Të arriturat e vitit 2022 dhe sfida e jashtëzakonshme që e pret Qeverinë Kurti gjatë 2023-s!

Politika

Të arriturat e vitit 2022 dhe sfida e jashtëzakonshme që e pret Qeverinë Kurti gjatë 2023-s!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 1 janar 2023 Në ora: 17:07
Kryeministri Albin Kurti

Viti 2022, ishte një vit me plot zhvillime, me sfida, probleme, suksese dhe ballafaqime nga më të ndryshmet.

Kriza globale që përfshiu të gjitha shtetet shkaku i luftës ruse në Ukrainë, preku padyshim edhe Kosovën.

Kësisoj, qeveria Kurti u përball edhe me sfida të shumta, që erdhën si pasojë e ndikimit të agresionit rus në Ukrainë.

Mirëpo, pavarësisht kësaj, sfidat më të mëdha të Qeverisë së Kosovës, ishin shtetndërtimi i brendshëm, luftimi i korrupsionit, konfiskimet e pasurive të paligshme, projektligji për Vetting, etj.

Gjatë vitit 2022 u realizuan disa aksione, ku përfshinin rrëzimin e ndërtimeve pa leje apo konsifskimin e pasurisë së paligjshme, siç ishte aksioni i bujshëm “Brezovica”, u miratimi i projektligjit për Byronë, u shtrirja sovranitetit në veri, etj.

Por, pas një viti të ngarkuar me shumë zhvillime, tani në viti 2023-ta e pret qeverinë Kurti me sfida të reja dhe më të ndryshme.

Juristët për “Bota sot” komentuan të arriturat dhe sfidat me të cilat u përball qeveria Kurti në vitin 2022 dhe atë se çfarë e pret atë gjatë vitit 2023.

Musliu: Kjo Qeveri, në mënyrën më të mirë është duke e rrumbullaksuar infrastrukturën juridike

Juristi nga Belgjika, Skënder Musliu në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi arritjet dhe sfidat me të cilat u përball qeveria Kurti në spektrin e sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit.

Image
Skender Musliu

Fillimisht, ai tha se nëse e analizojmë punën e qeverisë Kurti për gjatë vitit 2022, do të vërejmë se, pikërisht ate që e premtuan, janë duke e realizuar.

LVV-ja dhe Lista Guxo, qysh në fushatën parazgjedhore, elektoratit i kishte premtuar, përveç tjerash, luftën kundër korrupcionit dhe krimit të organizuar, reforma në drejtësi, zbatimin e ligjshmërisë, dialogun, luftimin e strukturave kriminale dhe kontrabandën, krijimin e vendeve të reja pune, e tj.

Dhe nëse e analizojmë punën e Qeverisë Kurti për vitin 2022, do të vërejmë se, pikërisht ate që e premtuan, janë duke e realizuar. Vlenë të theksoj se Qeveria Kurti, drejtimin e Qeverisë e morri në kushte të vështira, që ndonjëherë ishte përballur, jo vetëm Kosova, por edhe bota, rrjedhimisht bëhet fjalë për pandeminë dhe krizën më të jashtëzakonshme që ka njohur bota, që nga kriza e petrolit në vitin 1973. Kjo Qeveri, pandeminë e menaxhoi më mirë se shumë vende të Europës, kurse me krizën energjetike, është duke e bërë më të mirën”, deklaroi ai.

Musliu përmendi dy drejtime, që sipas tij qeveria Kurti është fokusuar gjatë vitit 2022.

Krahas kësaj, ai potencoi faktin se e gjitha bota u përballë me një krizë ekonomike, ku shtoi se qeveria jonë arriti ta menaxhojë mjaft mirë.

“Puna e Qeverisë Kurti është zhvilluar në dy drejtime, në zgjidhjen e problemeve të brendshme ekonomike dhe financiare si dhe aktivitetin ndërkombëtar.

Nga aspekti ekonomik, do të theksoja se, edhe përkundër krizës në nivel global, Kosova ka shënuar rritje të lakmueshme ekonomike, ka ulur borxhin publik, ka rritje të konsiderueshme të të hyrave buxhetore, ka krijuar mijëra vende pune, ka nënshkruar marrëveshje me MÇ në vlerë prej 200 milion dollarë…. Po ashtu Qeveria ka aplikuar politika sociale, si asnjëherë më parë, sivjet ka shtuar edhe Pakon për përballjen me krizën ekonomike dhe inflacionin duke alokuar edhe 350 million euro për pensionistët, personat me aftësi të kufizuara, për lehonat dhe fëmijët, studentët e tj.

Nëpër Kompanitë publike, ka filluar të ndalet hemoragjia financiare, duke zavendësuar Bordet dhe menagjmetet familiare dhe partiake me ato profesionale, u ndërprenë subvencionet dhe grandet korruptive…. Qeveria Kurti në këtë vit nuk pati asnjë kontratë apo tender njëburimor dhe asnjë aferë korruptive, që më parë ishin të zakonta”, nënvizoi juristi.

Krahas kësaj, ai u shpreh i kënaqur me punën që qeveria ka bërë për reformat në drejtësi, përfshi Ligjin për Vettting dhe konfiskim të pasurisë, derisa vlerësoi alrtë punën që u bë për luftimin e krimit dhe korrupsionit.

“Kjo Qeveri, në mënyrën më të mirë është duke e rrumbullaksuar infrastrukturën juridike, duke proceduar Ligjet e reformave në drejtësi, ndër të cilat, Ligjin mbi Vettingun, Ligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, Ligjet anti-korrupcion e tj, të cilat do ta mundësojnë luftimin e korrupcionit dhe krimit të organizuar.

Qeveria e Kosovës, po ashtu, filloi ta shtrijë ligjshmërinë në pjesën Veriore të Kosovës, duke zhvilluar shumë aksione policore, që rezultoi në zvoglimin e kontrabandës me drogë dhe naftë, u konfiskuan paisje të panumërta të kriptovalutave, lokacioneve ku kultivohej kanabisi, barnat iligale etj. Kjo Qeveri, arriti që së shpejti të fillojnë pagesat e rrymë, ujit dhe tatimeve në pjesën Veriore, po ashtu pamundësoi mbajtjen e referendumit dhe zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Karakteristikë e kësaj Qeverie është edhe lufta kundër korrupcionit dhe krimit të organizuar, që konfirmohet në Raportin e Këshillit të Europës dhe shumë Agjencive serioze ndërkombëtare, duke e përmisuar për 17 vende indeksin kundër kësaj dukurie”, potencoi Musliu.

Në vazhdim, juristi si një arritje të jashtëzakonshme e cilësoi caktimin e datës për liberalizimin e vizave.

“Edhe përkundër kritikave të opozitës, kjo Qeveri është në proçes të reformimit të MPB-ës, ku përveç tjerash, u larguan ambasadorët që punuan dhe lobuan për ndarjen e Kosovës, ambasadorët dhe konzujt politik dhe familiar, u zavendësuan me ato të karrierës.

Një arritje tjetër është caktimi i datës për liberalizimin e vizave, them se është sukses, sepse edhe përkundër faktit se Kosova i kishte plotësuar kushtet, prap se prap Franca dhe Holanda, dhe jo vetëm, ishin kundër. Edhe pse në publik nuk flitej, kjo bllokadë ishte si rezultat i kërkesave të vazhdueshme, që Kosova t’a luftoj korrupcionin dhe krimin e organizuar. Dhe më në fund kur u bindën se Qeveria Kurti po e zbaton me vendosmëri ligjshmërinë, vendosën që liberalizimi i vizave, më së voni të bëhet me 1 janar 2024”, shpjegoi ai.

Gjithashtu, Musliu tha se një kthesë e madhe u realizua edhe në dialogun Kosovë-Serbi, ku Kurti arriti ta nxjerrë Kosovën nga nënçmimi që iu ishte bërë nga Thaçi.

Kjo Qeveri ka bërë një kthesë radikale në proçesin e dialogut, sepse para kryeministrit Kurti, dialogu kishte degraduar duke marrë përmasa nënçmimi, përkatësisht Hashim Thaçi e uzurpoi dialogun, ai ia plotësonte kërkesat e Vuçiqit dhe sillej sikurse Kosova të ishte një Krahinë Autonome e Serbisë. Kurse kryeministri Kurti, sidomos sivjet, rrënjësisht e ndryshoi dialogun. Tani Kosova trajtohet si palë e barabartë, Vuçiqin gjithnjë e më tepër po e përballë me realitetin, kemi një dialog shumë serioz dhe kualitativ, sidomos pas propozim draftit të Gjarmanisë dhe Francës, drejtëpërdrejt janë përfshirë këshilltarët e presidentëve respektiv, duke krijuar një dinamikë të re, ku në asnjë rast nuk përmendet më ndarja e Kosovës, për të cilën Thaçi loboi, por për një marrëveshje ku në qendër do t’a kishte njohjen reciproke.

Një e arritur e madhe e kësaj Qeverie, është se muaj më parë Kosova dorëzoi kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Europës, kurse ditë më parë, kryeministri Kurti personalisht në Pragë ia dorëzoi presidencës Çeke, aplikimin e Kosovës për në BE, madje vitin e ardhshëm Kosova do të aplikojë në Programin e NATO-s për Partneritet për Paqe”, shtoi juristi nga Belgjika.

Më tej, ai u shpreh i zhgënyer me opozitën, e cilas sipas tij po bënë çmos për ta penguar punën e Qeverisë dhe Kuvendit, duke refuzuar bashkëpunimin.

“Edhe përkundër të arriturave të këtij viti, mund të parashtrohet pyetja se, a ka patur mundësi Qeveria Kurti të bëjë edhe më shumë ? Sigurisht se po. Mirëpo nëse marrim parasysh kushtet dhe rethanat në të cilat ajo ka vepruar, sikurse pasojat e pandemisë, kriza energjetike, situata ekonomike dhe financiare, unë mendoj se Qeveria Kurti, ka qenë Qeveri e suksesshme. Po ashtu nuk duhet harruar se, qeveritë e kaluara kanë lënë shumë probleme dhe çështje të pazgjidhura, me të cilat Qeveria Kurti padrejtësisht duhet të merret. Fatkeqësisht ende opozita bënë ç’mos për t’a penguar punën e Qeverisë dhe Kuvendit, kështu opozita qëllimisht mungon në Komisionet, Kryesinë dhe punën e Kuvendit, ajo në bashkëpunim me Organizatat e Veteranëve të luftës organizoi protesta, po ashtu opozita nxiti grevën njëmujore në arsim, dhe e gjithë kjo, për t’a bllokuar punën e institucioneve legale”, vlerësoi Musliu.

Në fund, juristi potencoi se sfida më e madhe e vitit 2023 për Kurtin dhe qeverinë e tij është dialogu me Serbinë.

“Ndër sfidat më serioze që Qeverinë Kurti e presin vitin e ardhshëm është, dialogu të cilin Serbia përmes obstruksioneve po mundohet t’a shtyej. Do të jetë një dialog shumë i vështirë, me presione, mirëpo personalisht besoj se kryeministri Kurti do t’a menagjojë me shumë kujdes dhe seriozitet. Përveç dialogut, vëmendje të veçantë do të ketë miratimi i Ligjeve në kuadër të reformave në drejtësi, që disa i përmenda më lartë. Po ashtu një sfidë e vaçantë e Qeverisë Kurti do të jet menagjimi i krizës energjetike, ekonomisë dhe financave. Mirëpo për t’u realizuar këto, është mëse e nojshme participimi konstruktiv i opozitës, e cila për momenti luan një rol destruktiv”, përfundoi juristi Skënder Musliu për “Bota sot”.

Kelmendi: Viti 2023 - viti i vendimeve të rënda

Image
Muhamet Kelmendi

Kurse, njohësi i çështjeve kushtetuese, njëherësh profesor Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, se vendi ynë është në një situatë të rëndë.

Ai këtë e bazoi në dy faktorë, të cilët i shtjelloi më poshtë.

“Kosova gjendet para një situate të rëndë. Kjo, është e shkaktuar nga dy faktorë dominant, sepse ka shumë që e kanë dëmtuar vendin, por dy janë më themelorët. Këtu mendoj:

1.Në politikën ekonomike dhe juridike dhe

2. Në politikën e jashtme.

Faktorët e parë janë dominant në gjendjen e brendshme dhe ata ndahen në nënfaktorë.

a. Politik,

b. Ekonomik dhe

c. Juridik.

Politika e zhvilluar në Kosovë është tipike koloniale dhe nënshtruese ndaj interesave të ndryshme, që e kanë dëmtuar Kuvendin në kompetencat e veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore. Të tri këto kompetenca iu kanë nënshtruar interesave politike të njërës apo partisë tjetër, që kanë ardhur në pushtet. Kështu është ndërtuar sistemi me njerëz inkompetent, megalloman, frikacakë dhe tipik keqpërdoruesë të pushtetit”, deklaroi profesori.

Kësisoj, Kelmendi kritikoi edhe punën e Kuvendit dhe qasjen e tij ndaj punës së Qeverisë.

Krahas kësaj, ai nuk mbështeti edhe rritjen e pagave që u bënë për udhëheqësitë e institucioneve.

Së këndejmi kemi Kuvend jo funksional, një partiak, që fare nuk përpiqet në gjetjen e realitetit. Edhe pushteti ekzekutiv u byrokratizua. Qeveria nuk ka frikë nga Kuvendi, sepse Kuvendi nuk analizon punën e Qeverisë, por me anim dhe shumicë të votave vendos çfarë dëshiron.

Ana ekonomike është e ndërtuar mbi një lidhje të ashpër eksploatuese dhe mbi baza të grupeve informale politike dhe ekonomike. Edhe tash po kështu është. Kjo ka bërë dhe ka rritur eksploatimin dhe mundësinë e ikjes nga vendi. Të ardhurat personale janë nën nivel të çdo shteti në Evropë, me të ardhura 200-300 euro nuk jetohet. Shteti heziton. Nuk vepron dhe lejon pozitën skllavëruese”, theksoi ai

Në fund, profesori si një dështim e cilësoi mungesën e sigurimeve shëndetsore për punëtorët, veçanërisht për policët, të cilët sipas tij janë ballafaquar me vdekjen.

“Edhe me ligj të ri nuk ka përmirësim. Me të ardhura 250 euro nuk përmirësohet gjendja. Duket se ky ligj rregulloj të ardhurat e ministrave, zëvendësministrave, këshilltarëve etj., ndërsa edhe punëtorin e vuri në gjendje më të rëndë ekonomiko-sociale, duke rritur skllavërinë.

E tërë kjo e përcjellur me pushtet juridik të mbështetur në keqpërdorim dhe në ndërtim mbi kërkesa përfituese e thelloi gjendjen e rëndë.

Askush në Kosovë nuk ka sigurim shëndetësor. Sigurimi pensional dhe invalidor nuk ekziston. Vdesin njerëz në punë dhe familja nuk merr pension.

As policët që janë të ballafaquar me vdekjen nuk kanë sigurime.

Shteti heshtë. Kështu mbeti ikja nga vendi”, përmbylli Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat