Escobar mposhti ithtarët e Thaçit dhe Ramës që e duan ndarjen e Kosovës/ Këto janë mesazhet e qarta të emisarit nga SHBA për epilogun e dialogut

Politika

Escobar mposhti ithtarët e Thaçit dhe Ramës që e duan ndarjen e Kosovës/ Këto janë mesazhet e qarta të emisarit nga SHBA për epilogun e dialogut

Nga: A.SH Më: 19 tetor 2022 Në ora: 19:54
Foto nga takimi

Sot në Kosovë ka qëndruar për vizitë, i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ai është takuar me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe krerët opozitarë.

Kryeministri Albin Kurti ke ka pritur në takim zëvendës ndihmës-sekretari e ShBA-së, njëherësh të dërguarin për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Temë diskutimi ishte procesi i dialogut.

“Është një partneritet i palëkundshëm ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Diskutuam edhe për çështjet e marrëdhënieve me Serbinë dhe implikimet rajonale nga dialogu. Po ashtu edhe rëndësinë për të vazhduar mbështetjen amerikane për pavarësinë, sovranitetin dhe sigurinë tuaj. Është e rëndësishme të rreshtoheni në vlerat evropiane në këtë kohë krize në kontinentin evropian. Dua të theksoj sërish se ShBA e mbështetë Kosovën në gjitha aspiratat e saja euroatlantike dhe do të shohim mundësitë për të pasur partneritet me Republikën e Kosovës për të mundësuar një gjë të tillë”, theksoi Escobar.

 

Ai pritet të shkojë në Beograd, ku nesër do të takohet me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Profesori Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se vizita e z. Escobar ri-theksoi se zgjidhja e konfliktit dhe marrëveshja përfundimtare do të garantojnë pavarësinë, shtetësinë, integritetin territorial, funksionalitetin e shtetit.

“Sot në Kosovë ndodhet për të disatën herë i dërguari i Presidentit amerikan Biden, Gabriel Escobar. Duket qartë se SHBA-të janë vënë në mbështetje të plotë të projektit europian të Ballkanit Perëndimor, projekt që fillon me zgjidhjen e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë. Zoti Escobar ndodhet në Prishtinë, me qëllim që të nxitë Kosovën të jetë konstruktive dhe të mos bllokojë dialogun me Beogradin.

Në fakt Kosova dhe qeveria e saj asnjëherë nuk e kanë bllokuar dialogun. Para zotit Kurti liderët e Kosovës kanë bërë lëshime të mëdha në dëm të vendit të tyre, me qëllim që të mos krijohej përshtypja se ata po e bllokojnë këtë dialog. Por zoti Kurti ka qenë më i matur, më i vendosur në parime, më i ashpër në qëndrimet e tij ndaj palës serbe. Dikush, madje edhe në Kosovë, e ka interpretuar këtë si bllokim të dialogut. Ka patur asi politikanësh që i kanë bërë thirrje atij "Apliko asociacionin e Komunave Serbe dhe mos blloko dialogun"! Deri këtu kanë arrit disa mjeranë politikanë. Ndërsa ithtarët e Hashim Thaçit dhe Edi Ramës, si p.sh ish-këshilltari Çollaku, Ramë Buja e të tjerë vazhdojnë të thonë se "Zgjidhja më e mirë e konfliktit është ndarja e Kosovës"! Turpi e mëkati i tyre është ky! Nuk është i Kosovës!

Ndërkaq zoti Eskobar sot në Prishtinë e ritheksoi se zgjidhja e konfliktit dhe marrëveshja përfundimtare do të garantojnë pavarësinë, shtetësinë, integritetin territorial, funksionalitetin e shtetit. I dërguari amerikan sigurisht që në këtë aspekt dëshmohet më patriot kosovar sesa këta ithtarë të projekteve serbe. Se ky projekt serb është në dobi të Serbisë së Madhe dhe botës serbe, këtë e deklaroi publikisht ministri I Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandër Vulin, kur para dy ditësh tha se zgjidhja do duhet të çojë në vendosjen e kufirit te lumi Ibër”, thotë ai.

Sipas tij, edhe takimi me opozitarët kishte të bënte me përfundimin e procesit të dialogut

“Zoti Eskobar ka takuar presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti, ndërsa pasdite është takuar me tre liderët e opozitës, përkatësisht zotin Krasniqi, zotin Abdixhiku dhe zotin Haradinaj. Nuk ka rëndësi se ku bëhet ky takim. Por unë besoj shumë se këta tre liderë opozitarë do të shprehin të njëjtën pikëpamje si edhe kryeministri e Presidentja për procesin e sidomos për përmbylljen e dialogut. Unë i njoh të tre ata. Nëse ata kanë konflikt me mazhorancën, ky konflikt nuk shkon deri te dëmtimi i interesave të Kosovës në favor të Serbisë.

Ndërkohë si opozitarë ata do të duhej të kishin kërkesa më radikale sesa përfaqësuesit e mazhorancës, sa i përket dialogut me Serbinë. Në fund të fundit vendimmarrja është e qeverisë Kurti dhe kërkesa radikale i shton kreditet e këtyre partive, si dhe nxit lidershipin në pushtet të jetë më këmbëngulëse në mbrojtjen e interesave të vendit. Kur flas për radikalizëm, nuk e kam fjalën për zgjidhje me të cilat pretendohet territori ose diçka tjetër në Serbi. Por për mbrojtjen e territorit, shtetësisë dhe funksionimit të saj në Kosovë. Marrëveshja duhet ta nxjerrë përfundimisht Serbinë nga Kosova. Kjo duhet të jetë kërkesa themelore e pozitës dhe opozitës”, thotë ai.

fund, shton se amerikanët dhe evropianet e dinë është koha të zgjidhen krizat në Ballkan, prandaj janë përqendruar te Kosova.

Por, ajo që e sheh problem profesori është se sa do të detyrohet Serbia të bëjë kthesën përfundimtare.

Mos harrojmë se lufta në Ukrainë i ka dhënë fund iluzioneve evropianë. Lufta në Ukrainë na dëshmon edhe njëherë dogmën popullore sipas së cilës "Në dëshiron të shkosh mirë me komshiun, forco mirë gardhin që të ndan prej tij"! Nuk ka rrugë tjetër për vendosjen e paqes, stabilitetit dhe qetësisë në rajonin tonë. Po t'i jepet fund konfliktit në Kosovë dhe ajo të njihet si shtet i lirë, demokratik dhe i pavarur, çfarë edhe është, atëherë do të fillojë e mundësohet zgjidhja e të gjitha krizave në Ballkanin Perendimor. Para se gjithash në Bosnjë-Hercegovinë.

Amerikanët dhe evropianet e dinë këtë fakt, prandaj janë përqendruar te Kosova. Problemi është se sa do të detyrohet Serbia të bëjë kthesën përfundimtare. A do të jetë ajo e gatshme ta heqë Kosovën nga Kushtetuta e saj?! A do ta lejojë Kosovën të bëhet anëtare e OKB-së?! Por edhe nëse e lejon, kjo nuk e zgjidh problemin, sepse do të ishte Rusia ajo që do ta bllokonte. Prandaj nuk është zgjidhje kushtëzimi I Serbisë me pranimin e Kosovës në OKB. Zgjidhje, aq sa mund të jetë e tillë, do të ishte njohja e Kosovës nga ana e Serbisë dhe anasjelltas”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat