Sulmi në Shtërpcë, dalin prapaskenat e plagosjes: Turma ishte e rrezikshme, dorasi kishte qëllim vetëmbrojtjen!

Politika

Sulmi në Shtërpcë, dalin prapaskenat e plagosjes: Turma ishte e rrezikshme, dorasi kishte qëllim vetëmbrojtjen!

Nga: A.Morina Më: 7 janar 2023 Në ora: 12:43
Pamje nga Shtërpca

Të premten, Policia e Kosovës njoftoi se dy persona janë plagosur në fshatin Drajkovc të komunës së Shtërpcës, një komunë e banuar me shumicë serbe, rreth 50 kilometra në jug të Prishtinës.

Sipas policisë, të plagosurit janë të moshës 11 dhe 21 vjeçare dhe u qëlluan me armë zjarri nga të dyshuar, nga një makinë që po lëvizte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt dhe të cilët më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Pasi të plagosurit ishin serbë, kishte reagime të shumta, edhe nga BE që e dënuan ashpër këtë sulm/incident.

Ky sulm ndodhi në një periudhë kur sapo u vendos liria e lëvizjes në komunat veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, ku për rreth tri javë rrugët u mbajtën të bllokuara nga grupe qytetarësh serbë që protestuan ndaj arrestimit të një ish polici serb nën dyshimet për sulm ndaj autoriteteve.

Kësisoj, u hodhën dyshime edhe për skenarë të ndryshëm, madje edhe u bë një krahasim me rasitin “Panda”.

Mirëpo, Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS, në prononcimin e tij për gazetën “Bota sot” tha se nuk duhet gjykuar ky rast.

Ai kritikoi disa analistë që po bëjnë reagime qëllim këqia.

Image
Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS

“Këtu nuk ka vend për teori konspirative. Dihet kush ka gjujtë ndaj kujt. Por, nuk duhet gjykuar motivin e as dashjen.

Sa është i papranueshëm sulmi, aq edhe reagimi qëllim keq që po bëjnë disa nga analistët tanë”, deklaroi ai.

Sipas tij, serbët nuk kanë qenë të rrezikuar asnjëherë në Kosovë, as nga shteti e as nga qytetarët shqiptarë.

“Serbët në Kosovën e lirë dhe të pavarur jo që nuk kanë qenë të rrezikuar, por të diskriminuar pozitivisht, madje edhe të toleruar në shkelje ligjore e veprimtari kundërkushtetuese ndaj Republikës së Kosovës.

As edhe një rast nuk ka ku janë sulmuar qoftë nga qyetarët shumicë e aq më pak nga shteti”, nënvizoi Halimi.

Ndër të tjera, shtoi se rasti i mbrëmshëm i ngjan një rasti vetëmbrojtës.

Pasi, bazuar edhe ne deklaratat dhe dëshmitë, dorasi është ndier i kërcënuar dhe nuk e ka drejtuar armën drejt pjesëmarrësve, mirëpo plumbi ka devijuar.

“Rasti i mbrëmshëm siç edhe po argumentohet nga vetë pala e të dëmtuarve i ngjan një rasti vetmbrojtjeje. Ngase sipas rrethanave, dorasi ka qenë i kërcënuar dhe rrezikuar nga turma e serbëve, me ç'rast për të shmangur sulmin nga ta, ka shtirë jo në drejtim të tyre, ndërsa nga devijimi i plumbave janë qëlluar aksidentalisht pjesëmarrësit e turmës së rrezikshme. Madje këtë vetë nëna e njërit prej të plagosurëve e tha.

Andaj, duhet pasur kujdes në reagimet sa për të reaguar, e zbardhja e rastit t'i lihet organeve kompetente”, përmbylli Armend Halimi për “Bota sot”./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat