Lufta në Ukrainë / Hapet rruga e anëtarësimit të Kosovës në NATO!

Politika

Lufta në Ukrainë / Hapet rruga e anëtarësimit të Kosovës në NATO!

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 18 tetor 2022 Në ora: 08:05
Foto ilustrim

Lufta e Rusisë në Ukrainë tash e sa muaj, ka bërë që të ndjehet, nevoja më e madhe e Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO.

Që nga fillimi i agresionit të Rusisë, kanë filluar edhe shqetësimet për mundësinë e destabilizimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Madje, autoritetet më të larta të Kosovës dhe partitë politikë kanë kërkuar nga faktorët ndërkombëtarë që të mbështesin Kosovën në përshpejtimin e anëtarësimit të saj në NATO.

Në ndërkohë Kosova, është duke kërkuar që në mënyrë të përshpejtuar ta nënshkruajë marrëveshjen për Partneritet për Paqe me NATO-n.

Ekspertët e sigurisë janë duke ndarë mendime të ndryshme sa i përket anëtarësimit të Kosovës në NATO.

T’i bashkëngjiten trupave të NATO-s

Avni Islami, ekspert i sigurisë deklaron për “Bota sot” se Qeveria tashmë është duke përgatitur një kërkesë apo dokument për anëtarësimin në Aleancën Veri- Atlantike dhe shanset duhet të vlerësohen.

Image
Avni Islami

Sipas tij, për tu anëtarësuar një vend në NATO duhet të japin pëlqimin të gjitha vendet dhe shumica e vendeve të jenë pro anëtarësimit të Kosovës.

Tashmë Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një kërkesë, një dokument për anëtarësimin në Aleancën Veri- Atlantike (NATO) dhe shanset e Kosovës që të anëtarësohet gjithmonë janë shanse që duhet të vlerësohen, sepse varësisht nga rrethanat gjeopolitike dhe gjeostrategjike, çfarë po ndodhë në rajonin tonë dhe më gjerë, nga kjo varet edhe anëtarësimi i Kosovës. Por, vlen të ceket edhe se çështja e anëtarësimit të një vendi në Aleancën Veri- Atlantike duhet të jetë 100 për qind, pra të gjitha vendet duhet ta japin pëlqimin për t’u anëtarësuar një shtet në këtë Aleancë dhe shumica e vendeve të ndryshme janë pro anëtarësimit të Kosovës në mënyrë që t’i shërbej paqes dhe sigurisë. Por, nuk duhet harruar që në Republikën e Kosovës janë të vendosura forcat e KFOR-it dhe ato janë njësi apo trup që kryekëput janë të ardhur nga anëtarët e NATO-s dhe këtë trup, pra, KFOR-in e komandon NATO-ja, kësisoj edhe formalisht do të duhej që Kosova të jetë pjesë e Aleancës Verio- Atlantike, sepse përndryshe në vendin tonë janë të vendosura forcat e KFOR-it”, thotë Islami për “Bota sot”.

Deri pak javë më parë për sigurinë në Kosovë kujdesen rreth 3 mijë e 800 trupa të KFOR-it, por, ky numër është rritur sipas Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s.

Ndërsa, për Islamin do të ishte më e sinqertë që trupave të KFOR-it në veri t’iu bashkëngjiten edhe Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Në anën tjetër për të qenë sa më të sinqertë, duhet sa më parë që Kosova të jetë pjesë e NATO-s në mënyrë që Forcat e Sigurisë së Kosovës t’iu bashkëngjiten trupave të NATO-s në mënyrë që të kontribuojnë për paqen dhe sigurinë jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë”, thekson Islami.

NATO-ja ka një prezencë të forcave paqeruajtëse në KFOR në Kosovë që nga përfundimi i luftës në vitin 1999. Por, katër shtetet anëtare të NATO-s që nuk e kanë njohur Kosovën si të pavarur (Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Greqia), janë duke pamundësuar që Kosova të anëtarësohet në të, madje edhe në përfshirje formale të saj në Partneritetin për Paqe.

Mirëpo, Islami gjasat tani i konsideron reale.

Gjasat janë reale, mirëpo është vetë NATO-ja ajo që e vlerëson se kur do të jetë Kosova pjesë e saj, përndryshe ne veç i kemi trupat e NATO-s këtu”, ka shtuar tutje ai.

NATO-ja nuk e ka mbështetur zyrtarisht as transformimin e Forcës të Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri, ndonëse ky hap është mbështetur nga shumë shtete anëtare.

Pengesat

Ndërsa, skeptik sa i përket procesit të anëtarësimit të Kosovës në NATO është eksperti tjetër i sigurisë, Drizan Shala.

Image
Drizan Shala

Shala thotë për “Bota sot”, se janë një mori çështjesh teknike, por edhe politike që në këtë fazë ndikojnë të mos ketë disponim që mund të ndodhë anëtarësimi.

Në lidhje me procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO, kjo duhet të analizohet dhe të shikohet nga një këndvështrim ndryshe. Sepse, për t’u anëtarësuar në NATO duhet të kalosh një mori çështje teknike, por edhe politike, të cilat në këtë kohë dhe fazë nuk ka disponim që kjo të ndodhë brenda anëtarëve të NATO-s”, pohon Shala.

Sipas tij, ajo çka mund të fitojë Kosova është që në një proces afatgjatë të mund të shtojë kapacitetet e saja ushtarake, duke mos pasur pengesa në shtimin e fuqisë ushtarake për nevojat e saj.

Shala shton se FSK-ja është ende larg që t’i përmbush nevojat me të cilat do të mund të kontribuonte në kuadër të Aleancës.

Kosova mund të fillojë që në një proces afatgjatë të mund të shtojë kapacitet e saj ushtarake duke mos pasur pengesa në shtim të fuqisë ushtarake për nevoja të saja. FSK-ja është ende larg për të përmbushur nevojat me të cilat do të mund të kontribuonte në kuadër të Aleancës, pra në rend të parë duhet të përmbyllet një proces në të cilin ka hyrë, për transformim, që ka kohën dhe koston e saj dhe ku pastaj 2029-2030, Kosova dhe forca e saj të mund t’i transferojnë njësitë e saja me standardet e NATO-s ku do të mund t’i hapej rruga për statusin e partneritetit për paqe, që është parakusht për të hyrë në NATO”, përfundon Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat