Plagosja në Shtërpcë, analisti bën thirrje për kujdes: Ky është qëllimi i Serbisë

Politika

Plagosja në Shtërpcë, analisti bën thirrje për kujdes: Ky është qëllimi i Serbisë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 7 janar 2023 Në ora: 14:35
Shtërpcë

Të premten pasdite, Policia e Kosovës ka njoftuar se dy persona janë plagosur me armë zjarri në fshatin Drjakovc të Shtërpcës, komunë kjo e banuar me shumicë serbe.

Sipas njoftimit të policisë, rreth orës 15:20, më 6 janar, ndaj dy personave, njëri rreth 11-vjeçar dhe tjetri rreth 31-vjeçar, është shtënë me armë zjarri nga të dyshuar, të cilët ishin me një automjet të udhëtarëve, në lëvizje, që po qarkullonte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt. Sipas policisë, vetura më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Pak orë më pas, Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka bërë të ditur se një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës është i përfshirë në sulmin që ka ndodhur në Shtërpcë.

Mehaj, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se i dyshuari do të trajtohet sipas rregullores dhe ligjeve që i kanë në fuqi Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja.

“Të dashur qytetarë, tani u njoftova se në rastin që ka ndodhur në Shtërpcë është përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Me rastin janë duke u marrë organet e sigurisë dhe drejtësisë. I njëjti do të trajtohet edhe sipas rregulloreve dhe ligjeve që kemi në fuqi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë”- ka shkruar ai.

Gjendja e të plagosurve, sipas kirurgut të spitalit të Graçanicës, Bozhidar Odaloviq, është e mirë dhe stabile, ndërsa reagime pas plagosjes ka pasur si nga BE, ambasadori amerikan, ashtu edhe nga krerët e shtetit.

Gjersa kanë dënuar aktin kriminal, analistët thonë se këto kauza janë të qëllimshme.

Analisti politik, Blerim Burjani, ka thënë se sulmet e tilla duhet të ndëshkohen.

Sipas Burjanit, duhet kujdes, pasi që Serbia e ka qëllim që të bëjë sa më shumë aksidente.

“Sulmi është kriminal, duhet të ndëshkohen të gjithë ata që tentojnë apo kryjnë akte të tilla, organet e drejtësisë dhe prokuroria po merret me hetimet e rastit, të gjithë duhet të jenë të kujdesshëm për të mos provokuar në mënyrë të ndryshme, pasi që Serbia e ka këtë qëllim, sa më shumë aksidente në Kosovë, për të gjetur kauza për qëllime të Serbisë, pra duhet të gjithë të kenë durim, të përmbahen nga aktet e ndryshme, pra nuk duhet të dëmtohet procesi i dialogut që të mos fillojë”, ka deklaruar Burjani.

Image
Blerim Burjani

I dyshuari për plagosjen e dy personave në Shtërpcë, është djalë dëshmori.

A.K është djali i dëshmorit D.K nga fshati Gabricë e Kaçanikut.

I dyshuari është djalë i vetëm i familjes.

A.K është arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi i njëjti dyshohet për plagosjen e dy personave, 11 dhe 31-vjeç në Shtërpcë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat