Koha për dërgimin e FSK-së në veri? Ekspertët e sigurisë flasin për mundësitë, rreziqet dhe pengesat

Politika

Koha për dërgimin e FSK-së në veri? Ekspertët e sigurisë flasin për mundësitë, rreziqet dhe pengesat

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 8 dhjetor 2022 Në ora: 20:06
Ushtria e Kosovës

Të martën që kaloi u raportua për shpërthime të njëpasnjëshme në veri të Mitrovicës.

Shpërthime pati edhe mbrëmjen e së mërkurës, derisa shqetësimi i qytetarëve të asaj pjese për vazhdon të rritet.

Policia e Kosovës deklaroi se grupe dhe persona të maskuar, duke përdorur “mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav” sulmuan zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti tha se nga këto shpërthime nuk ka të lënduar.

“Kanë ndodhur dy shpërthime me shok bomba. Nuk ka dëme e as të lënduar. Një është hedhur në një udhëkryq në Lagjen e Boshnjakëve dhe një në Kodrën e Minatorëve. Ka shtëpi të banuara në afërsi, mirëpo nuk ka të lënduar. Këto janë shok bomba, nuk kanë aftësi shkatërruese, por kanë një efekt jashtëzakonisht të madh të zërit”, ka thënë Hoti.

Gjithë kjo situatë po e shton nevojën për praninë më të madhe të organeve të sigurisë në veriun e vendit. Derisa Policia mund të lëviz në mbarë Kosovën, një gjë të tillë nuk mund ta bëjë Forca e Sigurisë së Kosovës.

FSK sipas një marrëveshjeje të mëhershme duhet të autorizohet nga komandanti i KFOR-it para çdo dislokimi në veri të Kosovës.

Por, cilat janë mundësitë e ndryshimit të kësaj marrëveshjeje? Lidhur me këtë gazeta “Bota sot” ka biseduar me ekspertë të sigurisë, të cilët thonë se një dërgim i mundshëm i FSK-së në veri në situatën aktuale do ta përshkallëzonte gjendjen e sigurisë atje.

Halimi: Lëvizja dhe vendosja e ushtrisë së Kosovës në territor të vendit duhet bërë në kohë situatash të qeta, konform mandatit që ka

Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se vendosja e FKS-së në veri duhet bërë konform mandatit që ka, duke shtuar se një gjë e tillë është e vonuar.

Image
Armend Halimi

Ai thotë se çdo veprim që ndërmerret duhet të jetë në koordinim me prezencën ndërkombëtare.

“Lëvizja dhe vendosja e ushtrisë së Kosovës në territor të vendit duhet bërë në kohë situatash të qeta, konform mandadit që ka. Madje, një gjë e tillë është e vonuar. Ndryshe, çdo lëvizje në këtë gjendje politike dhe të sigurisë, përkthehet si përshkallëzim i krizës.

Andaj konsideroj se gjendja e tillë mund të menaxhohet nga forcat speciale të Policisë. Por edhe në rast se autoritetet vendosin për një veprim të tillë, duhet të jetë lëvizja graduale dhe sa më pak bujë, dhe gjithherë në koordinim me prezencën ndërkombëtare, përkatësisht forcave tjera të sigurisë”, deklaron Halimi.

Tërnava: KFOR është garantues i veriut

Kurse, eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava, thotë se për sulmet që po ndodhin në veri të Kosovës garantues i sovranitetit, është KFOR-i.

Image
Hajrullah Tërnava

“Situata në veri të Kosovës mund të eskalojë edhe në konflikt, qysh nga dorëheqjet e punonjësve serbë që kanë punuar nëpër institucione të Kosovës, e sikur që janë Lista Serbe me deputetët nga Kuvendi i Kosovës, gjyqësia, prokuroria, policia dhe të tjerat institucione nga ana e serbëve. Por mos të harrojmë se për ato pjesë të veriut si garantuese të sovranitetit të Kosovës, është KFOR-i, si pjesë përbërëse e NATO-së që është, prandaj Serbia e ka në kujtesë se si u nda në atë luftën e vitit 1999 me NATO-në, kur është dashur ta nënshkruaj kapitullimin e Kumanovës, dhe nga ajo kohë e deri më tani që kanë kaluar 23 vite në këta kufij nuk ka pasur asnjë ekses ushtarak kufitar mes forcave të Serbisë dhe të KFOR-it.

Ai deklaron se sikur të ndodhts diçka, ushtria është funksionale dhe do të kyçej, por sipas tij, deri më tani nuk ka sinjale.

Madje, ai shton se po të ndodhte diçka do të mobilizohej i tërë populli dhe do t’i del zot shtetit të Kosovës, kur dihet që Kosova me shekuj është e sulmuar nga Serbia.

“Kosova tani e ka edhe ushtrinë e saj funksionale si FSK dhe sikur të ndodhte ndonjë lufte edhe ajo do të kyçej në atë luftë. Prandaj, nënkuptohet kjo se lejon për këtë kyçje në luftë do ta lejonte KFOR-i, meqenëse deri më tani nuk ka sinjale të tilla që ajo të është në gatishmëri, edhe nuk ka lëvizje të FSK në atë drejtim. Sikur të ndodhë që një luftë po përgatitet në këta kufij, është e kuptueshme se edhe FSK dhe policia e Kosovës dhe i tërë populli i saj do të jenë të gatshëm t’i sakrifikojnë jetët e tyre për atdheun e tyre. Tani populli i Kosovës me institucionet e saj më nuk është në ato vitet 1990-1999 e okupuar deri në fyt, por i tërë populli do të mobilizohej dhe do t’i del zot shtetit të Kosovës, kur dihet që Kosova me shekuj është e sulmuar nga Serbia, gjë që këtë tani e din edhe e tërë bota. Prandaj edhe shtetet mike që tani nuk janë të pakta do t’i qëndrojnë në përkrahje dhe afër popullit të Kosovës në mbrojtje të saj, e që mund të ndodhë që tani Kosova do të ngadhënjej në këtë pikëpamje dhe mund t’i çlirojë edhe ato pjesët që nuk janë të harruara të okupimit që nga ajo kohë që na i ka bërë Serbia e deri më sot, e që janë që nga viti 1878 e deri më tani. Prandaj, një luftë që ndodhë me Serbinë, edhe shtetet mike që dikur i kanë pasur gjynahet e veta sepse e kanë lejuar okupimin e tokave shqiptare me kongrese të ndryshme, e që armiqtë tonë nga ato kohëra, dhe të armiqve të atyre që dikur na patën harruar e që tani po na qëndrojnë afër, se janë bindur që shqiptarët kurrë nuk kanë okupuar troje të huaja, e këta jane miq të tërë si SHBA, Britania e madhe-Anglia, Gjermania etj…!”, thotë Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat