21 vjet nga atentati/ Flet vëllai i Besim Dajakut: Gjykata Speciale e ka obligim moral dhe ligjor t`i zbardhë vrasjet politike

Politika

21 vjet nga atentati/ Flet vëllai i Besim Dajakut: Gjykata Speciale e ka obligim moral dhe ligjor t`i zbardhë vrasjet politike

M.Lakna Nga M.Lakna Më 19 tetor 2022 Në ora: 18:14
Besim Dajaku

21 vjet më parë, në një pritë të mirëorganizuar në fshatin Llaushë të Skenderajt, u vranë gazetari i gazetës “Bota sot”, Bekim Kastrati dhe truproja e presidentit Rugova Besim Dajaku. 

Në këtë atentat mbeti i plagosur rëndë ish deputeti i LDK-së dhe ish luftëtari i UÇK-së, Gani Geci.  

Ndonëse u dit se kush ishte vrasësi, asnjëherë nuk u zbulua nga drejtësia vendore e ndërkombëtare se kush ishin urdhërdhënësit dhe organizatorët.  

Image
Xhevat Dajaku

Në një prononcim për gazetën, Xhevat Dajaku, vëllai i Besim Dajakut, që u vra më 19 tetor të vitit 2001, është shprehur i zhgënjyer me drejtësinë e Kosovës, e cila nuk bëri asgjë për zbardhjen e vrasjeve politike.  

“Ne si familjar jemi të zhgënjyer me drejtësinë tonë, se di a ekziston një pikë doze morale në organet e drejtësisë së vendit tonë,  pasi ata s'bën asgjë për gjithë ato vrasje misterioze e që faktikisht shumica e tyre ishin politike që është pranuar nga të gjithë faktorët relevant”, ka thënë Dajaku. 

Ai ka thënë se si familjarë nuk kanë informacione rreth hetimeve që janë bërë rreth rastit.  

“Ne s’kemi informacione të asnjë natyre që lidhet me këto vrasje e në veçanti me rastin tonë, ku mbetën të vrarë në një atentat tash e 21 vite më pare Besim Dajaku ushtar i ditëve të para dhe truproje e presidentit Rugova dhe Bekim Kastrati ushtar i ditëve të para dhe gazetar i Botës Sot dhe mbet i rend i plagosur Gani Geci një nder ushtarët më të besuar të Komandantit legjendar Adem Jashari”, është shprehur ai.

Shpresa e fundit për zbardhjen e këtij rasti makabër, sipas Xhevat Dajakut, ka mbetur Gjykata Speciale dhe sipas tij nëse edhe specialja dështon atëherë do të konsiderohej se drejtësia ka dështuar përgjithmonë lidhur me këtë vrasje. 

“Ne shpresojmë dhe shpresën e fundit si gjithë të tjerët e kemi te gjykata speciale, këtë e them me bindje të thellë, nëse edhe gjykata speciale do ti kalonte këto raste atëherë drejtësia do të ketë dështuar përgjithmonë në lidhje me këto vrasje. Gjykata speciale e ka obligim moral dhe ligjor që t’i trajtoj këto raste sepse te gjitha ndodhen në kohen administrimit te bashkësish ndërkombëtarë në Kosovën e pas luftës”, ka potencuar ai. 

Xhevat Dajaku, ka rikujtuar po ashtu që ndërkombëtarët ishin në Kosovë të përfaqësuar me KFOR dhe UNMIK, pastaj EULEX, ku i kishte të gjithë institucionet relevante në dispozicion dhe nën pushtetin e tyre.  

“Pra nëse Gjykata speciale do të dështonte atëherë i bije se bota perëndimore tek e cila kanë lulëzuar demokracitë nëpërmjet sistemeve që ofrojnë siguri për njerëzimin para qindra vitesh të dështojnë para hundës së tyre. Shpresën e vetme  e kemi te Gjykata Speciale ku mund të mbështetemi, kërkojmë vetëm drejtësi dhe të zbardhet e vërteta!”, ka përfunduar ai.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat