Publicisti nga SHBA kërkon që Lista serbe të shpallet terroriste, ka një porosi për “vasalët” e Vuçiqit

Politika

Publicisti nga SHBA kërkon që Lista serbe të shpallet terroriste, ka një porosi për “vasalët” e Vuçiqit

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 14 dhjetor 2022 Në ora: 16:45
Barrikadat në veri

Publicisti dhe veprimtari nga SHBA, Hafiz Shala, konsideron se terrorizmi i sponzoruar dhe i udhëhequr nga Serbia po dënohet me standarde të dyfishta nga ndërkombëtarët.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Shala ka folur lidhur me situatën aktuale në veri të vendit, ndërsa ka kërkuar që Lista serbe për shkak të veprimeve të saj, të shpallet organizatë terroriste.

Image
Hafiz Shala

“Terrorizmi është dhunë e paramenduar ndaj masës jo luftuese me qëllim ndikimin e opinionit publik për të arritur më pas në goditjen e objektivave me natyrë politike, ushtarake apo ideologjike”.

Ai ka thënë se presidenti serb Aleksandër Vuçiq e ka pranuar edhe vet se është urdhërues i sulmeve në veri të vendit.

Për këtë arsye, Shala ka thënë se Lista serbe duhet të kualifikohet si organizatë terroriste.

Dihet publikisht dhe është pranuar nga vet Vuçiqi se ai është urdhërues i tyre, këtë e pranoi në një mënyrë edhe faktori ndërkombëtar ani pse, dallojnë qëndrimet e Evropës nga ato të Amerikës përmes përfaqësuesve të tyre diplomatik, por në të njëjtën kohë duhet që Parlamenti i Kosovës Listën serbe ta kualifikojë dhe shpallë organizatë terroriste në bazë të fakteve tanimë të vërtetuara dhe të kërkojë që përmes EUROPOL-it dhe Interpolit, ata anëtarë të këtyre grupeve që janë jashtë shtetit të Kosovës, kryekëput në Serbi ani pse për disa ekziston një kërkesë e tillë që, të ndërmerren masa izolimi duke i burgosur dhe dënuar-it- sipas Kushtetutës, ligjeve dhe Konventave ndërkombëtare për veprimtari terroriste”, ka thënë Shala për "Bota sot".

Mirëpo, ai vlerëson se përfaqësuesi i BE-së për Politikë të jashtme Josef Borrel, në një mënyrë, këtyre grupeve terroriste iu drejtua me dy standarde.

“Në njërën anë kërkuan mos të bëjnë veprime të tilla ndaj forcave të KFOR-It dhe EULX-it, ndërsa në anën tjetër lë të kuptohet që kjo nuk vlen edhe për forcat e sigurisë se Kosovës, të cilat e kanë për obligim sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, t’i mbrojnë të gjithë qytetarët dhe të ndërmarrin masa ashtu sikur që e arrestuan terroristin serb, ish policin i cili iu ka bashkangjitur grupeve terroriste sipas urdhrit të udhëheqësit të këtyre grupeve, Aleksandër Vuqiq”, ka theksuar ai.

Ai ka thënë se nuk dëshiron t`i largojë barrikadat që janë vendosur me urdhër të tij.

“Vuçiqi, në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, lëre që nuk i gjykoi, sepse vet i ka urdhëruar por, sipas deklaratës së tij, askund nuk i përmend kërkesat e të dy Ambasadorëve të SHBA-së në Beograd, Cristopher Hill dhe atij në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, të cilët kërkuan largimin e menjëhershëm të barrikadave dhe lirimin e rrugëve të bllokuara të vendosura nga bandat organizatave terroriste serbo-ruse.

Ndërsa, Presidentja zonja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti, pas mbledhjës se përbashkët me përfaqësuesit e opozitës, vendosën që zgjedhjet më parë të përgatitura nga Komisioni Qendror Zgjedhor, të shtyhen deri më 23 prill”, potencon ai.

Sipas tij, “krye terroristi”, Aleksandër Vuçiq me hipokrizinë e tij manipulative, deklarohet se “po angazhohet për paqe” në anën tjetër, jo qe i urdhëron të largohen barrikadat, por i bënë kërkesë KFOR-it për dërgimin e 1000 trupave shtesë nga Serbia.

“Këtë e bën në “mbrojtje të serbëve të veriut nga okupimi i asaj pjese”, që nuk përkon me kurrfarë logjike që “shteti ta okupojë një pjesë të shtetit të vet”. Nga kush?”, pyet Shala.

Ai thotë se, përfaqësuesit e shtetit të Kosovës janë duke vepruar mirë pasi asnjë veprim nuk po e ndërmarrin pa konsultim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

SHBA po kujdeset për sigurinë, mbarëvajtjen e bisedimeve ani pse ato udhëhiqen nga përfaqësuesit të BE-së, fatkeqësisht nga dy figura të cilat vijnë nga po ato shtete të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, në mesin e atyre 5 shteteve famoze të cilat i kanë problemet e veta me minoritetet tjera brenda atyre shteteve, ama, asgjë të përbashkët apo identike me rastin tonë sepse, legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë e ka vërtetuar Gjykata më e Lartë Ndërkombëtare me seli në Hagë”, rikujton ai.

Shala shpreson se përfaqësuesit e lartë të Departamentit të Shtetit të cilët këtë javë po vizitojnë Kosovën, por edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor do të vinë me propozime konkrete për t`i eliminuar dhe shkatërruar organizatat terroriste.

“Vetëm kështu, udhëheqjes së Kosovës t’ua hapin rrugën dhe dritën jeshile për luftimin e krimit, korrupsionit, kontrabandës dhe të gjitha masave tjera ligjore për të vënë rregull dhe drejtësi duke ua hequr nga duart imponimin e ligjeve të egra të atyre grupeve kriminalo-terroriste, të cilat duan që t’i zbatojnë sipas interesave të tyre në atë pjesë të Republikës së Dardanisë.

Duhet dhënë ultimatum atyre grupeve terroriste që brenda natës t’i largojnë barrikadat, përndryshe duhet të largohen me dhunë për t’u mundësuar qarkullimi i lirë ose, nëse duhet të bllokohen rrugët për hir të sigurisë, atë ta bëjnë vetëm organet legjitime shtetërore, policia e cila e merr përsipër tërë kontrollin në të dy drejtimet kufitare”, potencon ai.

Shala shprehet se Aleksandër Vuçiq, po luan me durimin e Bashkësisë Ndërkombëtare, siç pat vepruar edhe Sllobodan Millosheviq, i cili e pësoi keq, u bombardua dhe trupërisht u largua përgjithmonë nga Kosova.

“Kuptohet, ai, do të tregohet kryeneç për konsum të brendshëm por, kjo, nuk do të zgjasë, sepse udhëheqja e Kosovës tregoi pjekuri, përkushtim dhe vendosmëri që të kontribuojnë për paqe në njërën anë dhe në anën tjetër, të tregojnë respektin për aleatin tonë të vërtetë e të sinqertë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Republika e Kosovës, duke iu drejtuar faktorit ndërkombëtar, duhet të kërkojë që, shteti ta shtrijë sovranitetin në tërë territorin e tij dhe në të ardhmen nuk do të lejojnë lojëra të pista politike nga ana e Serbisë sepse, nuk do të tolerohen”, shton ai.

Shala potencoi po ashtu se, udhëheqës të partive politike opozitare, por edhe udhëheqës qeveritar të Shqipërisë, u shndërruan në vasal të Serbisë-Vuçiqit.

Ata i dhanë kurajë duke ia bërë me dije se mund të sillet si padron i tërë Ballkanit pasi edhe veprojnë sipas thirrjeve të tij për ta dobësuar dhe mundësisht larguar qeverinë Kurti si pengesë kryesore, në rend të parë për Serbinë pastaj, për hajdutët dhe kriminelët të cilët ne forma të ndryshme, kryesisht përmes korrupsionit, si veprimtari më e rrezikshme për interesa nacionale.

Ky është edhe motivi i opozitës pasi ata kanë hyrë aq thellë në këtë dukuri sa që, nëse zbulohen, e gjasat janë shumë reale me prokuror, gjykatës, hetues dhe organet tjera të drejtësisë së pa kapur dhe njëherit të pastrua nga infektimi i kësaj dukurie 20 vjeçare, e cila e ka katandisur vendin”, thekson ai për "Bota sot".

Ai tha se këta opozitarë, dikur i luteshin Listës serbe për t`ua votuar koalicionet.

Ardhja në pushtet e ish udhëheqësve përmes koalicioneve të natës duke iu shkuar në shtëpi edhe udhëheqësve të Listës serbe, duke e pritur po këtë subjekt, tani organizatë terroriste e cila, për ta zgjedhe kryeministrin, Parlamenti e priti 8 orë pasi shkoi ta merrte pëlqimin e Vuçiqit, ndërsa në anën tjetër, akuzohet kryeministri “si proserb”.

“Prandaj, ledhatimi i Evropës, bashkërenditja e opozitës me politikë të Vuçiqit, këtë të fundit e inkurajuan dhe e fuqizuan aq shumë sa që, Vuçiqi vet i citonte deklarata famoze antishqiptare të përfaqësues të opozitës, disa (b)analistëve të cilët në studiot televizive publikisht deklarohen se, Radojqiqin e ka shok dhe e përkrahin.

Ish pushtetarët, tani në opozitë, e kritikojnë Qeverinë mu për ato lëshime, të cilat i kanë bërë vet gjatë qeverisjes në koalicione në mes tyre në veçanti, koalicioni i PANI-it, i cili ia vuri kapakun të keqes”, potencon ai.

Për të dalë nga kjo gjendje alarmante të shkaktuar nga qeverisjet e kapura, sipas Shalës, duhet që pushtetit aktual t’i ndihmohet që ta stabilizojë, në rënd të parë drejtësinë e pa kapur, ta luftojë korrupsionin si sëmundje kronike, e cila e ka kapluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat