat që po i bëhen vendit nga Franca dhe se kur Kosova të jetë plotësisht e pavarur, të mos sillet njëjtë me Francëen si me miqtë tjerë të saj.

“Minimumi i asaj që duhet të ndodhë, Kosova duhet të mbajë shënim të gjitha pengesat që i bëhen në rrugën e integrimeve dhe prosperitetit të saj. Edhe këto pengesa që shkakton Franca. Duhet krijuar një libër shënimesh për të evidentuar gjithçka. Që nesër, kur Kosova të jetë e pavarur të mos sillet njësoj si me SHBA-të, Britaninë e Madhe e Gjermaninë, edhe me Francën! Ndoshta për momentin duhet qetësi e maturi. Në fund të fundit është Kosova ajo që ka nevojë për mbështetje dhe arroganca vetëm se e izolon atë. Por ne shqiptarët duhet të largojmë problemet që kemi me kujtesën.

Kujtesa është mjeti më i mirë për të ndërtuar të ardhmen tonë. Duhet të kthehemi herë pas here te ajo çfarë ka ndodhur, me qëllim që të ndërtojmë me kujdes e në mënyrë të qëndrueshme të ardhmen. Kjo është e gjitha”, është shprehur ai.

Megjithatë, sipas analistit Franca don të ruajë disa limite, por ajo dëshiron të jetë e pranishme në Ballkanin Perëndimor, pasi nuk i mjafton prania në Serbi.

“Megjithatë nuk besoj se Franca do të përdorë veton. Bëhet tepër pastaj. Kalon limitet. Edhe në Paris bëjnë kujdes që të ruhen disa limite. Nëse nuk ruhen atëherë prishen ekuilibrat. Franca e di këtë dhe ajo dëshiron që të jetë e pranishme në Ballkanin Perëndimor. Ka investuar për këtë. Nuk i mjafton vetëm prania në Serbi. Madje ka një lloj konkurence për ta realizuar këtë. Kësisoj duhet shfrytëzuar kjo veçori”.

Ai në fund, u ka kërkuar institucioneve të Kosovës, që të angazhohen në diplomacinë me Francën, sidomos në nëntor dhe në dhjetor dhe të bëhen përpjekje për të kapërcyer pengesën e Parisit.

“Autoritetet e Kosovës duhet të angazhohen në diplomacinë e saj me Francën e pak vende të tjera që e mbështesin atë. Periudha deri më 9 nëntor dhe dhjetor duhet të jetë intensive në këtë lloj diplomacie.

Duhen shfrytëzuar dhe aktorët aleatë të Kosovës, me qëllim që ata të ndikojnë të Franca në qëndrimet e saj. Te Franca ndikojnë SHBA-të, Gjermania dhe Britania e Madhe. Duhen bërë përpjekje totale për ta kapërcyer pengesën e Parisit. Kjo sepse liberalizimi i vizave është po aq i rëndësishëm sa edhe pranimi përfundimtar në BE. Vizat nuk krahasohen as me marrjen e statusit kandidat, as me çeljen e negoociatave. Janë më të rëndësishme se këto, sepse kanë ndikim shumë të madh në jetën e qytetarëve”, ka shtuar për “Bota sot” profesori Enver Bytyçi.

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian pritet t’i dërgojnë në formë të komenteve kërkesat e tyre rreth çështjeve teknike lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën, deri më 21 tetor të këtij viti.

Komentet do t’i pranojë Presidenca Çeke e Këshillit Evropian para mbledhjes së radhës të Grupeve Punuese të KE-së, e cila do të mbahet më 9 dhe 10 nëntor./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat