Kërcënime, shpërthime e gjuajtje të Policisë – Juristi: Hyrja e Kosovës në NATO, i jep fund çmendurisë serbe!

Politika

Kërcënime, shpërthime e gjuajtje të Policisë – Juristi: Hyrja e Kosovës në NATO, i jep fund çmendurisë serbe!

Nga: Nehat Shaqiri Më: 9 dhjetor 2022 Në ora: 23:10
Policia e Kosovës në veri

Serbia po vazhdon lojën e rrezikshme në veri.

Mbrëmë ata sulmuan policinë e Kosovës, ku një pjesëtar mbeti i plagosur.

Përveç kësaj, politikanët serbë po kërcënojnë edhe me futjen e trupave ushtarake në Kosovë.

Ishte shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, që tha se Serbia “do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë” në Kosovë.

Ky veprim tha se do të merret në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.

Petkoviq i bëri komentet mbrëmjen e së enjtes, pak orë pasi Policia e Kosovës njoftoi se ka rritur praninë e saj në veri të Kosovës – pjesë e banuar me shumicë serbe.

Petkoviq tha se 300 deri në 350 policë të Kosovës – përfshirë pjesëtarë të forcave speciale ROSU – “kanë okupuar dhe bllokuar” Mitrovicën e Veriut.

Në lidhje me këtë çështje, jursiti dhe njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani, thotë se, KFOR-i dhe EULEX-i duhet të kujdesën për një mjedis të qetë, por shton se për të ndodhur kjo duhet të çarmatosin bandat serbe.

Image
Blerim Burjani

“KFOR-i dhe EULEX-i, duhet të kujdesen për një mjedis të qetë. Për të ndodhur kjo duhet të angazhohen që të çarmatosin bandat serbe kriminale të cilat kanë marrëveshje me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq për t’u pasuruar”, thotë Burjani për gazetën “Bota sot”.

Juristi shton se kjo marrëveshje në mes të Vuçiqit dhe bandave serbe duhet të përfundoj në një mënyrë.

“Policia e Kosovës duhet të shërbej vetëm në logjistikë në kapjen e bandave të cilat kryejnë krime në veri dhe ikin në Serbi. Pra duhet angazhim më në fund që të jetë i qartë nga BE dhe SHBA. Këtu duhet të përdoren dy çasje për të sjellë paqen dhe sigurinë për të gjithë në veri, në të kundërtën mbetet kështu. Pra nuk ka dhe asnjëherë nuk do të ketë epilog përfundimtar”, thekson Burjani.

Ai ripërsëritë se, Kosova duhet të shërbej vetëm si logjistikë në sjelljen e paqes në veri.

“Duhet gjetur mënyrën se si arrihet paqe e përhershme, në të kundërtën kjo gjendje do të mbetet edhe 100 vjet e njëjtë”, shton ai.

Sipas tij, ushtria serbe dhe Vuçiqi vetëm mund të ëndërrojnë Kosovën, por me hy brenda saj asnjëherë.

“Ideja serbe gjithmonë do të jetë e njëjtë, përderisa Kosova të hyjë në NATO. Hyrja sa më parë e Kosovës në NATO, do të jetë edhe fundi i çmendurisë serbe”, thotë tutje Burjani.

Juristi më tej shton se, është për të ardhur keq që po ndodhë një cirk e hajgare me BE-në dhe SHBA-në.

“Vuçiqi po i kërcënohet të gjithëve edhe BE-së edhe SHBA-së, ndërsa këta po shikojnë dhe vështrojnë lojën qesharake të Vuçiqit me të gjithë. Ndërsa Kosova nuk ka nevojë të jetë pjesë e çmendurisë serbe, dhe as që duhet të merrët me ta. KFOR-i është aty nëse do le të hyjë në luftë edhe njëherë me tërë botën”, potencon ai.

Burjani e quan budallak këtë që po e bën Vuçiqi.

“Sa më parë duhet të vetëdijësohet SHBA dhe BE, pasi Vuçiqi nuk njeh zgjidhje paqësore e as nuk njeh asnjë model demokratik për të normalizuar raportet. Garancion për të shuar ëndërren serbe për kthim në Kosovë, është kur Kosova të bëhet anëtare e NATO-s”, përfundon Blerim Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat