A do të nënshtrohet Vuçiqi?/Skenari i bisedimeve Kosovë-Serbi, ja kërkesat për kryeministrin Kurti!

Politika

A do të nënshtrohet Vuçiqi?/Skenari i bisedimeve Kosovë-Serbi, ja kërkesat për kryeministrin Kurti!

M.Haziri Nga M.Haziri Më 13 nëntor 2022 Në ora: 21:56
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ditë më parë zhvilloi një takim në Paris, me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pak para nisjes së Forumit të Paqes në Paris.

Sipas një njoftimi të Qeverisë së Kosovës, temë diskutimi ishin zhvillimet e fundit në Kosovë, dhe dinamizmi i dialogut me Serbinë.

Gjatë takimit, Kurti theksoi se për normalizimin e plotë të marrëdhënieve nevojitet njohja reciproke.

Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori universitar, Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Ai u shpreh se takimet e Parisit u shfrytëzuan për të diskutuar më konkretisht rreth projektit franko-gjerman për një marrëveshje pajtimi midis Kosovës dhe Serbisë.

Gjithashtu, profesori theksoi se kryeministri Kurti duhet të insistojë që marrëveshja përfundimtare të mbyllet me njohje reciproke.

Ditët që shkuan presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti ishin në Paris dhe morën pjesë në ceremonitë e zhvilluara nga presidenti Macron. Aty ishin dhe liderë të tjerë të rajonit e të Evropës. Kjo veprimtari u shfrytëzua jo vetëm për t’u takuar dhe biseduar me presidentin francez, por edhe me përfaqësues të Bashkimit Evropian. Zoti Borrelll dhe zoti Lajçak ishin dy bashkëbiseduesit e zotit Kurti.

Takimet e Parisit u shfrytëzuan për të diskutuar më konkretisht rreth projektit franko-gjerman për një marrëveshje pajtimi midis Kosovës dhe Serbisë. Sigurisht që ky projekt për Kosovën është për t’u konsideruar seriozisht, por me rezerva sa i përket veçmas krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Megjithatë zoti Kurti deklaroi se kjo marrëveshje do të mbyllet me njohjen reciproke të të dy shteteve”, u shpreh ai.

Profesori parashtron pyetje nëse Vuçiq do ta pranojë një realitet të tillë?

A është e bazuar kjo? A mundet që Serbia të pranojë jo vetëm realitetin e një Kosove të pavarur, por edhe ta njohë atë? Si do ta presë këtë opsion presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq?

Sipas profesorit, është e vështirë të dihet se si do të veprojë Vuçiq, por se një marrëveshje finale është duke u afruar.

Është vështirë të thuhet, nëse kemi parasysh reagimet e Beogradit ndaj situatës në veri të Kosovës. Megjithatë unë besoj se ka një moment kur palët do ta pranojnë njëri-tjetrin. Ky moment nëse nuk është tani, po afrohet gjithnjë e më shumë. Prandaj dhe tensioni është bërë më i lartë. Gjithmonë kur dy palë në konflikt tensionojnë marrëdhëniet e tyre, atëherë si rregull kemi të bëjmë me afrimin e zgjidhjes përfundimtare. A shërben ky rregull në rastin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë? Besoj se Konferenca e Rambujesë erdhi si pasojë e tensionimit dhe ngritjes së shkallës së konfliktit e të luftës midis Serbisë së treshes Milosheviç-Vuçiq-Daçiq dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më pas erdhën bombardimet e NATO-s, si rezultat i dështimit të Rambujesë”, shpjegon profesori.

Edhe kur filloi lufta në Kosova pati diplomatë, midis tyre amerikanë, të cilët UÇK-në e quajtën terroriste. Qëllimi ishte që t’i japin motiv Milosheviçit të shtonte represionin në Kosovë e për pasojë të shkohej në një finish. Tani shohim që po i fërkohen krahët Aleksandër Vuçiqit. Qëllimi është ta shtyjnë atë në Aventura. Dhe duket se presidenti serb, sidomos kryeministrja, i kanë shtuar akuzat ndaj qeverisë Kurti për gjoja faktor destabilizimi në rajon. Me këtë mentalitet Beogradi shtyhet jo vetëm në refuzimin e projektit franko-gjerman, ashtu dhe në veprime dhunë në Kosovë, ose në veriun e saj”, shton tutje Bytyçi.

Veriu është objektivi

Nga ana tjetër profesori përmend dy gjëra që kryeministri Kurti nuk duhet të heqë dorë për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

“Tensionet janë mjeti për ta përfituar atë. Ashtu siç ishte Kosova e tërë objektiv i Milosheviçit dhe dhuna e gjenocidi mjeti për arritjen e këtij objektivi. Por nuk pres që të arrihet shpejt një marrëveshje midis palëve. Kurti duhet të këmbngul që në dy çështje, ashtu siç edhe po shprehet vetë: Së pari, të mos pranojë në asnjë rrethanë krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, së paku jo me kompetenca ekzekutive. Kjo është themelore. Një argument kundërshtimi do të ishte shtrimi i pyetjes: - Pse këtë lloj Asosacioni nuk e kanë hungarezët e Vojvodinës, myslimanët e Sanxhakut dhe shqiptarët e Kosovës. Nuk duhet kushtëzuar vetëm me Preshevën. Së dyti, zoti Kurti duhet të vazhdojë të insistojë në një marrëveshje me njohje reciproke, siç edhe ka kërkuar në takimet e tij në Paris, përfshirë dhe shefin e politikës së jashtme, Borrell. Arritja e këtyre dy objektivave do të ishte sukses i plotë, njëqind për qind, për Kosovën”, theksoi ai.

Sipas profesorit për Kosovën nuk duhet të luajë rol kohëzgjatja e bisedimeve.

Nëse palët janë larg me njëra-tjetrën, atëherë Kosova nuk ka pse brengoset për zgjatjen e kohës për nënshkrimin e marrëveshjes përfundimtare. Por jo nuk do të thotë se qeveria dhe kryeministri duhet të bëjnë bojkot të bisedimeve. Përkundrazi, duhet dëshmuar gjithnjë gatishmëri e plotë për pjesëmarrje, takime, bisedime e dialog. Ndërkohë qëndrimet duhen shpallur në takime e bisedime gjatë dialogut. Jo më parë. Kjo mundëson më shumë takime e bisedime. Dhe kjo mënyrë i dobëson përpjekjet e Beogradit për tensionimin e situatës dhe provokimin e luftës”, shton profesori.

Në fund, profesori universitar thotë se, është në dobi të Kosovës që bisedimet të zgjaten, sepse sipas tij ka mundësi që të shpallet dështimi i Moskës dhe në momentin kur Rusia tërhiqet nga Ukraina e sotme, bie përfundimisht ideja e Aleksandër Dugin për krijimin e Botës Ruse, dhe pastaj bie edhe Bota Serbe.

Ndërkohë takimet, nëse nuk rezultojnë me dakordësim të kërkesave të Kosovës, çojnë në më shumë kohëzgjatje të bisedimeve. Kohëzgjatja është në favor të palës së Kosovës, pra të shtetit të Kosovës. Sepse ka mundësi që të shpallet dështimi i Moskës jo vetëm për pushtimin e rajoneve lindore të Ukrainës, por edhe tërheqja e Rusisë nga Krimeja. Por edhe në momentin kur Rusia tërhiqet nga Ukraina e sotme, bie përfundimisht ideja e Aleksandër Dugin për krijimin e Botës Ruse, si motiv luftrash dhe aneksimesh. Me rënien e doktrinës ruse të Botës ruse, bie automatikisht versioni i Beogradit për Botën Serbe. Në këtë moment energjia e sinergjia serbo-ruse e krijimit të botës së këtyre virtuale shkarkohet. Për pasojë nuk do të ketë më motiv për pushtime të reja të Serbisë në Ballkan. Ndaj them se koha punon për Kosovën. E kam thënë dhe herë të tjera se dështimi i Rusisë në Ukrainë është edhe dështim i Serbisë në Kosovë e në Bosnjë-Hercegovinë! Atëherë vjen vetiu marrëveshja e dobishme për Kosovën dhe për rajonin” përfundoi Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat