Paralajmërohet rrëzimi i Ramës/ Ky është skenari që e pret!

Politika

Paralajmërohet rrëzimi i Ramës/ Ky është skenari që e pret!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 10 dhjetor 2022 Në ora: 08:19
Edi Rama

Shqipëria pati dy ngjarje të ndryshme në të njëjtën ditë, këtë të martë. Një prezantim zyrtar të Shqipërisë si asnjëherë më parë, ku veç tjerash u përcollën imazhe të jashtëzakonshme të trashëgimisë shqiptare. Dhe në anën tjetër një protestë që përçonte mesazhet e pakënaqësisë qytetare, që veç tjerash po çon pamëshirshëm në zbrazjen e vendit. Në këtë ngjarje të dytë, pati edhe një zhvillim të papritur. Publikisht u sulmua lideri historik i PD-së, Dr.Sali Berisha.

Në samitin e BE-së në Tiranë është nënshkruar marrëveshja e tarifave roaming mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian.

Sipas marrëveshjes do të kemi tarifa më të ulëta kur shkojmë në vendet e Bashkimit Europian. Kjo është marrëveshja e parë që është nënshkruar nga përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor.

Ndërsa, protesta ka qenë e tensionuar pasi në mesin e protestës një person 31 vjeçar, i quajtur Gerti Shehu ka grushtuar ish-kryeministrin dhe ish-presidentin e Shqipërisë, Sali Berishën.

Sulmi ndodhi teksa Meta dhe Berisha po shkonin drejt bulevardit që t’i bashkoheshin dhjetëra-mijëra protestuesve.

Menjëherë pas sulmit, kreu i PD-së është ngjitur në podium dhe ka dhënë një mesazh të shkurtër.

“Poshtë Edi Rama. Rroftë opozita shqiptare. Kundër regjimit të kriminelëve. Nder përjetë protestuesve”, ka thënë Berisha.

Berisha ka vazhduar edhe të enjten ta akuzojë sulmuesin si agjent i policisë së krimeve.

Por, sulmi është dënuar nga diplomacia e SHBA-ve, e Britanisë së Madhe, etj., si dhe nga të gjitha autoritetet përfshirë kundërshtarët politik si Rama, Basha, Alibeaj etj.

Por, a mund të prodhojë rritja e pakënaqësisë në Shqipëri, atë që Berisha po e synon rrëzimin e qeverisë Rama?! Dhe cila ishte dobia e Samitit të BE-së në Tiranë?

Mehmeti: Berisha është lokomotivë për të rrëzuar regjimin e narko-htetit

Analisti politik, Faton Mehmeti, në një bashkëbisedim me “Bota sot” thotë që protesta ka qenë e dobishme dhe se kjo protestë do të bëjë që zyrtarët e BE-së t’ia tërheqin veshin Ramës.

“E vlerësoj të dobishme dhe të duhur protestën, edhe vet BE-ja ka reaguar para këtij takimi për respektim të lirisë së shprehjes. Kur dihet se gjendja në Shqipëri është e rëndë, humbja e shpresës dhe besimi tek qytetarët ka bërë që të ngrihen nën patronatin e Sali Berishës. Nuk shoh ndonjë gjë jo të mirë nga kjo protestë, as hije të keqe përveç se reagim ndaj asaj që nuk durohet. Jam i bindur se kjo protestë do të bëjë që zyrtarët e BE t’ia tërheqin veshin Ramës për gjendjen e vështirë në Shqipëri”, thekson ai.

Image
Faton Mehmeti

Në fund, analisti thotë që protesta ka qenë e duhur, por edhe ka sjell dobi, tani e tutje Rama do të ketë shumë dyer të mbyllura në vendet e BE-së.

“Ka kaluar koha kur liderët e opozitës bënin pazare me Ramën. Berisha është lokomotivë për të rrëzuar Ramën me shqiptarët që janë ngritur për të rrëzuar regjimin e narko-shtetit. Edhe një herë po e ritheksoj, protesta ka qenë e duhur, por edhe ka sjell dobi, tani e tutje Rama do të ketë shumë dyer të mbyllura në vendet e BE-së pikërisht për shkak të korrupsionit në vend dhe largimin e madh të shqiptarëve nga Shqipëria”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

Eliminimi i Ballkanit të hapur të Vuçiqit dhe Ramës

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Sulejman Mehazi. Ai u shpreh se Samiti evropian i mbajtur në Tiranë, gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor ju ka dhënë një orientim të dobishëm drejt BE-së e kundër Rusisë përveç Serbisë.

“E mira tjetër e Samitit të BE-së në Tiranë është se eliminon Ballkanin e hapur të Vuçiqit dhe Ramës”, shtoi më tej profesori.

“Samitit i BE-së në Tiranë për shtetet e Ballkanit Perëndimor është shumë i dobishme për paqen, sigurinë dhe marrëdhëniet e mira politike, ekonomike, ndërfqinjësore e diplomatike jo vetëm për BE-në, por edhe për vetë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Samiti evropian i mbajtur në Tiranë gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor ju dha një orientim të dobishëm drejt BE-së e kundër Rusisë përveç Serbisë. Dhe nuk do ishte keq që Samiti i BE-së i mbajtur në Tiranë të distancohej nga Serbia e cila përkrah Rusinë e Putinit në luftën në Ukrainë dhe do duhej të sanksionohej Serbia nga BE-ja dhe pesë shtetet e Ballkanit. E mira tjetër e Samitit të BE-së në Tiranë është se eliminon Ballkanin e hapur të Vuçiqit dhe Ramës. Mirëpo e keqja e Samitit të BE-së në Tiranë është partia opozitare e PD-së në krye me Sali Berishën e cila mu në kohën dhe ditën e mbajtjes së Samitit të BE-së organizojnë protesta kundër qeverisë së Ramës, pikërisht kur Shqipëria është nikoqire e Samitit të BE-së. Në vend që Shqipëria të manifestonte mikpritje të sinqertë ndaj të deleguarve evropianë të Samitit, opozita turpërisht me anë të protestave në rrugë jo që shprehu revoltë ndaj qeverisë së Edi Ramës, por edhe ndaj Samitit të BE-së”, u shpreh ai.

Image
Sulejman Mehazi

Profesori më tej, komenton edhe protestën e opozitës duke thënë që nuk arsyetohet goditja ndaj Berishës, mirëpo që nuk është dashur të dilnin në protestë, pasi ishte një ngjarje si ajo e Samitit.

“Normale se gjatë këtyre ngjarjeve kontroverse ndodhin edhe skena të papëlqyeshme, edhe pse nuk arsyetohet sulmi ndaj të moshuarit Sali Berisha, por edhe partia e Sali Berishës gaboi me daljen në rrugë në kohën kur Tirana ishte nikoqire e një ngjarje të madhe Evropiane në Shqipëri. Themi kështu për shkak se protestat e PD-së asnjë dobi nuk i dhanë Shqipërisë përveç grushtimit të Sali Berishës e asgjë më shumë.

Protestat e PD-së ishin cirkuzante apo skenike sa për ta grushtuar lehtësisht Sali Berishën të rrethuar me truprojat e tij”, nënvizoi Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat