“Albin Kurti ta padisë Dardan Molliqajn, e krahasoi qeverinë me regjimin e kryekriminelit Millosheviҫ”

Politika

“Albin Kurti ta padisë Dardan Molliqajn, e krahasoi qeverinë me regjimin e kryekriminelit Millosheviҫ”

Hava Orana Nga Hava Orana Më 14 nëntor 2022 Në ora: 11:43
Dardan Molliqaj, Albin Kurti

Deklarimi i ish-deputetit Dardan Molliqaj se ka ngjashmëri trajtimi i serbëve të veriut nga qeveria e Kosovës me trajtimin e shqiptarëve nga regjimi i Millosheviqit, ka bërë bujë të madhe. Ky deklarim duke mbajtur anën e Serbisë në këtë rast është pritur keq nga qytetarët, njerëzit e politikës e njohësit e këtyre ҫështjeve.

Lideri i Partisë Socialdemokrate, në një emision televiziv deklaroi pak ditë më parë se, ‘po i trajtojmë serbët në veri, ngjashëm si na trajtonte Millosheviçi neve’.

“Problemi në veri nuk mund të trajtohet me përdorimin e forcës dhe fuqisë. Mënyra si e kemi trajtuar problemin e veriut kohëve të fundit dhe serbët në veri, unë mendoj se ka rrezik dhe ka nga pak ngjashmëri me qysh na ka trajtu neve Millosheviçi”, ka deklaruar Molliqaj.

Sipas Molliqajt, me veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës, është dëshmuar që veriu kontrollohet nga Serbia.

“Mua më duket që Kurti e ka keqllogaritur masën e tij të reciprocitetit. Ne kemi qenë kundër sepse problemi nuk është ligjor në veri, por është politik. Tani na treguan që realisht veriun e kontrollon Serbia”, ka deklaruar ai.

Molliqja më pas ka kërkuar edhe falje publike, por, kjo duket se vështirë se e justifikon para opinionit.

Mirëpo, pas këtij deklarimi të tij, a duhet të merret drejtësia me të? A duhet të injorohet pjesëmarrja në debate televizive dhe jeta politike, e një politikani shqiptar që premton demokraci e drejtësi, e që hapur flet në favor të Serbisë?

Duhanaj: Ne shqiptarët nuk duam të bëjmë të njëjtën gjë që bën serbët me neve

Image
Leon Duhanaj

 

Lidhur me këtë ҫështje, për “Bota sot” kanë folur njohësit e politikës. Kështu, Leon Duhanaj thotë se, as Dardan Molliqaj dhe askush tjetër nuk mundet me nxjerrë konstatime e krahasime të tilla.

“Ne shqiptarët, as nuk e kemi forcën, por as nuk duam të bëjmë të njëjtën gjë që bën serbët me neve. Ndoshta edhe deklarata e Molliqajt mund të ketë qenë në kuptimin se shqiptarët nuk guxojnë të sillen në mënyrë refuzuese, përjashtuese me minoritetin serb dhe nëse e ka menduar në këtë mënyrë atëherë ka pas të drejtë. Ndoshta z. Molliqaj duke qenë në kërkim të një identiteti politik, pak sa po bën përpjekje për ta kopjuar Kurtin e mëhershëm dhe për këtë mendoj që e ka gabim”, vlerëson Duhanaj.

Megjithatë, nuk është i mendimit se duhet t’i ndalohet pjesëmarrja nëpër debate dhe jeta politike e tij.

“Por, pa e marrë parasysh atë çfarë thotë dhe si e thotë, për mendimin tim, ideja e ndalimit të shprehjes, është totalitare dhe e papranueshme në një shoqëri dhe shtet demokratik. TV-të organizojnë debate politike, e që për mendimin tim janë të kota. Megjithatë ato bazohen në shikueshmëri dhe si të tilla po duken të jenë të gjitha, pasi që në TV-të tona, me përjashtime minimale, nuk ka ndonjë program që ja vlen të shikohet dhe si të tilla mbeten debatet politike si alternativë për zbavitje”, vlerëson ai për ‘Bota sot’.

Mehmeti: Molliqaj duhet të paditet personalisht nga Kryeministri Albin Kurti për një deklaratë të tillë

Image
Faton Mehmeti

 

Ndërkaq, analisti tjetër politik, Faton Mehmeti ka dhënë një arsye pse Molliqaj është deklaruar në këtë mënyrë.

“Urrejtja ndaj Albin Kurtit ia ka verbuar arsyen Dardan dështakut, njeriut që kurrë nuk arriti të bëhet lider. Njeriu i dështuar gjithnjë gjen "fajtor" për të arsyetuar brenda vetes dështimet e tija. Rasti i tillë është i Dardan Molliqajt, i cili arriti të përgjasojë histori të pakrahasueshme, mes Millosheviçit dhe Kurtit”, thekson ai.

Sipas Mehmetit, Molliqaj duhet të paditet personalisht nga kryeministri Albin Kurti për një deklaratë të tillë.

“Për këtë gjë duhet të paditet personalisht nga Albin Kurti, dhe jo vetëm, por edhe të nis hetime prokuroria. E kam thënë dhe prapë e them, soji i Dardanit dhe vet Molliqajt duhet të ndalohen nga daljet në tv dhe media, të shpallët i padëshiruar. Serbia tashmë ka një njeri që ia mban anën, e të cilin shoqëria shqiptare moti kohë e ka bojkotuar dhe çuar në fund të pusit”, vlerëson ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat