“As Kurti, as Vuçiq nuk do të dorëzohen”, zbardhet si do të veprojë Beogradi nëse nuk reagojnë ndërkombëtarët

Politika

“As Kurti, as Vuçiq nuk do të dorëzohen”, zbardhet si do të veprojë Beogradi nëse nuk reagojnë ndërkombëtarët

Nga: A.Zh Më: 5 janar 2023 Në ora: 15:00
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq; foto ilustrim nga "Bota sot"

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, po ndjek modelin e ish-kryeministrit serb Nikola Pashiq, në raport me Kosovën. Kështu vlerëson profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe njohësi i çështjeve politike Enver Bytyçi, i cili ka akuzuar kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, se ka përqafuar këtë politikë serbe.

“Vuçiq po ndjek modelin e ish-kryeministrit serb Pashiq të vitit 1913, kur ai i porosiste diplomatët e tij në Petërsburg, se “nëse nuk mundemi ta evitojmë krijimin e një shteti të ri shqiptar, atëherë të bëjmë gjithçka që ky shtet të jetë sa më i vogël. Kështu e bëjmë shtetin shqiptar jofunksional dhe të pasuksesshëm”, shkruante Pashiq. Vuçiq dëshiron të bëjë pikërisht këtë gjë, kësaj radhe me Kosovën. Fatkeqësisht këtë politikë serbe e përqafojnë jo pak shqiptarë, përfshirë dhe kryeministrin e Shqipërisë, i cili në një tëiter të tij, barrikadat serbe i quante si akte demokratike. Atëherë, sipas këtij vlerësimi pro-serb e pro-Vuçiq, shqiptarët mund të ngrenë barriada në mes të Shkupit, në Kumanovë, Manastir, në Preshevë, Bujanovc e Megvegjë, kudo ku ata janë e diskriminohen negativisht, pra jo pozitivisht si serbët e Kosovës”, shprehet Bytyçi në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Ai më tej e ka quajtur mbrojtjen e Vuçiqit për barrikadat nga Rama, si paradoks të pashoq në botë.

Lexo edhe: “Vuçiq e mori mesazhin e ndërkombëtarëve për Kosovën, Serbia në udhëkryq”, Bytyçi: Kjo është frika e Perëndimit!

“Në vend që kryeministri shqiptar të bëhet barrikadë kundër diversioneve anti-shqiptare të presidentit të Serbisë, justifikon pikërisht barrikadat serbe në veri të mbrojtura nga njerëz me maska e të armatosur. Paradoks si ky nuk gjen në ndonjë vend të botës!”.

Vuçiq paralajmëroi se nuk do të ndalen së luftuari për Kosovën. E sipas profesorit, presidenti serb mund të urdhërojë përsëri ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës, nëse fuqitë e mëdha nuk bashkohen në një opsion të zgjidhjes së konfliktit mes të dyja vendeve.

“Nëse SHBA dhe vendet kryesore të Europës, përkatësisht Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe po them edhe Italia, nuk bashkohen me të njëjtin opsion të zgjidhjes së konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë, atëherë Vuçiq do të urdhërojë përsëri ngritjen e barrikadave. Kjo mund të ndodh gjatë dy muajve të parë të vitit të ardhshëm në prag, kur edhe qeveria Kurti do të fillojë seriozisht të merret me zevendësimin e targave serbe me ato RKS. Kjo do të ndodhë”, ka thënë Enver Bytyçi.

Megjithëse vlerëson se Kurti humbi diçka nga autoriteti i tij me tensionet e fundit, analisti parashikon që kryeministri nuk do të dorëzohet në rastin e targave dhe në krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.

“Kurti në rastin e fundit ka humbur më pak se Vuçiq, por edhe ai ka humbur diçka nga autoriteti dhe prestigji i tij. Ishte një situatë, në të cilën çdo qeveri do të pësonte një lloj dëmtimi politik dhe elektoral. Prandaj dhe kryeministri Kurti nuk do të dorëzohet në rastin e targave dhe besoj edhe në rastin e krijimit të asosacionit”.

Teksa ka paralajmëruar tensione të reja, Bytyçi ka kërkuar që shqiptarët të bëhen bashkë dhe të demaskojnë politikën luftënxitëse të Beogradit.

“Duke e parashikuar këtë zhvillim, atëherë i bie që as Vuçiq, as Kurti nuk do të dorëzohen në qëndrimet e tyre. Kjo do të sjellë tensione të reja dhe me siguri edhe barrikada dhe presione të shtuara. Kosova, Shqipëria dhe shqiptarët duhet të bëhen bashkë, me një zë, me një qëndrim, me një veprim të përbashkët politik e diplomatik, me qëllim që të demaskohet politika luftënxitëse e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Përçarja që ekziston në politikën shqiptare, sidomos midis Tiranës dhe Prishtinës, duhet të tejkalohet sa më shpejt. Nëse nuk ndodh kjo, atëherë ne do të jemi në disavantazh. Përballë një politike agresive dhe të unitetit në Beograd, shqiptarët nuk kanë mjet tjetër për të qëndruar e fituar, përveçse përmes unifikimit të faktorit politik, fetar, e qytetar!”, ka shtuar për “Bota sot” analisti Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat