A do të ‘shpërthejë’ situata në veri pas 31 tetorit!? Këta janë skenarët e mundshëm – ja çfarë do bëjë KFOR-i!

Politika

A do të ‘shpërthejë’ situata në veri pas 31 tetorit!? Këta janë skenarët e mundshëm – ja çfarë do bëjë KFOR-i!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 16 tetor 2022 Në ora: 16:30
Foto ilustrim

31 tetori është afati i fundit kur serbët e Kosovës duhet ta bëjnë konvertimin e targave nga “KM” në “RKS”. Afati ishte përcaktuar kur është arritur marrëveshja për dokumente më 27 gusht mes Kosovës dhe Serbisë.

Nuk dihet ende se çfarë pritet të ndodhë pas 31 tetori, me të përfunduar afati. Ende nuk ka ndonjë marrëveshje të re mes Kosovës dhe Serbisë për këtë çështje. Krahas kësaj, KFOR-i në Kosovë po përgatitet intensivisht për 1 nëntorin. Madje, sipas raportimeve besohet se është rritur për një mijë ushtarë numri i trupave të KFOR-it. Po ashtu po vazhdon stërvitja një mujore e NATO-s në Kosovë.

Rikthimin i tensioneve për këtë çështje nuk duhet neglizhuar, gjasat janë që një gjë e tillë të ndodhë, nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje mes palës kosovare dhe palës serbe.

Tensionimin e situatës e ka pranuar edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, gjatë kësaj jave duke theksuar se rritja e tensioneve nuk ka të bëjë me targat.

Shala: Institucionet e sigurisë tani më kanë paraparë tensione

Lidhur me këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Image
Drizan Shala

Fillimisht, ai u shpreh se Qeveria e Kosovës duhet ta shtyjë afatin e targave për dy muaj, kjo pasi jemi në një fazë pozitive për liberalizim të vizave.

“Sipas gjithë skenarëve të mundshëm që mund të paraqiten në mes datës 31 tetor/ 1 nëntor, Qeveria e Kosovës do të merr parasysh faktin që situata e sigurisë nuk mund të cenohet, duke rrezikuar ndoshta edhe atmosferën pozitive për liberalizim të vizave dhe kështu do të detyrohet që të prolongojë edhe për 2 muaj deri në fillim viti 2023, çështjen e targave dhe kështu mos të dëmtohet procesi”, deklaroi ai.

Po ashtu, eksperti i sigurisë potencoi se institucionet e sigurisë i kanë shtuar kapacitetet e tyre në rast të ndonjë eskalimi të situatës, në rast se nuk shtyhet afati.

“Institucionet e sigurisë tani më kanë paraparë tensione dhe mbi këto informacione të predisponuara kanë vepruar duke ndryshuar dhe shtuar kapacitetet e tyre për një eskalim të mundshëm në rast se nuk do të këtë shtyrje të afati për targa”, përfundoi Drizan Shala për “Bota sot”.

Kelmendi: Me 1 nëntor priten veprime antiligjore nga minoriteti serb në Kosovë

Ndërsa, profesori dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se mos regjistrimi i makinave me targat e Republikës së Kosovës, duke vazhduar me targat jo zyrtare, është vepër e ndaluar me ligj dhe nuk tolerohet në asnjë shtet.

Image
Muhamet Kelmendi

“Afati i paraparë për skadimin e targave të Millosheviqit dhe regjistrimit të targave të Republikës së Kosovës kalon me 1 nëntor 2022.

Deri në këtë kohë kërkohet që të gjithë qytetarët e Kosovës që i kanë regjistrimet e makinave nga koha e okupatorit të regjistrohen vullnetarisht me targa të reja të shtetit të Kosovës.

Kjo është e drejtë ligjore e çdo shteti në botë. Mos regjistrimi i makinave me targat e Republikës së Kosovës, duke vazhduar me targat jo zyrtare, është vepër e ndaluar me ligj dhe nuk tolerohet në asnjë shtet. Dënimi është mjaft i lartë”, deklaroi ai.

Sipas Kelmendit, qytetarët serbë nuk do ta respektojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për tabelat e veturave, me ç’rast kërkoi që të dënohen ata që e shkelin vendimin pas 1 nëntorit.

Minoriteti serb është i organizuar nga Serbia, pritet të urdhërohet që të protestojë

Ai paralajmëroi edhe tensione në veri në rast se nuk shtyhet më afati për targat dhe nis zbatimi i vendimit.

“Me 1 nëntor qytetarët serbë nuk duhet të dalin në komunikacion me tabelat e Millosheviqit. Ata që veprojnë kështu me targa millosheviqiane, nga organet kompetente të Kosovës largohen nga qarkullimi dhe gjobiten rëndë.

Këtë e dinë ‘klika millosheviqiane’ e udhëhequr nga kryekrimineli Vuçiq në Beograd. Edhe qytetarët e Kosovës janë të sqaruar.

Mbetet të respektohet ligji në fuqi. Këtë nuk do ta bëjë minoriteti serb. Ai është i organizuar nga shteti serb dhe pritet të urdhërohet nga Beogradi që të protestojë.

Ata do të protestojnë, me siguri edhe rrugët në veri do të bllokohen.

KFOR-i do të ruajë sigurinë. I takon organeve të Kosovës të veprojnë për të stabilizuar gjendjen dhe zgjidhur çështjen”, vlerësoi profesori.

Ndër të tjera, përmendi tri zgjidhjet që mund të bëhen sa i përket kësaj çështje. Po ashtu, theksoi se rendin dhe qetësinë e ruan Policia e Kosovës.

Tri zgjidhje janë:

1. Tolerimi i tabelave të Millosheviqit,

2. Zgjatja e afatit për regjistrim të ri të makinave dhe

3. Veprimi me masa ligjore për ta zgjidhur çështjen.

Cila nga këto masa do të aplikohet mbetet të shihet. Është vështirë të prognozohet ndonjë veprim tjetër jashtë Kosovës. KFOR-i ka fuqi dhe mandat për të kryer detyrën që e ka në Kosovë. Rendin dhe qetësinë e ruan Policia e Kosovës”, përmbylli Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat