“Kosova është qendër kryesore e luftës së mundshme në Ballkan”/ Para takimit Kurti-Vuçiq – vjen thirrja për SHBA-në!

Politika

“Kosova është qendër kryesore e luftës së mundshme në Ballkan”/ Para takimit Kurti-Vuçiq – vjen thirrja për SHBA-në!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 18 tetor 2022 Në ora: 11:50
Albin Kurti, Aleksander Vuçiq

Pas tensioneve të krijuara në veri të vendit nga provokimet nga Serbia, pritet që dialogu të vazhdojë, ndërsa Perëndimi ka intensifikuar angazhimin, por serbët nuk duan që të heqin dorë nga projektet e përbashkëta me Rusinë.

Përveç telefonatës së Sekretarit Blinken me Kryeministrin Kurtin dhe Presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, janë angazhuar edhe Kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe Presidenti Emmanuel Macron. Spekulohet se këta të dy u kanë dërguar Kurtit e Vuçiqit një propozim franko-gjerman, përmes këshilltarëve të tyre që vizituan Prishtinën e Beogradin në shtator.

Franca dhe Gjermania nuk e kanë publikuar propozimin, por sipas pohimeve të palës serbe dokumenti parasheh që Serbia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në OKB pa e njohur pavarësinë tonë, ndërsa Serbisë do t’i ofrohet përshpejtimi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Por, ndërkohë, dje ka bërë thirrje për luftë ministri i Brendshëm i Serbisë, Vulin, pas kthimit nga Moska, duke kërkuar që të pushtohet Kosova deri në lumin Ibër.

Mehazi: Shqiptarët e Kosovës më shumë i besojnë SHBA-së sesa BE-së së Francës

Image
Sulejman Mehazi

 

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në një prononcim për “Bota sot” thotë se lufta në Ukrainë dhe amerikanët kanë ndikuar në përshpejtimin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Lufta ruse në Ukrainë ka aktivizuar jo vetëm BE-në, por edhe amerikanët e presidentit Biden të përshpejtojnë dialogun e stërzgjatur të Kosovës me Serbinë, si asnjëherë më parë, BE-ja e SHBA-ja problemin e dialogut të Kosovës me Serbinë nuk e kanë kapur me kaq seriozitet për njohje reciproke të dy shteteve fqinje”, deklaroi ai.

Mehazi parashikon se takimi i radhës do të jetë më i rëndë, bazuar në deklaratat pesimiste të elitës politike serbe: Vuçiqi, Daçiqi e Brnabiqi.

“Takimi paraprak në Bruksel hodhi nën hije përfaqësuesit e mëparshëm evropianë, Lajçakun e Borellin, me ndërhyrjen edhe të dy këshilltarëve francez e gjerman.

Besojmë se gjatë takimit të radhës në Bruksel, delegacioni i Kosovës në krye me kryeministrin Kurtin do të jenë në avantazhe politike e diplomatike kundrejt delegacionit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, ku serbët do të sulmohen dyanshëm, jo vetëm për njohjen e Kosovës, por edhe për shkëputje të Serbisë nga Rusia. Sesa i rëndë do të jetë takimi i radhës i dialogut me Kosovën në Bruksel tregojnë vetë deklaratat pesimiste të elitës politike serbe: Vuçiqi, Daçiqi e Brnabiqi duke shprehur tensionet kundërshtuese të evropianëve e amerikanëve ndaj dialogut përfundimtar me njohje reciproke, Kosovë-Serbi”, vlerësoi profesori.

Në fund, ai kërkoi që sa më shpejt Scholz dhe Macron ta shuajnë përhapjen e zjarreve të luftës ruse në Ballkan, pasi Kosova është vatër kryesore e luftës së mundshme dhe e paqes në rajon.

“Nëse evropianët e Scholzit dhe Makronit duan paqe në Ballkanin Perëndimor, atëherë duhet sa më shpejtë të shuajnë përhapjen e zjarreve të luftës ruse në Ballkan, sepse prushin e përhapjes së luftës ruse e mban Serbia në Kosovë. Kosova është qendër kryesore e luftës potenciale dhe e paqes në Ballkan, nëse përmbyllet dialogu me njohje reciproke, Serbi-Kosovë, vjen paqja, nëse jo vjen lufta.

Megjithatë për Kosovën më e besueshme me rastin e dialogut me Serbinë do të ishte SHBA-ja e Bajdenit, sesa Franca e Makronit, për Qeverinë e Kosovës përveç planit francez e gjerman do të ishte e mirëpritur plani B i SHBA-së me rastin e takimit të ardhshëm të dialogut me Serbinë në Bruksel. Shqiptarët e Kosovës më shumë i besojnë SHBA-së sesa BE-së së Francës”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Mehmeti: Amerikanët me në krye Biden janë e vetmja siguri

Image
Faton Mehmeti

 

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim për “Bota sot” i cilëson si një dështim total bisedimet Kosovë-Serbi.

Fillimisht, ai u shpreh se Evropa s’ka të drejtë morale më të vazhdojë të mbajë rolin e ndërmjetësuesit në një rrugë të dështuar.

“Po bëhen 10 vjet nga nisja e bisedimeve dhe asgjë konkrete, dështim total. Evropa ka dështuar në raport të bisedimeve Kosovë-Serbi, e të cilat nuk kanë prodhuar rezultate të mira. Me pak fjalë, Evropa s’ka të drejtë morale më të vazhdojë të mbajë rolin e ndërmjetësuesit në një rrugë të dështuar për më shumë se një dekadë”, theksoi analisti.

Ndër të tjera, Mehmeti tha se vetëm pala amerikane mund ta përmbyllë këtë proces të stërzgjatur.

Ai shtoi se nuk pret asgjë nga plani franko-gjerman.

“Kështu që, duhet të ndërhyjë një palë tjetër, ajo amerikane si e vetmja garanci për t’u përmbyllur ky proces i tej zgjatur. Edhe nga plani franko-gjerman nuk pres shumë, jam skeptik se mund të ketë efekt pavarësisht nga takimi që pritet të ndodhë mes Kurtit me Vuçiqin. Amerikanët me në krye Bidenin janë e vetmja siguri, ndryshe ky proces vetëm sa do të zgjatet edhe më shumë, pa asnjë rezultat”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat