20 vite më parë Kosova u trondit nga vrasja e Kolonel Tahir Zemajt: Gjaku nuk humbet kurrë, ka dokumentarë e dëshmi!

Politika

20 vite më parë Kosova u trondit nga vrasja e Kolonel Tahir Zemajt: Gjaku nuk humbet kurrë, ka dokumentarë e dëshmi!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 4 janar 2023 Në ora: 08:10
Tahir Zemaj ishte vrarë në pritë në orët e hershme të mëngjesit të 4 janarit 2003

Sot, me 4 janar, bëhen 20 vite nga vrasja e komandantit të luftës çlirimtare dhe krye-strategut, kolonel Tahir Zemajt, mirëpo që ende nuk ka asnjë të re nga hetimi i rastit.

Tahir Zemaj ishte vrarë në pritë në orët e hershme të mëngjesit të 4 janarit 2003 kur vetura e tij ishte goditur nga një breshëri plumbash duke ia marrë jetën atij, të birit të tij Enisit dhe kushëririt të tij, Hasanit.

Kjo vrasje, kishte tronditur gjithë shoqërinë shqiptare, pasi kjo erdhi në një kohë kur Kosova gëzonte lirinë dhe ishte larguar nga pushtimi serb.

Të tronditur, sot e asaj dite, vazhdojnë të jenë shumë familjarë, bashkëpunëtorë, miq e njerëz që vlerësuan jetën dhe veprat e kolonel Zemajt.

Është e dhimbshme, se si rasti i vrasjes së Zemajt që nga 2003 nuk është avancuar aspak, dhe u la anash për dy dekada me radhë nga prokurorët e rastit.

Drejtësia në vend, nuk ka bërë mjaftueshëm në zbardhjen e vrasjeve politike të pas luftës, përfshirë vrasjen e Zemajt.

Kësisoj, shumë familjarë të viktimave, shpresën e kanë te Gjykata Speciale dhe hetimet e saj, pasi që në gjykatat në Kosovë, i kanë humbur edhe shpresat.

Latifi: 20 vjet pa Kolonel Tahir Zemajn!

Haki Latifi ish-kryetar i degës së LDK-së në Zvicër, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka përkujtuar 20 vjetorin e vrasjes së Kolonel Zemajt.

Fillimisht, ai u shpreh se në janar të vitit 2003, Kosova u trondit nga vrasja e tmerrshme e Kolonel Tahir Zemajt, djalit të tij Enisit dhe Hasan Zemajt, kryetar i FRLDK-së në Deçan.

“Për fat të keq edhe këtë janar, familjarët, bashkëluftëtarët dhe qytetarët e Kosovës e presim pa ndonjë rezultat të ndriçimit të kësaj vrasje makabre ose të dënuar për vrasjen e kolonel Tahir Zemajt.

Dihet se, më 4 janar të vitit 2003 Kosova u trondit nga një ngjarje e tmerrshme, nga vrasja e Kolonel Tahir Zemajt, djalit të tij Enisit dhe Hasan Zemajt, kryetar i FRLDK-së në Deçan. Kolonel Tahir Zemaj, ishte një profil i lartë ushtarak, i shkolluar dhe shumë i përgatitur për taktika lufte, të cilat i jetësoi duke u inkuadruar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ai pas vetes afroi djemtë më të mirë të Dukagjinit, me idealin e vetëm çlirimin, e Kosovës. Ishte një veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, aktivist dhe i pandalshëm dhe njeri i afërt i presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova”, deklaroi Latifi.

Image
Haki Latifi dhe kolonel Tahir Zemaj

Krahas kësaj, ai me ironi tha se është e kuptueshme se pse nuk u zbulua se kush e vrau Zemajn, pasi në vendin tonë drejtësia mungon.

Sipas tij, me vrasjen e këtyre figurave të ndritura të kombit u pa më së miri se Kosovën po e prisnin ditë të vështira dhe të rënda.

“Kolonel Tahir Zemaj ishte i zoti në sensin e përgatitjes ushtarake, strategjike dhe trimërisë që shfaqi në beteja të ndryshme në luftë me armikun serb. Ai si ushtarak profesionist i Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, ishte dëshmuar në betejat e Loxhës, Llukës, Junikut, lugut të Baranit, në shpëtimin e banorëve nga masakra e përgatitur në rrethimin e Isniqit dhe të tjera. Vlen të përmendet Beteja e Loxhës, për të treguar se çfarë strategu ishte kolonel Zemaj.

Dhe pas 20 viteve, kjo vrasje po vazhdon të mbetet enigmë derisa institucionet e drejtësisë kanë heshur për vite me radhë.

Faktikisht është krejtësisht e kuptueshme pse deri më tani nuk është zbardhur se kush e vrau kolonelin së bashku me kusheririn Hasanin dhe të birin Enisin, e kuptueshme pasi jetojmë në një vend ku drejtësia mungon, dhe fatkeqësisht kjo vrasje, por jo vetëm e kolonel Zemajt, por edhe kolonel Ahmet Krasniqit, Ekrem Rexha-Drini, Ukë Bytyqi pastaj bashkëpunëtorët më të ngushtë të presidentit Rugova, që ishte dhe mbetet edhe sot elita më e mirë që ka pasur Kosova. Me vrasjen e këtyre figurave të ndritura të kombit u pa më së miri se Kosovën po e prisnin ditë të vështira dhe të rënda”, u shpreh ish-kryetari i degës së LDK-së në Zvicër.

Në vazhdim, ai tha se Gjykata Speciale mbetet shpresa e vetme që kjo vrasje, të mos mbetet e pazbardhur.

Për këtë, tha se drejtësia duhet të vendoset, kurse ideatorët dhe vrasësit duhet të marrin dënimin e merituar.

“Kolonel Zemaj është vrarë nga ata që në luftë mbetën inferior karshi zotësisë dhe profesionalizmit të tij, duke ditur këto gjëra nuk kishin fytyrë që para popullit të flisnin për trimëri, derisa kolonel Zemaj ishte gjallë dhe iu nxirrte të vërtetën. Pra, me vrasjen e kolonel Zemajt sikur eliminuan të vërtetën. Më kujtohet gjatë një takimi në Bern të Zvicrës, më 6 prill 2000, derisa bisedonim lidhur me UÇK thoshte; „UÇK-ja është nderi i kombit shqiptarë, ishte ushtri e shpresës dhe e jetës, ndërsa brigada 131, 133 dhe 134 do të mbeten krenaria e përhershme e UÇK-së.“ Ka mjaft dokumentarë dhe dëshmi se çfarë beteja bëri kolonel Tahir Zemaj. Një fjalë të urtë populli e thotë „se gjaku nuk humbet kurrë“, shpresë që na mban ende të besojmë se kjo do të ndodhë.

Image
Haki Latifi dhe kolonel Tahir Zemaj

Kujtoj se ndonëse edhe pse kjo vrasje nuk përket me mandatin e Gjykatës Speciale në Hagë, megjithatë mund të kontribuoj diçka në ndriçimin e këtij rasti të dhimbshëm.

Pra Gjykata Speciale mbetet shpresa e vetme që kjo vrasje, tanimë 20 vjet, mbetet e pazbardhur. Drejtësia duhet të vendoset, kurse ideatorët dhe vrasësit duhet të marrin dënimin e merituar.

Në Kosovën e pasluftës, shumë vrasje kanë mbetur për t’u zbardhur, e padyshim është edhe ajo e kolonelit, heroit të Kosovës, Tahir Zemaj, i cili nuk do të prehet i qetë derisa vrasësit e tij ende janë në liri”, vlerësoi Latifi.

Ndër të tjera, ish-kryetari i degës së LDK-së në Zvicër potencoi se ky vit duhet të jetë vit që vrasësit e kolonelit të identifikohen, të dënohen dhe të marrin atë e meritojnë.

Pavarësisht se bëhen 20 vite që nga vrasja e kolonel Zemajt, veprat e tij kolosale nuk do harrohen kurrë.

“Me zbardhjen e vrasjes së kolonel Tahir Zemajt, Kosova do të fillojë rrugën e pastrimit nga e keqja, e cila e ka mbërthyer vendin që nga paslufta, respektivisht që nga vdekja e presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. Ata që deri dje ishin në pushtet, e që sot janë në Hagë, mund të dinë shumë për vrasjet e pasluftës, ndërsa mbetet vetëm çështje kohe derisa e vërteta të zbardhet, dhe përfundimisht Heroi Tahir Zemaj të prehet i qetë në tokën Dardane.

Ky vit, mund dhe duhet të jetë vit që vrasësit e kolonelit të identifikohen, të dënohen dhe të marrin atë e meritojnë. Kosova ka nevojë të ndërtoj një shtet ligjor i cili mbron qytetarët e vet dhe vendos drejtësinë në vend dhe se nuk mjafton vetëm të bëhet thirrje për drejtësi kur nuk ka rezultate hetimore.

Ndonëse, më 4 janar bëhen 20 vjet, nuk harrohet vepra kolosale që Tahir Zemaj la, në nekrologjinë e tij të jetës: Hero, shembull se si mbrohet Atdheu. Vrasjet politike janë plaga më e madhe për Kosovën. Pa zbulimin e tyre, liria e Kosovës nuk është e plotë.

Lavdi Heroit të Kosovës, kolonel, Tahir Zemajt dhe Hasan e Enis Zemaj”, përmbylli Haki Latifi për “Bota sot”.

Haziri: Vrasja e kolonel Tahir Zemajt kishte tronditur opinionin kosovar dhe jo vetëm, në kohë lirie, të një periudhë të luftës për pushtet, një luftë pa trima dhe pa heronj

Ndërsa, analisti Nexhat Haziri në një prononcim për “Bota sot” tha se vrasja e kolonel Tahir Zemajt tronditi shoqërinë shqiptare, kjo pasi erdhi në një kohë lirie.

“Njëzet vite më parë, në një pritë të organizuar në stilin mafioz, ekzekutohet Kolonel Tahir Zemaj, një nga figurat më emblematike të Betejës së Loxhës (Korrik 1998) kundër forcave serbe, së bashku me të birin Enisin dhe kusheririn Hasan Zemaj.

Vrasje kjo që kishte tronditur opinionin kosovar dhe jo vetëm, në kohë lirie, të një periudhë të luftës për pushtet, një luftë pa trima dhe pa hero”, deklaroi ai.

Image
Nexhat Haziri

Krahas kësaj, Haziri tha se “disa ish-komandantë të UÇK-së donin me çdo kusht pushtetin, ku nuk kursyen as frikësimet e as vrasjet”.

“Kur ish-komandantët e UÇK-së, të konvertuar në politikan ia kishin mësyrë pushtetit me çdo çmim, duke mos kursyer edhe vrasjet dhe frikësimin e kundërshtarëve politik Në këtë drejtim, si pengesë në rrugën e tyre për marrjen pushtetit e kishin parë LDK-në dhe popullaritetin që gëzonte ish-presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibarhim Rugova.

Në fund, ai potencoi se për këtë ambicie të ish-komandantëve, u morën në cak disa aktivistë dhe intelektualë të LDK-së, ku drejtësia ende nuk u zbardh për vrasjet e tyre.

“Dhe për këtë ambicie të ish-komandantëve të UÇK-së, do të merren në nishan shumë aktivistë dhe zyrtarë të LDK-së, bashkëpunëtorë të afërt të ish-presidentit Rugova, të cilët u vranë nga atentate, vrasjet e së cilëve drejtësia akoma nuk iu dha epilog”, përmbylli Nexhat Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat