Veriu ‘parajsa e krimit’, Vuçiqi po udhëheq grupet kriminale serbe – kërkohen arrestime nga Policia e Kosovës

Politika

Veriu ‘parajsa e krimit’, Vuçiqi po udhëheq grupet kriminale serbe – kërkohen arrestime nga Policia e Kosovës

Arife Morina Nga Arife Morina Më 11 dhjetor 2022 Në ora: 17:56
Ushtria e Kosovës

Situata në veri të vendit është tejet e tensionuar nga grupet kriminale serbe të orkestruara nga Beogradi, pavarësisht, që Kosova të shtunën pasdite vendosi ta shtyjë mbajtjen e zgjedhjeve për në mesin e pranverës.

Serbët për ditë me radhë kanë provokuar, sulmuar dhe madje dhe kanë shpërthyer bomba-shok, ndërsa të enjten në mbrëmje e plagosën një polic shqiptar.

Sulmet ndaj zyrtarëve të komisioneve komunalze zgjedhore bën që qeveria e vendit të marrë vendim që të shtojë numrin e Policëve të Kosovës në Mitrovicë të Veriut.

Megjithatë, gjatë patrullimit të tyre disa zyrtarë policorë janë sulmuar nga grupet kriminale serbe, ku madje mbeti i plagosur edhe një policë shqiptar.

Ishte Ekrem Neziri, polici që mbeti fatkeqësisht i plagosur.

Por, ajo që vlen të theksohet është mundësia që Policia e Kosovës ka për arrestimin e kriminelëve serbë që në vazhdimësi po sulmojnë në veri, madje edhe zyrtarët policorë.

Kelmendi: Pse nuk kapen kriminelët serbë në veri të Kosovës?

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi në një prononcim për “Bota sot” foli për shtrirjen e patrullimeve dhe hetimeve të Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Image
Muhamet Kelmendi

Fillimisht, ai tha se të gjitha këto grupe kriminale që po trazojnë veriun janë të organizuara dhe udhëhequra nga shteti serb.

Ka kohë, për të mos thënë nga viti 2000, që në Kosovë diskutohen grupet kriminale në veri të vendit. Këto grupe janë dhe veprojnë me masa dhe me mjete të rrezikshme kriminale. Grupet e tilla kriminale janë të organizuara, të armatosura dhe udhëhiqen nga shteti serb. Qëllimi është ndarja e kësaj pjese të vendit nga Kosova dhe bashkimi me shtetin serb. Për këto qëllime, grupet kriminale serbe, kanë vrarë, djegur, shkatërruar dhe kërcënuar çdo forcë pro Republikës së Kosovës”, deklaroi juristi.

Po ashtu, Kelmendi potencoi se prokuroria ka bërë hetime për krimet që kanë ndodhë në veri, madje edhe posedon prova.

Ai u befasua se pse nuk është akuzuar ende askush për këto krime dhe sulme në veri. “Baza e këtyre grupeve është dhe vjen nga "Lista Serbska". Edhe vetë udhëheqësit, deputetët dhe përfaqësuesit e kësaj liste, veprojnë në kundërshtim me rendin juridik dhe udhëhiqen nga krimineli i luftës, Vuçiq.

Bllokimet e rrugëve, sulmet nëpër objekte, vrasjet dhe djegiet janë të shumta.

Aktet e tilla dërgojnë domosdo te pyetja, se pse nuk kemi kapje dhe dënim të këtyre kriminelëve?

Si është e mundur që askush mos të akuzohet nga Prokuroria e Kosovës? Ku qëndron çështja!

Organet kompetente në Kosovë, në këtë çështje prokuroria, sigurisht ka bërë hetime. Provat gjenden ndoshta në prokurori. E megjithatë, kurrë nga Prokuroria Speciale e Kosovës nuk u lëshua asnjë akuzë! Hetime ka edhe nga ana organeve të luftimit të krimit dhe të korrupsionit. Pra, prova dhe fakte duhet të ketë”, nënvizoi ai.

Në vazhdim, ai përmendi katër arsye pse ende nuk ka akuza të ngritura dhe arrestime për këto çështje.

Pse, nuk kemi arrestime dhe akuza? Këtu ka shumë dyshime. Mendohet:

1. Prokuroria ka frikë të ngritet aktakuza kundër kriminelëve në veri nga shpërthimet që mund të vijnë.

2. Prokurorët kanë vetë lidhje me krimin dhe me korrupsionin, i cili i mbanë nën kontroll.

3. Prokurorët nga Prokuroria janë vegla të grupeve të ndryshme informale.

4. Prokurorët dhe kompetentët tjerë kanë përfitime të mëdha financiare, pra, janë të korruptuar.

Faktet e tilla janë reale. Ndryshe nuk kuptohet fakti se askush nga kriminelët serbë në veri nuk kapet, nuk akuzohet dhe nuk përgjigjet”, theksoi Kelmendi.

Ndër të tjera, juristi kërkoi reagime nga politikanët dhe shoqëritë civile për sulmet në veri dhe të mos lejojnë të ndodhin më gjëra të tilla.

Dihet se sistemi i tillë juridik është i pavarur. Mirëpo, duhet diskutuar në Kuvend çështjen dhe të kërkohet politikisht nga Prokuroria të marrin masa, këtë nuk mund ta ndalojë askush. Kuvendi dhe ekzekutivi nuk duhet të heshtin me këto shkelje të rënda dhe pa precedan të prokurorëve. Ata nuk janë të paprekshëm. Edhe subjektet politike duhet të reagojnë. Shoqëria civile dhe çdo grup apo individ i shoqërisë. Nuk duhet lejuar një gjendje e tillë”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Burjani: Pa arrestim të disa njerëzve dhe grupeve kriminale, nuk do të ketë rehati në veri

Ndërsa, juristi tjetër, Blerim Burjani në një bashkëbisedim për “Bota sot” tha se të gjitha grupet kriminale udhëhiqen nga Beogradi me direktiva të Vuçiqit.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, ata mund të arrestohen kur të ‘vendosë’ presidenti serb.

Serbët në veri kanë bashkëpunuar dhe bashkëjetuar me krimin, banditët ose njerëz të fuqishëm të kontrabandës që udhëhiqen me kahjen politike të Vuçiqit, të cilit i konvenojnë këto struktura në veri të Kosovës.

Ata mund të burgosen kur të dojë Vuçiqi, Policia e Kosovës janë të privuar nga detyra për ta ndjek krimin e organizuar që fshihet pas politikës serbe. Veriu është parajsë kriminale dhe politike, fatkeqësisht serbët janë të detyruar të pajtohen për shkak se i përkrahë Vuçiqi me të gjitha mënyrat”, deklaroi ai.

Madje, Burjani vlerësoi se nuk do ketë qetësi në veri derisa të arrestohen kriminelët serbë. “Këto grupe, në këtë situatë vetëm EULEX-i dhe KFOR-i mund të kryejnë punën e ndjekjes së disa njerëzve, të cilët e kanë në dorë situatën në veri.

Pa arrestim të disa njerëzve dhe grupeve kriminale aty rehati nuk do të ketë, pra s’do të ketë paqe atje”, theksoi juristi.

Në fund, ai shtoi se e tëra që duhet të ndodhë në pjesën veriore të Kosovës është vendosja e demokracisë lokale dhe funksionimi i institucioneve normale.

“Ka shumë hiperbola shpjeguese se veriu e destabilizon Ballkanin, kjo është budallaki e Vuçiqit dhe propagandës së tij. Paqja në rajon rrezikohet vetëm nëse Serbia involvohet, ndryshe s’ka kurrfarë problemesh atje, pra e tëra që duhet të ndodhë atje është vendosja e demokracisë lokale dhe funksionim i institucioneve normale”, përfundoi Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat