Kërcënimet e Serbisë me dërgim të ushtrisë, ja informacionet që mori nga NATO-ja

Politika

Kërcënimet e Serbisë me dërgim të ushtrisë, ja informacionet që mori nga NATO-ja

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 10 dhjetor 2022 Në ora: 12:47
Ushtria e Kosovës

Kosova nuk është duke gjetur paqe nga kërcënimet e vazhdueshme që i bëhen nga Serbia.

Fillimisht për targa, tani veriu i Kosovës nuk është duke u qetësuar, pas sulmeve të njëpasnjëshme që po bëhen në atë pjesë nga persona të armatosur.

Duke e parë situatën e tillë, Policia e Kosovës nga e enjtja e ka shtuar numrin e forcave policore atje, veprim ky i cili ka qenë shkas që Serbia të kërcënojë me praninë e pjesëtarëve të sigurisë së saj në atë pjesë të Kosovës.

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq në orët e vona të së enjtes ka dalë në një konferencë të jashtëzakonshme me gazetarë, pas vendimit të Policisë së Kosovës që ta rris praninë në veri.

Ai ka thënë se veriu po pushtohet nga policia e Kosovës. Në këtë konferencë, Petkoviq ka deklaruar po ashtu se Serbia po e shqyrton mundësinë e dërgimit të 1,000 pjesëtarëve të saj të sigurisë në Kosovë.

Sikur të ishin gjërat të sinkronizuara, derisa po bëheshin gati këto kërcënime e po shpërndaheshin, në veri u sulmua patrolla e policisë së Kosovës, ku mbet i plagosur polici nga Ferizaji Ekrem Neziri.

Ai fillimisht u pranua në spitalin e Mitrovicës, ku ju ofrua ndihma mjekësore, dhe të nesërmen, e premte, u operua në QKUK në Prishtinë, ku iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjike. Për ta inkurajuar atë dhe policinë e Kosovës e vizitoi kryeministri Abin Kurti, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj etj.

Kurrë më policë nga Serbia

Ky akt kriminal i grupeve të organizuara kriminale nga Serbia ka nxitur zemërim tek shqiptarët, të cilët duan kthim të plotë të rendit dhe ligjit, në veri, dhe që autorët të dalin sa më shpejt para drejtësisë.

Për të qetësuar situatën nuk është duke munguar edhe përpjekja ndërkombëtare, të cilët po i përcjellin me shqetësim tensionet dhe kërcënimet e bëra nga zyrtarët e lartë të Serbisë.

Kërcënimet e Serbisë me qëllime pushtimi për t’i sjellur njëmijë trupa në Kosovë, përbëjnë ndërhyrje flagrante në sovranitetin dhe integritetin shtetëror.

Edhe ekspertët e sigurisë po i shohin si përpjekje të Serbisë për diplomaci imponuese, për të rritur përfitimet dhe për ta mbajtur situatën në tension.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se qeveria e Serbisë ka marrë mesazhe nga NATO-ja, që çfarëdo aktivitet ushtarak i pretenduar do të kthehej në luftë kundër NATO-s.

Image
Drizan Shala

“Deklarimet e tilla janë për të mbajtur situatën nën presion, sepse qeveria e Serbisë ka marrë mesazhe nga NATO-ja që çfarëdo aktiviteti ushtarak i pretenduar do të kthehet në deklarim të shpalljes së luftës kundër NATO-s në të gjitha instancat”, thotë Shala.

Sipas tij, Serbia do të vazhdojë me deklarime, por Kosova duhet të shkojë në zgjidhjen e problemit përmes formës se dialogut.

“Pra, mund të themi që Serbia do të vazhdojë deklarimet, ndërsa në anën tjetër strukturat paralele të tyre janë aktive dhe prezente në pjesën veriore, por që institucionet e Kosovës i kanë të ditura të gjitha lëvizjet e tyre dhe fuqinë e tyre operacionale. Kosova duhet të shkojë në zgjidhjen e problemit përmes formës së dialogut, duke u fokosuar në marrëveshje finale dhe duke mënjanuar veprimet teknike”, pohon Shala.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar menjëherë pas kërcënimeve të Serbisë.

Ajo ka thënë se në Kosovë nuk do të ketë kurrë më policë e ushtarë të Serbisë.

“Kërcënimi i hapur për agresion policor e ushtarak nga ana e Serbisë dëshmon se në atë shtet vazhdon mendësia hegjemoniste. Kjo duhet të refuzohet e kundërshtohet qartë nga e gjithë bota demokratike, e cila ia dha goditjen më të fuqishme kësaj mendësie pikërisht në vitin 1999”, është shprehur presidentja Osmani.

Përpjekje për imponim

Image
Armend Halimi

Sipas Armend Halimit, njohës i sigurisë, kërcënimet e tilla që vijnë nga Serbia në marrëdhëniet ndërkombëtare njihen si diplomaci imponuese.

Halimi thotë se kërcënimi mbetet vetëm si retorik, ngase Serbia e ka të qartë se territorit i Kosovës është i garantuar nga KFOR-i.

“Kërcënimet e tilla që vijnë nga Serbia, në marrëdhëniet ndërkombëtare njihen si diplomaci imponuese, pra kërcënim që mbetet vetëm si retorik, ngase Serbia e ka të qartë që territori i Kosovës është i garantuar nga KFOR-i, përveç kësaj edhe forcat vendore të sigurisë kanë gatishmëri të lartë për rezistencë ndaj çfarëdo agresioni”, thotë Halimi.

Gjendja aktuale e sigurisë mund të menaxhohet nga forcat policore, sipas Halimit.

“Pra, përveç forcës ushtarake që do të ballafaqohej Serbia, ka shembullin e Rusisë se çfarë do e priste nga bashkësia ndërkombëtare. Andaj, gjendja aktuale e sigurisë mund të menaxhohet nga forcat policore, por, pasi kemi të bëjmë me grupe mirë të organizuara paraushtarake serbe, në vijën e parë të frontit duhet të jenë forcat speciale, e jo polica e rendit”, ka shtuar Halimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat