“Dy vendimet që trondisin opozitën” - Ish-zëvendësministri i MPB-së: Opozita është e frikësuar për këto arsye!

Politika

“Dy vendimet që trondisin opozitën” - Ish-zëvendësministri i MPB-së: Opozita është e frikësuar për këto arsye!

Nga: Nehat Shaqiri Më: 5 janar 2023 Në ora: 09:12
Kryeministri Albin Kurti

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu beson që dy premtimet kryesore që ka vendosur para vetës atë për procesin e Vettingut dhe Byronë për Konfiskim dhe Verifikim të Pasurisë së Pajustifikueshme do të jetësohen në gjysmën e dytë të vitit 2023.

Haxhiu thotë se opinioni i dytë i Komisionit të Venecias sa i takon ligjit për Byronë për Konfiskim dhe Verifikim të Pasurisë së Pajustifikueshme ka qenë pozitiv dhe në janar pritet që këto ndryshime të votohet në Komisionin Parlamentar për Legjislacion.

Ministrja Haxhiu thotë se po planifikojnë që procedurat tjera për përzgjedhjen e drejtorit dhe stafit të kësaj Byroje të ndodhin në pjesën e dytë të vitit që sapo kemi hyrë.

“Sipas planifikimeve tona në momentin kur Kuvendi i Kosovës e voton në lexim të dytë, e presim që kjo të ndodh në janar, pra në këtë muaj është jashtëzakonisht e rëndësishme që pastaj të nis edhe shkrimi i akteve nënligjore pasi ligji parasheh që brenda 6 muajve të nis hartimi i akteve nënligjore, ne mendojmë se duhet të jetë një afat pak më i shkurtër sepse kemi nevojë jashtëzakonisht shumë për këtë ligj, jam e bindur se do të arrijmë t’i finalizojmë aktet nënligjore. Pastaj, në 6 mujorin e dytë të vitit 2023 nis edhe procedura për zgjedhjen e drejtorit dhe stafit tjetër mbështetës që do të punojnë në këtë institucion. Pra planifikimet janë që në 6 mujorin e dytë të nisen procedurat për zgjedhjen e këtij institucioni dhe më pastaj marrja e përgjegjësve nga i njëjti”, thekson ajo.

Ndërsa, ish-zëvendësministri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava thotë se, Qeveria e Kosovës me kryeministër Albin Kurti ka trazuar themelet e opozitës.

Ai thotë se opozita nuk i ka votat e mjaftueshme për ta rrëzuar nga pushteti këtë Qeveri.

Image
Ish-zëvendësministri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava

Sipas tij, Qeveria e Kosovës, me ligjin veting dhe atë të konfiskimit të pasurisë së pajustifikuar do të ndjekë të gjithë ata që kanë bë vepra kriminale dhe do të ndëshkohen.

“Askush nuk do të mund t’i shpëton ligjit, nga një drejtësi e pavarur, e reformuar dhe profesionalizuar, kushdo qoftë që gjatë qeverisjes së kaluar ka abuzuar dhe me veprime të kundërligjshme është pasuruar. Dihet ashiqare së shumica e ish pushtetarëve të kaluar janë pasuruar duke qenë në lidhje me krimin e organizuar, dhe në mënyra të ndryshme e kanë kriminalizuar skajshmërisht edhe shtetin tonë. Ata kishin të vetmin qëllim, që të pasurohen. Në këtë pikë edhe ia kanë arritur qëllimit të tyre, dhe ky shkak tani po e shqetëson opozitën, sepse këto ligje do ti përfshijnë ata vepërkryes të cilët me aktakuza të ndryshme që do të përfshihen e do të jenë të akuzuarit kryesor, si të dyshuar për shumë vepra kriminale, dhe do të komprometohen para opinionit”, thotë Tërnava.

Ai thotë se, duke u zbuluar lidhja e tyre me krimin e organizuar, nuk do të ju vlen më ajo lëvdata se “na e kemi çliruar Kosovën” dhe ajo pasuri e pajustifikuar do të u konfiskohet dhe do t’i takoj shtetit.

“Prandaj këto janë disa nga ato shqetësimet që po fshihet pas shpeshtimit të kërkesave nga subjektet politike opozitare për dorëheqjen, siç thonë ata urgjente dhe pa kushte të Qeverisë Kurti. Këto kërkesa tani janë të ndërlidhura me ofrimin e kohës për përfundimin e reformës në sistemin e drejtësisë, Miratimin e ligjit Vetting dhe atë për konfiskimin e pasurisë së pa justifikueshme, ligje nga të cilat do të goditeshin të parët ish pushtetarët nga aspekti i dështimit të arsyetimit të pasurive të tyre, kurse me Ligjin Vetting do të goditet drejtësia e kriminalizuar e lidhur me nëntokën e krimit të organizuar, me të cilën është në lidhje prej dekadash që kanë bashkëjetuar”, shton ai.

Ai pohon se, opozitarët po e kritikojnë qeverinë Kurti për dështime në ndryshim dhe zhvillim.

“Ata kanë harruar se ishin po ata të cilët plotë dy dekada në pushtet, dhe këtë shtet e kanë mbajtur peng, e kanë zhvatur dhe degraduar, për të ja lënë trashëgim të rëndë e patate të nxehtë për ta menaxhuar kjo qeveri e re e cila mandatin e ke filluar në një kohë të pa kohë të kohës së pandemisë globale, por edhe të krizës akoma më të gjerë të sigurisë nga konflikti, lufta pushtuese kundër Ukrainës e filluar nga ana e Rusisë”, pohon ai.

Tutje, Tërnava shton se, nëse arrin kjo Qeveri t’i jetësojë ligjet në fjalë, dhe t’i zbardhë krimet e tëra që iu kanë bërë këtij vendi që nga paslufta e deri më tani, atëherë kjo do të kujtohet në të ardhmen si qeveria më e suksesshme, dhe populli do e mirëpret edhe në zgjedhje të tjera, dhe do e shpërblej prapë me vota që ta qeverisë këtë vend edhe në të ardhmen.

“Edhe faktori ndërkombëtar do e përkrah në këtë pikëpamje dhe pas këtyre jetësimeve të këtyre ligjeve, Kosovës do t’i hapen rrugët drejtë OKB-së dhe institucioneve tjera ndërkombëtare sikur që janë NATO, INTERPOl etj”, përfundon Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat