Komisioni për SHIK-un/ Analisti hedh dyshimet: Ky njeri brenda Vetëvendosjes po pengon hetimin

Politika

Komisioni për SHIK-un/ Analisti hedh dyshimet: Ky njeri brenda Vetëvendosjes po pengon hetimin

Nga: P.R Më: 16 tetor 2022 Në ora: 21:41
Glauk Konjufca dhe Kadri Veseli

Pas një kohë të gjatë, është rikthyer edhe njëherë në opinionin publik tema e hetimit të organizatës, SHIK, e cila udhëhiqej nga Kadri Veseli.

Ka qenë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ai i cili tha se Vetëvendosje, nuk e ka përkrahur në iniciativën e tij për hetimin e SHIK-ut.

“Nuk ka vullnet te kryesuesja që mos mi majt as minutat e takimeve, është vështirë me thanë që nuk janë realizu, unë kam iniciuar themelin e komisionit për privatizim që nuk është pranu, kam iniciuar komisionin për hetime ndaj SHIK-ut s’ka qenë politikë elektorale, por përmbajtjesore për me ec para… Këto janë të mjaftueshme për të qenë i sinqertë me votuesit, ta bëjë të qartë se s’mund të jem i heshtur e as spektator kur debati nuk përfshin impute e nuk ka përgjigje për çështje që mbesin pezull për një kohë të gjatë”, ka deklaruar deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi.

E lidhur me këtë, analisti politik dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri hedh dyshime të një figurë kyçe në Vetëvendosje për pengimin e hetimeve ndaj SHIK-ut.

Image
Gani Qarri

“Fakti se sipas deputetit të shumicës parlamentare, Haki Abazi, Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk e ka mbështetur iniciativën e tij për hetimin e SHIK-ut, medoemos, duket që ndodhë për vet arsyen e thjeshtë se edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LVV-së Glauk Konjufca, është dëshmuar me kohë, se dikur ishte pjesëtarë i denjë i kësaj organizate gjysmë ilegale. Për aq më tepër Konjufca vetëm pak muaj më parë, në cilësinë e kryetarit të Parlamentit të vendit tonë, vizitoi edhe të arrestuarit nga Gjykata Speciale në Hagë ku gjendet edhe ish-udhëheqësi i SHIK-ut, duke vënë me aktin e tij nën presion të dyfishtë publik, jo vetëm koalicionin aktual qeverisës LVV-Lista Guxo, por edhe gjyqësinë e Dhomave të Specializuara në Hagë, veçanërisht me deklaratën e lëshuar veresie, se "Kjo gjykatë nuk është nën kontrollin e askujt!”, ani pse Gjykata speciale siç dihet, është themeluar dhe funksionon sipas ligjeve të Republikës së Kosovës”, thotë Qarri, i cili ka treguar pse lindin dyshime ndaj Glauk Konjufcës.

“Për aq më tepër, shqetëson shumë fakti, se sipas deklaratave të Haki Abazit, dhënë në konferencën për media të premten e 7 tetorit, megjithëse ai, paska iniciuar edhe themelimin e një komisioni hetimor parlamentar për Shërbimin Informativ të Kosovës, siç kishte premtuar në fushatë elektorale, kjo nismë e tij është hedhur serish poshtë, pikërisht nga Kuvendi, gjë që na bënë të dyshojmë, se kjo po ndodhë ngase për kryetar ka ish anëtarin e përfolur të vet SHIK-ut, Glauk Konjufcën. Madje sipas Abazit, përveç inicimit të komisionit hetues parlamentar për hetimet ndaj ShIK-ut, pastrimin e të kaluarës dhe ecjen përpara”, LVV-ja, nuk e paska pranuar as idenë tjetër të Abazit në Kuvend, si ajo për themelimin e komisionit parlamentar për privatizim, gjë që lë hapësirë të hapur për spekulime dhe e bënë të nevojshëm sqarimin e qytetarëve të Kosovës, se mos edhe vet anëtarët e VV-së, janë të përfshirë në dallaveret e privatizimeve të paligjshme”, shprehet Gani Qarri.

Më tej, Qarri hedh kritika të ashpra edhe ndaj LDK-së, për të cilën thotë se e ka shfrytëzuar SHIK-un dhe vrasjet politike vetëm gjatë fushatës zgjedhore.

“Ajo që vijon ta habit opinionin e gjerë, është edhe hipokrizia e LDK-së, e cila përderisa në njërën anë, në fushatat elektorale, në vijimësi akuzonte SHIK-un për vrasje të aktivistëve të saj, në anën tjetër, siç deklaronte asokohe Albulena Haxhiu, LDK nuk jepte nënshkrimet për hetimin e kësaj organizate, madje edhe për kërkesën drejtuar shefit të atëhershëm të deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti dhe nënkryetarit të Kuvendit, Kujtim Shala, për mbështetje në krijimin e komisionit hetues ndaj SHIK-ut, as që kanë marrë fare përgjigje, ani pse në dhjetorin e vitit 2017 edhe vet Kadri Veseli deklaronte se do të jepte nënshkrimin për hetimin e SHIK-ut”, nënvizon Qarri.

Madje sipas Qarrit, pjesëtarë të SHIK-ut tashmë janë të involvuar edhe brenda Lëvizjes Vetëvendosje.

“E përderisa dyshohet se shkaku i involvimit të pjesëtarëve të kësaj organizate të dyshimtë në VV, megjithëse LVV tanimë gjendet vet në pushtet, ajo nuk e përkrah iniciativën për hetimin e SHIK-ut, lind pyetja, se pse pikërisht “vrasjet” e pasluftës dhe bëmat e SHIK-ut, LDK ka zgjedhë t’i bëjë temë, njëpërdorimshme, vetëm për fushata zgjedhore“. Kështu që përderisa dihet se VV brenda vetes ka anëtarët e SHIK-ut, dhe ata mendohet se kanë bllokuar edhe hetimet, ajo që nuk po arrin të kuptohet nga opinioni i gjerë dhe mbarë qytetarët e Kosovës, është fakti se pse përkundër akuzave të rënda e të vazhdueshme dhe abuzimit me bëmat e SHIK-ut, nëpër fushata zgjedhore për vrasjet e pasluftës, as anëtarësia e LDK-së, asnjëherë jo vetëm që nuk ishte kompakte për hetimin e SHIK-ut, por përkundër britmave elektorale, nuk ndërmori kurrë vet inicimin e hetimit të SHIK-ut?!”.

Për fund, analisti Qarri thotë se Lëvizja Vetëvendosje është dorëzuar përballë hetimit të SHIK-ut, ani pse sa ishte në opozitë insistonte për një gjë të tillë.

“Pas dorëzimit të Vetëvendosjes për hetimin e SHIK-ut, është tejet e papranueshme edhe hipokrizia e LDK-së lidhur me bëmat e SHIK-ut, e cila përkundër akuzave të rënda për vrasjen e aktivistëve të Lidhjes Demokratike, pas ardhjes në pushtet të Isa Mustafës dhe koalicionit të tij me Hashim Thaçin, ashtu siç janë nisur edhe janë heshtur, në mënyrë të menjëhershme të gjitha akuzat e mos të flasim për inicimin e hetimeve.Prandaj përveçse SHIK-u ka arritur të infiltrohet në të gjitha partitë politike në vend, unë as tani, nuk mund të besojë se LDK, është e rritur për një nismë kaq të madhe, të cilën deri më tash, nuk ka mundur askush ta qojë deri në fund, dhe aktualisht, LDK që njohim ne, as që ka guximin, ti prijë vet krijimit të një komisioni hetues, për hetimin e bëmave të SHIK-ut, nëse nuk mbahen serish zgjedhje të parakohshme, që edhe jetërat e shuara të aktivistëve të saj, ti fus serish në lojën e vokabularit propagandues të fushatës elektorale, për ti heshtur pastaj, të gjitha, deri në zgjedhjet e radhës”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat