Dialogu Kosovë – Serbi/ Ky është çelësi që përmbyllë kapitullin me Serbinë!

Politika

Dialogu Kosovë – Serbi/ Ky është çelësi që përmbyllë kapitullin me Serbinë!

Nga: Nehat Shaqiri Më: 2 janar 2023 Në ora: 10:44
Pamje nga dialogu në Bruksel

Dialogu me Serbinë mund të përmbyllet me një marrëveshje Kosovë-Serbi vëtëm nëse themelohet Asociacioni!

Mirëpo, Kosova nuk po dëshiron të formojë Asociacionin sipas modelit serb, ashtu qysh po e kërkojnë që sa vite.

Kosova edhe nëse do ta formojë këtë, do ta bëjë sipas Kushtetutes së Kosovës.

Së fundmi, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe “as nuk është pyetje që do të bëhet, çështja është si do të funksionojë dhe në çfarë mënyre do të zbatohet”.

“Themelimi i Asociacionit është obligim. Nuk mendoj se është vetëm e drejtë të formohet, por mendoj se është logjike. Mendoj se logjika është mekanizmi më i fuqishëm”, tha Hill.

Po ashtu për Asociacionin ka folur edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Honevnier, i cili ka thënë se formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serb nuk është opisonale, por është një obligim ligjërisht të cilin Kosova e ka marrë përsipër.

Hovenier tha se Kosova është shtet që ndjek zbatimin e ligjit, kështu që ShBA-ja pret që Kosova të përmbush obligimin dhe të zbatojë Asociacionin.

“Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk është opsionale. Është një obligim ligjërisht i obligueshëm të cilin e ka marr përsipër Kosova. Kjo është konfirmuar nga Kuvendi i Kosovës. Shtetet nuk kanë mundësinë të vendosin se cilin obligim ligjërisht të obligueshëm do ta zbatojnë e cilin jo. Ato janë obligime ligjore. Kosova është shtet që e ndjek zbatimin e ligjit, kështu që pritjet tona janë që do të përmbush obligimin ligjor dhe ta zbatojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ne gjithashtu besojmë fuqishëm se është në interesin e Kosovës që të bëjë kështu dhe ky është një element tjetër i kësaj përpjekje për të ndihmuar në normalizimin e raporteve me Kosovës dhe Serbisë por pa marrë parasysh Serbinë, kjo është një çështje me rëndësi për Kosovën”, ka thënë Hovernier.

Në lidhje me këtë çështje, ish-zëvendësministri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava thotë se, bisedimeve të deritanishme mes Serbisë dhe Kosovës që duhet të përfundojnë me njohje reciproke, sipas te gjitha gjasave po i ofrohet fundi.

Image
Hajrullah Tërnava

Sipas tij, shtete të rëndësishme sikur që është Gjermania, që po ndërmjetësojnë, tani edhe më vendosmërisht po qëndrojnë në anën e Kosovës, dhe po i tërheqin vërejtjen Serbisë se nuk mund të krijohet një Srpska Republikë në Kosovë, e ngjashme me atë në Bosnjë e Hercegovinë.

“Kërkesa për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, po shndërrohet në çelësin kryesor të vazhdimit të dialogut të bllokuar me Serbinë, për arritjen e marrëveshjes finale, për të cilën janë angazhuar dhe janë duke punuar seriozisht dhe intensivisht, me ndërmjetësim të shtuar e të përqendruar jo vetëm BE, por edhe SHBA-ja. Kjo kërkesë vazhdimisht është duke u theksuar, për ta gjetur një model të përshtatshëm të krijimit të një Asociacionit edhe nga miqtë më të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës që kanë lobuar, e kanë mbështetur atë dhe po ashtu edhe në procesin e njohjeve janë angazhuar me njohjet e reja që i kanë stimuluar dhe siguruar”, thotë Tërnava.

Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e ka cilësuar temën e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe si “temë të nxehtë”, në dialogun Kosovë-Serbi, duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që sa më parë t’i japë propozimet e saj sa i përket formimit të Asociacionit, teksa ka theksuar se për të është mjaftë e qartë se nuk do të ketë mundësi që në Kosovë të krijohet një “Republika Srpska”, e ngjashme me atë në Bosnjë e Hercegovinë.

Ai ka thënë se ky qëndrim i Gjermanisë është shumë i qartë, është qëndrim zyrtar dhe shumë publik.

“Pra, Kosova duhet të veprojë për këtë dhe ju e dini, sa më shpejtë të vendosë diçka në tavolinë që është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, aq më shumë do të ç’mitizojë dhe relaksojë bisedën”, ka thënë ambasadori gjerman Rohde.

Sipas tij, nëse Kosova do të ketë propozime do të jetë më e lehtë arritja e një marrëveshje me Serbinë, pasi që vetëm duke thënë “jo, ajo nuk është një rrugëdalje që siguron rezultat në ecurinë e dialogut.

Ambasadori i Gjermanisë, ka thënë qartë se Kosova e ka obligim ta formojë Asociacionin, sepse sipas tij ajo marrëveshje është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës dhe ky tani më është obligim për të cilin duhet dhënë propozimi i zgjidhjes në përputhje me kushtetutën.

“Tani i mbetet Kryeministrit të Kosovës që të del me një propozim konkret, qoftë me atë që e parasheh kushtetuta e Kosovës, dhe në mënyrë të argumentuar ta jep variantin e për asociacionin që tani duhet të krijohet. Më në fund kushtetuta i parasheh asociacionet e komunave shqiptare si dhe të serbëve, duke respektuar funksionimin e shtetit sikur që është përshkruar në preambulën kushtetuese, dhe ngjashëm me atë formulim, edhe përfaqësuesit e qeverisë duhet të dalin me një propozim të tillë për Asociacionin dhe ta zbërthejnë konstatimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese në vepër”, përfundon Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat