Vuçiq ka filluar të ‘dridhet’ nga humbja përballë Kosovës – ja si po tenton t’ua ‘shpërlaj trurin’ serbëve në veri!

Politika

Vuçiq ka filluar të ‘dridhet’ nga humbja përballë Kosovës – ja si po tenton t’ua ‘shpërlaj trurin’ serbëve në veri!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 5 dhjetor 2022 Në ora: 13:33
Aleksander Vuçiq

Kërcënimet e Serbisë ndaj integritetit të Kosovës po vazhdojnë, pas çdo përpjekje për vendosjen e sovranitetit në veri.

Kërcënimi i fundit, i shoqëruar edhe me deklarata vullgare, duke i fyer rëndë edhe europianët, dhe duke i kualifikuar për terroristë drejtuesit të shtetit të Kosovës, është bërë pak ditë më parë, sërish nga presidenti i Serbisë.

“Serbët në jug të Ibrit janë afër vendimit që të largohen nga të gjitha institucionet, dhe serbët nga veriu i Kosovës të mos lejojnë askënd të shkojë në veri. Situata është e tensionuar dhe njerëzit nuk do ta durojnë më terrorin e Kurtit”, kështu ka deklaruar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas takimit me Komisionarin e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Nuk dihet ende se çfarë po planifikon në të vërtetë Vuçiqi, a ka ndonjë plan konkret apo është thjesht një retorikë e radhës nga ana e tij.

Përveç kësaj, nuk dihet nëse do të arrijë që njëmend t’i bind të gjithë serbët në veri që ta bllokojnë këtë pjesë të veriut.

Por, për asnjë nga këto deklarime, si kërcënimet si fyerjet bizare dhe akuzat shpifëse, nuk ka marrë asnjë kundërpërgjigje zyrtare nga institucionet e Kosovës.

Analistët për “Bota sot” komentuan këtë kërcënim skandaloz të Vuçiqit dhe mesazhin që fshihet pas saj.

Elezaj: Nuk janë retorikë e Vuçiqit, veçse plan dhe skenar i sofistikuar kundër Kosovës

Image
Rexhep Elezaj

 

Opinionisti Rexhep Elezaj në prononcimin e tij për “Bota sot” të gjitha deklaratat, provokimet e Vuçiqit i vlerësoi si pjesë të një plani të mirë menduar kundër Kosovës dhe jo vetëm thjesht retorikë.

“Kërcënimet dhe fyerjet e vazhdueshme të presidentit racist të Serbisë, ose të Vasa Çubrilloviçit të ri serb, A. Vuçiqit, ndaj Kosovës dhe 2 milionë shqiptarëve, herë duke e sjellë ushtrinë pranë kufijve të Kosovës, herë duke armatosur grupe kriminale në veri, pastaj manipulimi ekstrem me Listën Serbe dhe serbët lokalë në veri, duke e gënjyer dhe mashtruar opinionin serb dhe atë ndërkombëtar, se gjoja po provokojnë institucionet e “rrejshme dhe të përkohshme të ashtuquajturës Republika e Kosovës” (duke u munduar të përdorë shprehjet që ndërkombëtarët ia atribuonin para pavarësisë së Kosovës), urdhri i tij i bërë Listës Serbe, policisë dhe gjyqtarëve serbë që të gjithë të tërhiqen nga institucionet e Prishtinës, ofendimet tejet të pista ndaj kryeministrit Albin Kurti, si “llum terrorist”, si dhe shpifje pas shpifje dhe rrenë pas rrene, se shqiptarët po duan t’i dëbojnë gjithë serbët nga Kosova, etj., etj., në asnjë rast nuk janë retorikë e Vuçiqit. Pra, këto janë të bëra me plan dhe sipas një skenari të sofistikuar të aparatit shtetëror hegjemonist të Serbisë, që përmes politikës zyrtare dhe propagandës së ndytë mediale, kanaleve televizive, shtypit dhe gazetave ditore, si dhe përmes agjencisë sekrete BIA dhe agjenturave tjera të fshehta, duan që me çdo kusht ta ri-pushtojnë Kosovën në çastin më të volitshëm të mundshëm, pranë faktit se Vuçiqi dhe pushtetarët servilë rreth tij, e dinë mirë se në Kosovë sigurinë e mbajnë forcat e KFOR-it, dhe ku amerikanët e kanë bazën ushtarake më të madhe në botë, e quajtur Bondsteel”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Elezaj beson se çdo veprim i presidentit serb ndërlidhet me qëllimet e tij për zhbërjen e pavarësisë së Kosovës dhe ndarjen e veriut të vendit tonë.

“Është kështu për faktin, sepse çdo veprim i A. Vuçiqit, si president i Serbisë dhe si vendimmarrës i fundit në politikën fashiste dhe hegjemoniste të Serbisë ndaj Kosovës, dhe jo vetëm, së pari të dhënat nga Kosova dhe diplomacia perëndimore studiohen dhe elaborohen deri në detaje brenda SANU-së, Kishës ortodokse serbe, pastaj analizat e bëra nëpër institutet e specializuara për politikë, demografi dhe çështje juridike, që të gjitha me një qëllim të përbashkët, se si ta kthejnë Kosovën nën Serbi, sesi ta zhbëjnë pavarësinë e saj, dhe, poqe se kjo dështon, atëherë si ta ndajnë veriun e Kosovës me të gjitha pasuritë e tij mbi dhe nëntokësore”, nënvizoi opinionisti.

Më tej, ai potencoi se të gjithë këta skenarë janë bërë që të defunksionalizohen deri në paralizë të plotë politike dhe juridike institucionet shtetërore të Kosovës.

“Pra, që të gjitha këto skenarë i kemi parë dhe përjetuar në 10-12 vitet e fundit, mbase në kontekst të gjithë kësaj politike barbare dhe antishqiptare, duhet radhitur patjetër, dialogun Kosovë-Serbi, i cili për 10 vite sa ka vazhduar, Kosovës nuk i ka sjellë asnjë dobi, përkundrazi e ka dëmtuar tejmase profilizimin e pavarësisë së saj përmes rrenave dhe propagandës serbe në qarqet ndërkombëtare, sidomos e kanë penguar shtet-ndërtimin e saj përmes shantazheve dhe provokimeve të vazhdueshme, të cilat Lista Serbe ia ka bërë Kuvendit të Kosovës, siç e kanë bërë edhe manipulimin e plotë të rezultateve të zgjedhjeve lokale dhe parlamentare në Kosovë (14 shkurt 2021), me qëllimin më djallëzor që shtetin e pavarur të Kosovës ta defunksionalizojnë deri në paralizë të plotë politike dhe juridike të organeve shtetërore të Kosovës”, nënvizoi Elezaj.

Ndër të tjera, ai kërkoi bashkëpunim më të fortë në mes opozitës dhe pozitës, në mënyrë që t’i bëhet ballë politikave fashiste të shtetit serb, të cilat nuk do të ndryshojnë derisa Vuçiqi vazhdon të jetë në krye të udhëheqjes.

“Presidenti serb A. Vuçiq dhe qeveria e tij në pushtet bashkë me disa parti nacionaliste në koalicion qeverisës, derisa këto ta kenë pushtetin në Serbi, ato kurrë nuk do ta ndryshojnë politikën e tyre fashiste dhe imperialiste ndaj shqiptarëve dhe Kosovës, pra derisa në pushtet të jetë A. Vuçiqi me partinë e tij radikale dhe simotrat e saj në opozitë, të cilat kur është në pyetje Kosova, ato nuk ndryshojnë fare nga njëra tjetra.

Prandaj, si mungesë tepër të dëmshme në spektrin politik shqiptar në Kosovë, e shoh mosbashkëpunimin dhe kacafytjet e pakuptimta pozitë-opozitë, por edhe mungesën e një Platforme unike brenda institucioneve shtetërore të Kosovës, si bazë veprimi strategjik dhe unik kundrejt politikës kriminale të Serbisë, pa demaskimin e të cilës në Ballkanin Perëndimor nuk do ketë kurrë paqe dhe as stabilitet”, përfundoi Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

Mehmeti: Nuk besoj se Vuçiqi ka mundësi ta bllokojë lëvizjen në veri të kontrolluar nga KFOR-i

Image
Faton Mehmeti

 

Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti vlerësoi se presidenti serb po bënë propagandë, pasi e ka ‘nuhatur’ humbjen në veri.

Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se përmes politikës së Millosheviçit, Vuçiqi po tenton t’i mbulojë dështimet e tij. “Vuçiqi po humb përballë vendimeve të Qeverisë së Kosovës, serbët në veri po e shohin një gjë të tillë. Në pamundësi të fitoreve, Vuçiqi po bën propagandë, njësoj si idoli i tij Millosheviçi. Duke ndjekur politikën e Millosheviçit, Vuçiqi po tenton të mbulojë dështimet e veta”, deklaroi analisti.

Sipas tij, Vuçiqi vetëm po e tregon fytyrën e tij të vërtetë dhe frika më e madhe është humbja e mbështetjes nga serbët e Kosovës.

“Në anën tjetër, Vuçiqi edhe po tregon fytyrën e tij të vërtetë, të luftënxitësit. Vetëm me trazira mund të ngadalësojë humbjet e veta. Frika e tij është humbja e mundshme e mbështetjes nga serbët e Kosovës, kryesisht në veri me çka edhe do merrte fund propaganda e tij në "mbrojtje të serbëve””, nënvizoi ai.

Në fund, analisti potencoi se kjo është vetëm një propagandë e tij nga humbjet që po pëson përballë Kurtit.

“Nuk besoj se Vuciqi ka mundësi të bllokojë lëvizjen në veri të kontrolluar nga KFOR-i, kjo është vetëm propagandë e tij nga humbjet që po pëson përballë Kurtit”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat