Këto janë “kokat politike” që kanë vila në Brezovicë, eksperti i përmend me emra një nga një! 75 vila të sekuestruara, 1 milionë euro ryshfet!

Politika

Këto janë “kokat politike” që kanë vila në Brezovicë, eksperti i përmend me emra një nga një! 75 vila të sekuestruara, 1 milionë euro ryshfet!

Nga: Nehat Shaqiri Më: 6 janar 2023 Në ora: 22:55
Pamje nga Brezovica

Aksioni Brezovica ka tronditur shumë politikanë e biznesmenë në Kosovë.

Nga ky aksion u zbuluan shumë politikanë, kryetarë komunash, drejtorë, inspektorë nga niveli lokal dhe sekretarë, inspektorë e kryeinspektorë nga niveli qendror, që tashmë janë pjesë e aktakuzës voluminoze të Prokurorisë së Ferizajt në rastin “Brezovica”.

Mbi 1 milion euro pretendohet të jenë marrë ryshfet në këmbim të lejeve ndërtimore në zonën e Brezovicës.

Pjesa më e madhe e këtyre parave përshkruhet të ketë përfunduar në “xhepat” e ish-kryetarit të Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq.

Image
Pamje nga Brezovica

Për aksionet që janë zhvilluar në vazhdimësi në Brezovicë ku janë konfiskuar vila dhe hotele flet eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava.

Ai thotë se, kulmi i skandalit me ndërtime të kundërligjshme, me krim e korrupsion në Parkun Nacional Brezovica me vilat e konfiskuara, është momenti kritik i shembjes së kupolës kriminale institucionale të krimit të organizuar, të lidhur për plot dy dekada me figurat qendrore të liderëve të politikës.

Këto aksione në Brezovicë kanë vënë nën pranga dhjetëra persona, figura me peshë politike, biznesmenë, por edhe zyrtarë institucionalë.

“Shumica e të arrestuarve dyshohen për veprat penale: keqpërdorim i detyrës zyrtare, marrje, si dhe dhënie ryshfeti. Në vendin e dyshuar të krimit, të cilin e ka goditur Prokuroria e Shtetit, nuk janë të vetmit ata persona të përfshirë në veprime të dyshuara në Parkun Kombëtar të “Sharrit”, sepse zinxhiri i lidhjes së abuzimit kriminal me ligjin mundë të zgjerohet me disa nga politikanët dhe ish-udhëheqësit shtetërorë të Kosovës që kanë toka dhe shtëpi banimi në Brezovicë. Sipas informatave të raportuara në media, në Brezovicë ka pronësi edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka një vilë në Brezovicë. Ish-presidenti Thaçi kishte deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit më 2020-n se ka në pronësi të përbashkët ka një tokë bujqësore dhe dy shtëpi. Thaçi nuk është ish-presidenti i vetëm që ka pasuri të pa luajtshme në Brezovicë. Edhe paraardhësja e tij, presidentja Atifete Jahjaga, është raportuar se ka në posedim një vilë në Brezovicë. Më 2015, në Agjencinë Kundër Korrupsion, ajo nuk ka deklaruar pronësi mbi pronë në Brezovicë”, thotë Tërnava.

Ai tregon se, vilë në Brezovicë është apostrofuar të ketë edhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.

Image
Hajrullah Tërnava

“Po ashtu vilë, në Brezovicë ka edhe familja e Abelard Tahirit, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së. Abelard Tahiri, në deklarimin e fundit të pasurisë ka treguar se ka në pronësi të përbashkët familjare një shtëpi malore, por pa specifikuar lokacionin. Gjithashtu, ai ka deklaruar se ka edhe në pronësi të përbashkët edhe një shtëpi banimi dhe lokale afariste. Ndërkohë, që Memli Krasniqi ka të vetëm një shtëpi dhe apartament. Një vilë në Brezovicë, sipas informatave të medieve ka edhe Hajredin Kuçi, ish-ministri i Drejtësisë dhe ish-zëvendëskryeministri i Kosovës. Nga ky aksion në vazhdim prokurorisë mund të goditet edhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, për të cilin është raportuar se ndryshe nga kolegët e tij, ka në pronësi të tij një parcelë toke në Brezovicë. Haradinaj, në AKK ka deklaruar se në pronësi të përbashkët ka një tokë kodrinore që kap vlerën prej 75 mijë eurosh, si dhe një truall në vlerë prej 27 mijë e 300 eurove. Krahas tyre, vila në Brezovicë sipas burimeve të medieve kanë edhe kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj dhe ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku. Çollaku, në deklarimin e bërë në AKK ka treguar se ka në pronësi të përbashkët parcelë prej 700 metrave katrorë dhe shtëpiza që në atë kohë ka qenë në ndërtim e sipër. Kurse, për dallim nga Çollaku, Limaj ka të deklaruar vetëm një truall, në pronësi të përbashkët familjare”, thotë ai.

Sipas tij, vila në Brezovicë është raportuar se posedojnë edhe Enver Hoxhaj, ish-krye diplomati i Kosovës dhe Arsim Bajrami, ish-ministër i Arsimit në Qeverinë Thaçi.

“Madje shtëpi në fshatin turistik të Brezovicës është raportuar se posedon edhe prokurorja e shtetit, Laura Pula. Përndryshe një hotel në bashkë-pronësi, në Parkun Kombëtar të “Sharrit” e ka ndërtuar edhe Veton Surroi. Publicisti është aksionar në kompaninë “Stella Consulting”, e cila dyshohet se fitoi jashtëligjshëm lejen ndërtimore për ndërtimin e objektit afarist në Brezovicë”, tregon ai.

Image
Pamje nga Brezovica

Tërnava shton se, çdo luftim i krimit në përgjithësi nga cilado qeveri, që është në përputhje me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës, është në përkrahje të popullit, pavarësisht se kush i ka krye ato vepra kriminale.

“Pra edhe pse në këto vepra kriminale kanë marrë pjesë të “fortit e shtetit” dhe këto veprime janë krim i organizuar, sepse këto krime i kanë krye ata të cilët kanë mujt me i krye sikur që bëhet fjalë për të fortit e shtetit, prandaj institucionet e Kosovës duhet të jenë të pamëshirshëm ndaj luftimit të këtyre veprimeve kriminale, pavarësisht se kush është i inkriminuar ne këto veprime, dhe nga këto veprime të konfiskimeve të këtyre vilave dhe përndjekjeve ligjore, t’iu shërbej edhe të tjerëve si mësim se askush nuk është imun para ligjit”, përfundon Hajrullah Tërnava.

Dosja e Prokurorisë

Mbi ish-kryetarin Bratisllav Nikoliq rëndojnë akuzat për keqpërdorim detyre, marrje ryshfeti, ushtrim ndikimi dhe armëmbajtje pa leje.

Dosja e Prokurorisë përshkruan se këto para u dhanë nga biznesmenë të ndryshëm kosovarë në këmbim të lejeve ndërtimore.

Paratë përshkruhet të jenë marrë ‘cash’ dhe në forma të ndryshme si vetura dhe vila luksoze.

Sipas aktakuzës për lëshimin e 21 lejeve ndërtimore vetëm një nga biznesmenët kishte dhënë ryshfet 210 mijë euro. Përpos këtyre 21 lejeve ndërtimore, Nikoliq akuzohet se kishte marrë ryshfet edhe në ofrimin e lejes për ndërtimin e lagjes ‘Kashtanjeva’. Për ndërtimin e kësaj lagjeje në zonën e mbrojtur, përshkruhet të jenë dhënë pasuri në vlerë prej 378 mijë euro.

Image
Pamje nga Brezovica

Para të majme pretendohet të jenë marrë edhe për ndërtimin e “Stella Consulting”. Për lejimin e këtij objekti pretendohet të jenë marrë 200 mijë euro ryshfet.

Një tjetër rast ku pretendohet se janë marrë 240 mijë euro ryshfet, është rasti i ndërmarrjes “Eurosport”, ndërsa 100 mijë euro përshkruhet të jenë marrë për lejimin e ndërtimit të objektit hotelier “Rimida”.

Shuma të tjera të parave përshkruhet të jenë marrë edhe nga personat fizikë për ofrimin e lejeve ndërtimore.

Përpos ish-kryetarit Nikoliq për keqpërdorime dhe marrje ryshfeti po akuzohen edhe ish- drejtori i Urbanizmit, Dimitrije Raciceviq.

Raciceviq akuzohet se për të lëshuar 2 leje ndërtimi kishte marrë 1 veturë në vlerë 9 mijë euro. Ndërsa para përshkruhet të kenë marrë edhe inspektorët komunalë Hysni Bajrami dhe Dragomir Milosavleviq, pasi kanë lejuar ndërtimin pa leje të vilave në zonën e Brezovicës.

Para pretendohet të ketë marrë edhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Sasha Milosavleviq. Ai po akuzohet se si shef i kadastrës kishte marrë para për sigurimin e lejeve ndërtimore në shuma deri 30 mijë euro.

Në aktakuzë është edhe ish-sekretari i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Arben Çitaku, ish-kryeinspektori i mjedisit Bedri Halimi dhe ish-shefi i Departamentit për mbrojtjen e mjedisit, Mustafë Hyseni.

Çitaku akuzohet se në kundërshtim me ligjin kishte dhënë pëlqimet mjedisore për ndërtimet në Brezovicë, ndërsa Halimi dhe Hyseni akuzohen se nuk kishin ndërmarrë veprime për t’i ndaluar ndërtimet në këtë zonë.

Përpos zyrtarëve, pjesë e aktakuzës janë edhe personat që pretendohet të kenë dhënë ryshfet.

Hysein Ajdini, sipas aktakuzës, i ka dhënë 30 mijë euro ryshfet ish-kryetarit të Komunës, Bratisllav Nikoliq, për të siguruar leje ndërtimore dhe 30 mijë euro deputetit Sasha Milosavleviq.

Ndërkaq Sasha Spasiq akuzohet se ka ndihmuar të pandehurit Nikoliq për lëshimin e lejeve ndërtimore në këmbim një biznesmen t’ua ndërtonte vilat në vlerë prej 300 mijë euro. Pjesë e aktakuzës është edhe Jadran Kostiq. Ai akuzohet se ka ndihmuar Nikoliqin të marrë ryshfet në këmbim të parave.

I fundit i cili akuzohet në këtë rast është Raif Bajrami, shef i personelit të Drejtorisë së Urbanizmit. Ai akuzohet se ka marrë para nga 200 deri në 500 euro për shpejtimin e dosjes se lejeve ndërtimore.

Rasti “Brezovica” ka bërë bujë në gjithë vendin. Së fundmi Gjykata e Pejës ka vendosur për sekuestrimin e përkohshëm të 75 vilave në zonën e Brezovicës.

Ndër 75 vilat e sekuestruara përkohësisht nga Gjykata e Pejës janë edhe vilat e 3 gjyqtarëve.

Bëhet fjalë për vilën e kryetarit të Gjykatës së Ferizajt, Mustafë Tahirit.

Në këtë listë është edhe gjyqtari i Gjykatës Supreme, Agim Maliqi.

Sekuestrimit nuk i ka shpëtuar as gjyqtari tjetër, Bashkim Hyseni, i cili sot është gjyqtar në Gjykatën e Apelit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat