A do të gjunjëzohet Serbia/ Frika nga përshkallëzimi Kosovë-Serbi, provokimet e saj në kufi!

Politika

A do të gjunjëzohet Serbia/ Frika nga përshkallëzimi Kosovë-Serbi, provokimet e saj në kufi!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 15 nëntor 2022 Në ora: 11:47
Forcat amerikane të KFOR-it në afërsi të Leposaviqit më 20 gusht 2022.

Shqetësimet në veri të vendit janë duke u rritur. Serbia po vazhdon me provokime, përveç me thirrje kërcënuese ndaj Kosovës, edhe me organizimin e lëvizjeve kriminale në veri.

Situata në mes të Kosovës dhe Serbisë në mungesë të një marrëveshje finale ende për shkak të mos pranimit të realitetit nga Serbia, vazhdon të shkojë drejt shqetësimeve.

Trysnia ndërkombëtare për një marrëveshje, dhe për t’i vazhduar bisedimet dypalëshe është duke u rritur gjithnjë e më shumë.

E së fundmi është Janusz Bugajski, eksperti për Ballkanin nga Qendra për Analiza të Politikës Evropiane (CEPA) që kërkon nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mos e shtyjnë njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai i tha ambasadorit gjerman në Kosovë, Joern Rohde se sa më shumë që shtyhet njohja reciproke, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq aq më shumë do ta destabilizojë rajonin.

“Ne e pamë se ku çuan thirrjet për “de-përshkallëzimin” me Putinin. Sa më gjatë të vonojnë BE-ja dhe SHBA-ja në shtyrjen e njohjes reciproke Serbi-Kosovë, aq më shumë Vuçiqi do ta destabilizojë rajonin”, ka shkruar ai.

Këtë koment, Bugajski e bëri pasi ambasadori Rohde shkroi se është “absurde të rrezikosh konfrontim të dhunshëm për targa”.

Sërish shqetësim ka shprehur edhe ambasada e Gjermanisë, sipas së cilës po vazhdon përshkallëzimi i situatës dhe raporteve Kosovë-Serbi.

“Ne e shohim me shqetësim përshkallëzimin aktual ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në një përgjigje të saj për media.

Mirëpo a guxojmë të rrezikojmë ta pranojmë një marrëveshje pa njohje nga Serbia, pasi e njëjta hapë sërish probleme pas disa vitesh?

Ahmeti: Serbia është e vetëdijshme se kjo marrëveshje do ta gjunjëzonte tejmase

Image
Hidajet Ahmeti

 

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, flet analisti politik, Hidajet Ahmeti.

Ai u shpreh se një marrëveshja do t’i hapte shtetit të Kosovës mundësi më të mëdha në fuqizimin e jashtëm dhe rritjen e numrit të njohjeve.

“Brenda propozimit, marrëveshjes është e nënkuptuar njohja de fakto nga Serbia. Në këtë kontekst, Kosova si shtet nuk do të pengohet në proceset integruese dhe anëtarësimi në mekanizma të rëndësishëm ndërkombëtar. Kjo marrëveshja do t’i hapte shtetit të Kosovës mundësi më të madhe në fuqizimin e jashtëm dhe rritjen e numrit të njohjeve”, u shpreh ai.

Analisti më tej, thotë që një pjesë e madhe e shteteve për të arritur te njohja de jure, fillojnë duke vendosur një bazament të njohjes de fakto.

“Serbia është e vetëdijshme se kjo marrëveshje do ta gjunjëzonte tejmase, pasi përfundimisht do të largonte ndikimin nga shteti i pavarur e legjitim. Një pjesë e madhe e shteteve për të arritur te njohja de jure, fillojnë duke vendosur një bazament të njohjes de fakto. Edhe shteti serb mbas një kohe do ta përgatiste opinionin e brendshëm për njohje de jure të shtetit të Kosovës”, theksoi analisti Ahmeti për “Bota sot”.

Kelmendi: Kosova kërkohet ta ruajë karakterin unitar të shtetit

Image
Muhamet Kelmendi

 

Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh që marrëveshja pa njohje nuk ka ndonjë vlerë nëse nuk ka zgjidhje të raporteve me shtetin serb.

“Plani franko-gjerman përcakton një bazë të platformës mbi të cilin kërkohet të bisedohet me shtetin serb. Nuk ka të dhëna se çka përmban plani. Të dhënat zyrtare mungojnë. Kemi vetëm deklarime jo të kompetencës mbi planin. Megjithatë, po themi se parashikohet një marrëveshje pa njohje reciproke në bazë? Këtu nuk ka shumë se çka të mendohet! Marrëveshja pa njohje nuk ka ndonjë vlerë nëse nuk ka zgjidhje të raporteve me shtetin serb”, tha profesori.

Më tej, ai thotë që procesi i propozimit të anëtarësimit të Kosovës në OKB bëhet në dy mënyra.

“Anëtarësimi i Kosovës në OKB bëhet në dy mënyra: Së pari, kur nuk ka veto në KS të OKB-së dhe së dyti, me 2/3 e votave në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. A mjafton marrëveshja, pa njohje me shtetin serb, për t’u anëtarësuar Kosova në OKB, nuk ka të dhëna se si shtetet me të drejtën e vetos do të vendosin. Fjala është këtu për Rusinë dhe Kinën”, theksoi ai.

Në fund, Kelmendi shtoi që një asociacion të komunave me shumicë serbe dhe në ato mënyra të organizimit dhe të kompetencave kurrë nuk duhet pranuar.

“Kështu duket se planifikon plani franko-gjerman! Megjithëse, nuk dihet saktësisht se si dhe çka përcakton? Një zgjidhje e tillë, edhe pa njohje, me anëtarësim në OKB, është pozitive në themel. Çdo gjë varet se si dhe çka me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Një i tillë i një etnie dhe me pushtet ekzekutiv, dëmton në themele shtetin unitar të Kosovës. Me atë organizim de-jure të këtyre komunave ndahet Republika. Këtë Asociacion të komunave me shumicë serbe dhe në këto mënyra të organizimit dhe të kompetencave kurrë nuk duhet pranuar. Kosova nuk funksionon me një Republikë serbe brenda saj. Një - etnia është kundër çdo norme të organizimit të vendit. Edhe me vet Kushtetutën e Kosovës ndalohet”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat