“Kufijtë e vizatuar ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit”- A është ky qëllimi i rebelimit të bandave kriminale serbe në veri?

Politika

“Kufijtë e vizatuar ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit”- A është ky qëllimi i rebelimit të bandave kriminale serbe në veri?

M. Lakna Rugova Nga M. Lakna Rugova Më 9 dhjetor 2022 Në ora: 18:57
Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi

Ditëve të fundit situata në veriun e Kosovës ka qenë nën tension të vazhdueshëm. Atje janë aktivizuar grupet kriminale serbe të cilat me anë të mjeteve shpërthyese e të shtënave me armë, po i terrorizojnë qytetarët duke futur frikë dhe shqetësim tek ata.

Kjo situatë vjen para mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat veriore, ish kryetarët e të cilave dhanë dorëheqje pas fillimit të zbatimit të vendimit për targat, nga Qeveria e Kosovës.

Të enjten Ministria e Punëve të Brendshme ka shtuar praninë e Policisë në pjesën veriore të Mitrovicës.

Ky veprim nuk iu ka pëlqyer atyre që drejtojnë bandat kriminale në atë pjesë.

Drejtori i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviç, ka deklaruar se Beogradi do të mendojë kthimin e deri në 1000 forcave serbe të sigurisë në territorin e Kosovës “siç parashikohet në Rezolutën 1244, veçanërisht nenin 4 të kësaj rezolute, si dhe nenin 6 të Aneksit 2”.

Të premten, ndaj kësaj deklarate ka reaguar Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e cila ka thënë se në territorin e Kosovës s’do të ketë kurrë më as policë dhe as ushtarë të Serbisë, përcjell Bota sot.

Ajo ka kërkuar urgjentisht që të sillen para drejtësisë autorët e sulmeve të fundit në veri të Kosovës, ku u plagos një polic dhe u sulmua një ekip gazetarësh.

“Kërcënimi i hapur për agresion policor e ushtarak nga ana e Serbisë dëshmon se në atë shtet vazhdon mendësia hegjemoniste. Kjo duhet të refuzohet e kundërshtohet qartë nga e gjithë bota demokratike, e cila i dha goditjen më të fuqishme kësaj mendësie pikërisht në vitin 1999. Plagosja e mbrëmshme e një pjesëtari të Policisë së Kosovës është veprim kriminal dhe i orientuar kundër rendit kushtetues e sovranitetit të Kosovës si dhe kundër veprimeve për sundim të rendit e ligjit. Gjithashtu, sulmet ndaj gazetarëve përbëjnë cenim flagrant të të drejtës për informim të lirë. Autorët e këtyre krimeve, urgjentisht të sillen para drejtësisë, ndërkaq institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë menjëherë. Në territorin e Republikës së Kosovës kurrë më nuk do të ketë policë dhe ushtarë të Serbisë! Ëndrra hegjemoniste e Serbisë nuk do të jetësohet kurrë”, ka deklaruar presidentja.

Këtë situatë për gazetën “Bota sot” e ka komentuar analisti Gani Qarri.

Ai ka treguar se kjo gjendje dëshmon se Serbia po e merr pajtimin e heshur të Rusisë por edhe shteteve evripiane e emisarëve, për nxitjen e një kryengritjeje të kufizuar në veri.

Image
Gani Qarri.

“Gjendja e krijuar në veri, dëshmon qartë se Serbia ka marrë jo vetëm pëlqimin e Rusisë por edhe pajtimin e heshtur të disa shteteve evropiane e pjesërisht edhe të emisarëve amerikanë, për nxitjen e një kryengritjeje të kufizuar në veri, në mënyrë që pas një propagande të fuqishme alarmuese para opinionit ndërkombëtar, Serbia fashiste ta shfrytëzojë rebelimin e porositur të bandave serbe, prej Vuçiqit, për ndërhyrje ushtarake dhe okupimin e pjesës veriore të Kosovës, në kufijtë e vizatuar ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit, në takimet e tyre, të hapura dhe konfidenciale.

Për më keq, tendencës hegjemoniste serbe për okupimin e veriut, jo vetëm që po u fryjnë fort, por edhe vijojnë ta arsyetojnë në mënyrë tërësisht të qëllimshme edhe disa eksponentë shqipfolës, të inkriminuar partiakë, banalistëë, politikanë dhe profesor të dyshimtë, që pas çdo alarmi në veri, na dalin me definicione, për faljen e kësaj pjese të vendit tonë Serbisë dhe ndarjen e ri copëtimin e serishëm të Kosovës, të cilët shihet hapur, se janë vënë publikisht në favor të ideve serbomëdha, për okupimin e veriut të Kosovës nga Serbia”, ka thënë ai.

Për Qarrin, është e pamundur të kuptohet, se si i bashkohen kaq lehtë edhe disa shqipfolës gjithë kësaj propagande gebelsiane të Vuçiqit, Vulinit, Petkoviqit, Bërnabiqit etj, kundër Kosovës .

“Është e pamundur të kuptohet, se si i bashkohen kaq lehtë edhe disa shqipfolës gjithë kësaj propagande gebelsiane të Vuçiqit, Vulinit, Petkoviqit, Bërnabiqit etj, kundër Kosovës, të cilët pas plagosjeve që po u shkaktojnë bandat kriminale serbe zyrtarëve shtetëror të Kosovës, së fundi kërcënojnë publikisht edhe me agresion ushtarak dhe vendosjen e 1000 ushtarëve dhe policëve të Serbisë në Kosovë.

Madje dhemb shumë fakti, kur sheh se, edhe në momente kaq kritike për shtetin tonë, profesor të "njohur" e me nam, ti trumbetojnë idet serbe, se kinse veriu paska qen i ndarë që nga 1999, duke ju bashkuar kështu, publikisht dhe pa kurrfarë sikleti, planit serbo-rus, që pas dëbimit të mbi 14 mijë shqiptarëve nga veriu, të bëhet edhe pushtimi praktik ushtarak serb, i Ujmanit, minierave të Trepçës dhe tërë Veriut të Kosovës, dhe vendoset kufiri në lumin Ibër, siç pretendohet hapur, jo vetëm nga Vuçiqi, Vulini e Petkoviqi por edhe nga politikan të nivelit më të ulët ekstremist në Serbi”, ka nënvizuar ai.

Nga ana tjetër, ai ka thënë se futja e 1000 trupave ushtarake serbe në Kosovë ,mund të ndodhë vetëm nëse Serbia ka arritur paraprakisht marrëveshje konspirative me fuqitë e mëdha evropiane.

“Ndërsa sa i takon kërcënimit nga Vuçiq, Petkoviq, Bërnabiq etj, për futjen e 1000 ushtarëve serb në veri të Kosovës, është plotësisht e qartë, se një gjë e tillë, mund të ndodhë vetëm, nëse Serbia ka arritur paraprakisht marrëveshje konspirative me fuqitë e mëdha evropiane dhe udhëheqës të caktuar të departamentit të jashtëm të SHBA-ve, si emisarët për Ballkanin Perëndimor, përndryshe Kosova e vitit 2022 nuk është më, ajo e vitit 1999, dhe nuk ka mundësi të ndodhë intervenim i jashtëm ushtarak serb, pa një rezistencë të organizuar, qoftë edhe sado modeste të forcave mbrojtëse të Republikës së Kosovës, të cilat janë të gatshme, ta mbrojnë me të gjitha mjetet dhe mundësitë, territorin e shtetit tonë, në të gjithë cepat e Kosovës”, ka potencuar ai.

Ai rikujtoi se ShBA dhe Britania, kriminelët kontrabandistë të Veriut Milan Radojçiq, Zvonko Veselinoviq, tregtarin e inkriminuar të armëve Sllobodan Teshiq etj, i kanë sanksionuar dhe vendosur në Listën e Zezë.

“Prandaj habit shumë fakti se si, profesor, politikan, analist dhe kush e di çfarë tjetër, të gjithë shqipfolës dhe qytetar të Republikës së Kosovës, i bashkohen kaq lehtë dhe në mënyrë kaq banale propagandës gebelsiane të Serbisë dhe të mos dënojnë veprimet e kriminelëve serb, të cilët përveçse dogjën zyrat e KQZ-së, kanë filluar ti tmerrojnë edhe qytetarët duke plagosur edhe policinë e Kosovës me armë zjarri dhe shëtitur të maskuar në pjesët më delikate të veriut, përderisa pas SHBA-ve edhe Anglia, kriminelët kontrabandist të Veriut Milan Radojçiq, Zvonko Veselinoviq, tregtarin e inkriminuar të armëve Sllobodan Teshiq etj, i kanë sanksionuar dhe vendosur në Listën e Zezë edhe të Mbretërisë së Bashkuar për shkak të përfshirjes në vrasjen e Oliver Ivanoviqit edhe në krim të organizuar ndërkombëtar”, ka shtuar analisti.

Sipas analistit veprimet e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e rendit dhe të ligjit në veri janë normale.

“Kurse krejt ajo që në këtë gjendje delikate, ndërmerr aktualisht Qeveria e Kosovës, për vendosjen e rendit dhe të ligjit në veri, është normale dhe plotësisht e obliguar, në bazë të Kushtetutës, që ta bëjë, për mbrojtjen dhe mbajtjen nën kontroll të shtetit dhe të ligjit, edhe të kësaj pjese të pandashme të vendit tonë, përderisa element të caktuar partiak, politik dhe "intelektual" të inkriminuar shqipfolës, po i japin krah, kryengritjes së bandave kriminale serbe në veri, në krye me Milan Radojçiqin dhe banditët tjerë të shkolluar nga Vuçiqi, për ndarjen dhe shkatërrimin e shtetit të Kosovës, tendenca e të cilëve, përpos gjuajtjeve dhe plagosjeve të zyrtarëve shtetëror të Kosovës, që përditë e më tepër, po shpeshtohen, është që të kthehet në kryengritje, dhe agresion ushtarak të Serbisë për okupimin me forcë, të veriut të Kosovës, si akti më dhembshëm që nëse ndodhë, po ndodhë edhe me kontributin e pakursyer të shqiptarëve të dyshimtë të cilët janë vënë hapur, në anë të Serbisë!”, ka përfunduar analisti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat